Drejtësia sipas qeverisë

0
82

Arben Rrozhani, 30.07.2010

Sa herë vjen fjala për drejtësinë, kronika politike në Shqipëri i ngjan rrethit vicioz dhe debati për Gjykatën Kushtetuese, kur pala akuzuese është PD-ja dhe e akuzuara është presidenca është po ai i njëjti.

Më se tre vite më parë ishte po ky debat mes partisë së drejtuar nga zoti Berisha dhe presidencës së drejtuar nga Alfred Moisiu. Ish-presidenti që ishte në ditët e fundit të mandatit pesëvjeçar, do ta zgjidhte këtë ngërç duke i “dhuruar” PD-së emrin e kryetarit të gjykatës Kushtetuese, që njihej si njeri i afërt i kryeministrit Berisha, z. Vladimir Kristo, kryetari ende në detyrë i Gjykatës që thotë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë në Shqipëri.

Edhe atëherë në maj 2007 ishin po këto akuza siç po i bëhen sot presidentit Topi, se presidenti kishte vonuar dekretimin e kryetarit, duke futur në kolaps Gjykatën Kushtetuese, pas mbarimit në 16 maj 2007 të mandatit të ish-kryetarit të gjykatës, Gjergj Sauli.

Edhe atëherë presidenti nuk e kishte pasur të lehtë që ta kishte kandidaturën e kryetarit, sepse para se Kristo të pranonte detyrën e kryetarit, tre emra të tjerë, si Sokol Sadushi, Petrit Plloçi dhe Kujtim Puto nuk kishin pranuar të kandidoheshin për kryetarë. PD-ja do ta votonte dekretin e Moisiut edhe pse ai prej vitesh ishte shndërruar në armik të partisë së drejtuar nga z. Berisha dhe z. Kristo do të ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, deri në mbarimin e mandatit në fillim të qershorit të kaluar.

Edhe pse Moisiut, kandidaturës konsensuale të propozuar nga PD-ja në vitin 2002, në ditët e fundit të mandatit pesëvjeçar i ishte dhënë “mandata” se as të mos e mendonte një rinkandidim, deputetët e PD-së, ashtu si dhe sot me presidentin Topi, e kishin akuzuar kreun e shtetit se kishte kryer një shkelje flagrante të ligjit, pse kishte vonuar 10 ditë dekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe duke kërkuar edhe tërheqjen e tij nga posti. Pra, sjellja e PD-së ndaj institucionit të presidentit në Shqipëri është ajo që ka qenë dhe kështu do të vijojë të jetë.

Por, ndryshe nga paraardhësi i tij, presidenti aktual e ka shumë më të vështirë kryerjen e detyrës së tij në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, sepse pikësëpari dekretet e tij për anëtarët e gjykatës po rrëzohen që në komisionin parlamentar dhe votimi në seancën plenare është bërë një formalitet qesharak ku çdo deputet tashmë duhet të apelojë me zë të lartë votën e tij të besnikërisë ndaj qëndrimit en bloc kundër kandidaturave që partia e z. Berisha mendon se nuk janë të sajat.

Ndryshe nga 3 vite më parë, presidenti aktual duhet të zgjedhë listën e kandidatëve për anëtarë të gjykatës Kushtetuese sipas formatit që kërkon vota e PD-së në kuvend dhe zgjedhja e kryetarit është një formalitet i parëndësishëm.

Votimet e fundit në Kuvend për anëtarët e gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, treguan se partia në pushtet është e vendosur në mos lejojë kalimin e asnjë kandidature që nuk është e “saja”.

Rrëzimi i Vangjel Kostës për Gjykatën Kushtetuese apo i Sokol Çomos dhe Vexhi Muçmatës për Gjykatën e Lartë, ishin demonstrimi i përsëritur i grupit parlamentar të PD-së për të mos kaluar asnjë kandidat që nuk ka pëlqimin e tij, edhe pse ata kishin performancën e duhur që kërkon profili i gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

Edhe pse në rrugë antikushtetuese dhe kundër sugjerimeve të Këshillit të Europës, PD-ja, nomenklatura e të cilës është gati krejtësisht me damarë komunistë në të gjithë organizimin e saj politik, po zbaton Ligjin e rrëzuar të Lustracionit, për të përndjekur dhe shantazhuar trupën e drejtësisë në vend.

Si rezultat i kësaj politike që kërkon të bëjë formatin e drejtësisë sipas kutit të vet, sot Gjykata Kushtetuese ka vetëm pesë anëtarë nga nëntë që duhet të ketë për të funksionuar normalisht dhe pa votat e të cilëve nuk mund të zgjidhet një kryetar i ri.

Partia në pushtet ka refuzuar me kokëfortësi edhe formulën e propozuar nga presidenti për përzgjedhjen së kandidaturave duke u kërkuar dy partive kryesore që të hiqnin nga short-lista e mbetur me 10 kandidatë nga dy kandidatë, nga do të mbeteshin vetëm gjashtë të tillë, për të cilët palët do të arrinin konsensusin dhe propozimi i PD-së për tu ngutur me zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ende pa u plotësuar trupa me numrin e duhur të gjyqtarëve është një skenar që nuk është i vështirë të kuptohet.

Ashtu si Kuvendi, edhe Gjykata Kushtetuese do të nisë pushimet dhe beteja do të rinisë pas pushimeve 40 ditore.

Përgjatë kësaj kohe, i vetmi që nuk do të bëjë pushim do të jetë kryetari i qeverisë dhe partisë në pushtet. Përballë tij është presidenti i vendit prej vitesh tashmë përfaqësues i një institucioni që nuk ka pranuar të jetë nën urdhrat e partisë-shtet.

Më tej është Gjykata Kushtetuese, e cila në pak vite ka nxjerrë qeverinë dhe shumicën parlamentare të PD-së si hartuese e ligjeve antikushtetuese, të cilat janë rrëzuar pa pikë mëshire dhe shumë herë në votë unanime, duke treguar se PD-ja nuk e ka hallin aspak te mbrojtja e Kushtetutës, por uzurpimin e gjithçkaje që ende nuk është nën kontrollin e saj, siç është edhe vetë drejtësia.