Drejtësia e luftës së klasave

0
86

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 10.07.2010

Raporti i “Freedom House” 2010 e thoshte qartë dhe saktë në seksionin për gjyqësorin se sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është i pavarur, se Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën gjyqësore, se qeveria vazhdon të marrë veprime për të trembur gjyqtarët dhe prokurorët.

Për ta ilustruar këtë, PD-ja i erdhi në ndihmë dy ditë më parë me votimin në Kuvend të dy kandidaturave të dekretuara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Kaloi vetëm njëri që prej vitesh ka pasur mbështetjen e PD-së, z. Medi Bici, ndërsa u rrëzua ai që paska pasur mbështetjen e PS-së, Sokol Çomo. Janë dy figura që nuk përputhen, as nga mosha, as nga jeta që kanë bërë dhe as nga karriera.

Për zotin Bici, ato 72 vota që e bënë anëtar të Gjykatës së Lartë, ishin mund i përpjekjeve të shumta i këtyre viteve të fundit për t’i dhënë një shtysë të re karrierës së vet. Nuk e ka pasur të lehtë.

Dy vite më parë ishte në listë për të njëjtin mandat bashkë me emra të njohur si Zamir Poda, Kristaq Traja, Artan Zeneli dhe Altina Xhoxhaj, dhe ishte rrëzuar bashkë me të tjerët po nga Kuvendi, ku shumicë ishte PD-ja edhe pse, si edhe sot, ai përfaqësonte shtresën e ish të përndjekurve politikë, të cilët akuzuan ashpër PD-në në qershorin 2008, pse nuk kishte dhënë miratimin për kandidaturën e tij.

Nga ajo kohë, z. Bici nuk ka shtuar ndonjë “spaletë” në jetëshkrimin e vet profesional. I rrëzuari nga Kuvendi me shumicë të djathtë, Sokol Çomo, do të mbaronte studimet në 1994, atëherë kur z. Bici “vishej” gjyqtar në 1994 në gjykatën e Faktit në Tiranë.

Pas tre viteve si gjyqtar në Tiranë, qeveria e z. Majko do ta zgjidhte si zëvendësministër të Drejtësisë, ku do të rrinte për dy vjet, në po atë institucion ku ministri aktual i Mbrojtjes, Arben Imami, ishte ministër i Drejtësisë në qeverinë e majtë, e ku plot aleatë të sotëm të kryeministrit Berisha ishin figura të rëndësishme të pushtetit politik dhe ekzekutiv të qeverimit të së majtës që perëndoi në vitin 2005.

Çomo do të ikte shpejt nga Ekzekutivi, megjithatë kjo nuk do ta shpëtonte nga “njolla politike” e luftës së klasave që sot i gjen PD-ja si i sponsorizuar nga e majta.

Në shumë pika fati i tij përballë PD-së ngjan me atë të gjyqtarit tjetër të ndëshkuar nga partia e z. Berisha, Kristaq Traja. Emri i njohur i jurisprudencës shqiptare do të gradohej nga qeveria e parë e PD-së edhe ministër drejtësie.

Më pas iu bashkua si ekspert bashkëdrejtuesve të grupit për hartimin e Kushtetutës, të udhëhequr nga S. Godo dhe A. Imami dhe njëherësh ishte edhe ministër i reformës legjislative në Shqipëri.

Prej vitit 1999 deri në 2006, kur i mbaroi mandati, ishte përfaqësues i Shqipërisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, atje ku shqiptarët, të cilëve u mohohet e drejta nga drejtësia e korruptuar në atdhe, kërkojnë të marrin atë që u takon.

Kur ai ishte një ndër kandidaturat e propozuara për Gjykatën e Lartë dy vite më parë PD-ja do ta nxirrte njeriun që e kishte pasur ministër të vetin, si një gjyqtar që e kishte nisur karrierën në drejtësi që në periudhën e komunizmit, në qytetin e Krujës, se çështjet që kishte shqyrtuar ishin kryesisht politike, se kishte mbrojtur akuzat e ngritura nga sigurimi i shtetit dhe këto “bëma” moniste të tij partia që di gjithçka për këdo i kishte zbuluar vetëm në vitin 2008.

Dhe këto akuza i bën partia e drejtuar nga një ish-sekretar partie, për të cilin ka ende dëshmitarë të gjallë që tregojnë për egon e tij të luftës së klasave ndaj armiqve të partisë së Punës, së cilës i përkiste me shpirt, ka ende ish-kolegë që edhe sot pas dy dekadave të rënies së “murit të Berlinit” kanë frikë të tregojnë internimin e tyre në Kavajë nga ish-mjeku komunist Sali Berisha.

Dhe këto akuza mbrohen në grup nga deputetë të PD-së, baballarët e të cilëve me emra malesh kanë qenë figura domethënëse në linçimin e fjalës së lirë nën diktaturën e proletariatit dhe sot bëjnë akuza në adresë të “çunave të Bllokut”.

Se çfarë gjyqtarësh i duhen PD-së për të mbajtur pushtetin nuk e tregon vetëm vota e tyre në Kuvend.

Një vit më parë kur anëtarët e Kolegjit Zgjedhor morën në shqyrtim ankimimet e farsës zgjedhore të 28 qershorit 2009, PD-ja kishte aksionin e radhës ndaj përfaqësuesve të drejtësisë për të mbajtur me përdhunë një pushtet të vjedhur me anë të mashtrimit zgjedhor.

Është ende i freskët rasti i frikësimit të njërës gjyqtare të këtij kolegji, kur në mënyrë të habitshme dhe ende edhe sot të pasqaruar, një “vjedhës” ordiner, u fut në shtëpinë e saj në qytetin juglindor ku jetonte.

Është ajo që vëren edhe raporti i “Freedom House” 2010, se në çfarë derexheje ka përfunduar sistemi i drejtësisë në vend dhe se çfarë gjyqtarësh nga shkalla më e ulët te më e lartë kërkon qeveria e z. Berisha. Po ajo Gjykatë, ku anëtar u vesh z. Bici dhe iu mohua z. Çomo, pak kohë më parë bëri gjestin e turpshëm me gjakun dhe paratë e shqiptarëve, sepse, citoj Freedom House: “…

Dy ministra ishin të akuzuar për shpërdorim detyre, por rastet e tyre u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë mbi baza procedurale”. Për të përfunduar: “…institucionet shtetërore kanë dhënë një shembull të keq në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, dhe mungesa e besimit i ka detyruar shqiptarët të sjellin rastet e tyre para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut…”.