
Preç Zogaj, 22.05.2010
Takimi i Strasburgut për Shqipërinë shënoi një zhvillim të madh në përpjekjen e gjatë të opozitës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar për të zhbllokuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
E djathta dhe e majta europiane thirren shqiptarët për t’u marrë vesh, pasi ishin marrë vesh me njëra tjetrën, pra pasi kishin rënë në një mendje për variantet e zgjidhjes së krizës sonë.
Po kështu, siç u bë e ditur në Strasburg dhe siç kuptohej edhe nga deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të pranishme në takimin e parmbrëmshëm me përkushtimin e tyre të veçantë për demokracinë tonë dhe, kryesorja, me recetën e tyre të njëjtë me recetën antikrizë të Europës.
Unifikimi i qëndrimeve brenda për brenda Europës dhe pastaj edhe në rrafshin e gjithë hapësirës euroatlantike të qytetërimit perëndimor, duket diçka e madhe shumë për krizën e një vendi të vogël si Shqipëria.
Por, ky fakt, vërtetë impresionues mund të habisë vetëm ata që nuk kuptojnë përmasat e vërteta të krizës së kutive dhe ata që mendojnë se mund t’ia hedhin familjes euroatlantike me sjelljen prej struci, që fsheh kokën në rërë duke kujtuar se nuk po e shohin as të tjerët. Kriza shqiptare, që për lehtësi komunikimi quhet kriza e kutive, ka nxjerrë ne pah krizën e demokracisë së ligjeve pa ligjshmëri.
Më tej, në reagimet dhe manovrat e ndryshme të pushtetit për të shmangur transparencën, kjo krizë ka shfaqur edhe anën e saj provokuese ndaj vlerave të qytetërimit perëndimor, ku kemi futur një këmbë dhe duam të fusim edhe tjetrën. Ky është momenti që zgjoi Europën e vlerave, e cila është diçka më e qenësishme se Europa e partive.
Të majtët dhe të djathtët, Europa dhe SHBA-ja nuk janë bashkuar për të fuqizuar një parti shqiptare kundër tjetrës, opozitën kundër pushtetin apo pushtetin kundër opozitës. Këto meskinitete nuk kanë vend në politikën e lartë. Ata janë bashkuar për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat e saj themelore në Shqipëri.
Ky bashkim e zbulon krizën shqiptarë nga retushet dhe artificet politike, e nxjerr në dritë të diellit ashtu siç është, i heq petët lakrorit, siç thotë populli.
Deri pardje, e djathta dhe e majta europiane kishin përgjithësisht një qasje partiake ndaj krizës sonë: popullorët e së djathtës favorizonin me shumë qeverinë, pushtetin, kryeministrin Berisha.
Të majtët u bënin jehonë me përparësi opsioneve të opozitës dhe shefit të saj, Edi Rama. Këto qëndrime vlenin për të armatosur palët në llogore, por shndërroheshin në hiç për sa i përket efektit të tyre konkret në zgjidhjen e ngërçit.
Tani kjo lojë nuk mund të vazhdojë më. Europa është unike përkundrejt krizës sonë. Prova e parë e këtij uniteti u dha në Strasburg. Ky është lajmi shumë i mirë.
Berisha dhe Rama kanë qenë arsyeshëm të rezervuar në deklaratat e tyre të para. Negociatat do të vazhdojnë, asnjëri nuk është pozicionuar prerë, duke lënë hapur mundësinë e një qëndrimi fleksibël.
Ata e dinë të vërtetën e zgjidhjes së ofruar nga ndërkombëtarët. Qëndrimi i tyre për zgjidhjen e krizës nuk është më një lumë fjalësh, por është thjeshtë e qartë qëndrimi që do të mbajnë ndaj formulës së ndërkombëtarëve.
Do të pranohet hapja e kutive të materialeve zgjedhore. Por, ky hap nuk mund të shoqërohet me djegien e fletëve të votimit. Posaqë ka një hetim, fletët si provë materiale minimalisht duhet të konservohen.
Kjo është elementare. Lejen për hapjen ose mos’hapjen e këtyre kutive le ta japë komisioni i Venecias. Kjo është zgjidhja e mesme, që ruan edhe dinjitetin e palëve. Kush e firmos shërben zgjidhjen.
Kush e refuzon, identifikohet me pengesën e zgjidhjes dhe merr përgjegjësinë e pasojave. Ja ku po mbërrijmë tek momenti i madh i së vërtetës, që nuk duron më sajime, gënjeshtra, propagandë.
Pikërisht se jemi te ky moment, takimi i Strasburgut përbën një zhvillimi që hap rrugën drejt zgjidhjes së krizës. Është gjithë çfarë mund të pritej nga darka te “Krokodili”. Palëve u janë dhënë dy javë afat për të reflektuar. Këto janë dy javë pritjeje për opozitën, pasi ajo e ka pranuar zgjidhjen qëkurse u dha në formën e parë nga ambasadori i OSBE-së, Boch me datën 14 maj.
Reflektimi është në radhë të parë në anën e kryeministrit Berisha. Ky reflektim meriton të respektohet si i tillë. Padurimi apo nxitimi i disa mediave për të folur për dështim në mëngjesin e darkës së Strasburgut nuk është as politik dhe as njerëzor. Koha për të reflektuar është standard i çdo negociate.
Por, ndërkaq, si për të treguar se reflektimi nuk mund të përdoret për të shtyrë kohën kot, ndërkombëtarët kanë bërë të qartë sanksionet politike dhe jo vetëm politike që do të vuajë vendi nëse nuk shkohet drejt transparencës së kutive.
Në skenarin e refuzimit sërish të transparencës, do të merret vesh qartë nga të gjithë se kryeministri Berisha ka bërë zgjedhjen e tij: të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Në situatën e krijuar kur gjithë komuniteti ndërkombëtar është fokusuar te një zgjidhje e vetme dhe kur opozita është akoma më e motivuar për të vazhduar betejën e saj, nuk ka alternativë tjetër.
Unë gjithnjë mendoj dhe preferoj transparencën në vend të zgjedhjeve të parakohshme. Por, pushteti udhëhiqet nga llogaritë dhe kjo në vetvete nuk është kriminale.







