TemA, 3 Gusht 2012
Nga Gary Q. Kokalari
Peshëngritësi Hysen Pulaku u dha shansin shqiptarëve që të thonë se më në fund në Olimpiadë ishin të parët për diçka. Për fat të keq, Pulaku ishte i pari që u dëbua nga Lojërat Olimpike të Londrës për doping.
Është e vetëkuptueshme që shumë shqiptarë ndjehen të turpëruar nga shkeljet e Pulakut. Por ai nuk ndryshon shumë nga të tjerë atletë që kanë provuar rrugën e shkurtër drejt suksesit. Në fakt, janë dhjetëra atletë me famë botërore që kanë përdorur steroide për të thyer rekordet dhe për të mbledhur pasuri të madhe nga ky proces. Një nga motivimet kryesore të Pulakut për përdorimin e dopingut është ndoshta ai që bëri që Barry Bonds të përdorte steroide për tu bërë një nga emrat më të mëdhenj në historinë e bejsbollit.
Për ata shqiptarë që nuk janë familjarë me bejsbollin, Bonds ishte ylli i San Francisco Giants dhe ishte figura qendrore në skandalin e fundit të steroideve në bejsboll. Në vitin 2011 ai u dënua për pengim të drejtësisë pasi kishte gënjyer përpara një jurie gjatë hetimit qeveritar në lidhje me përdorimin e steroideve nga ana e tij.
Por mund të ketë një tjetër shpjegim për sjelljen e Pulakut. Si shumë të rinj në Shqipëri, Pulaku është produkt i kulturës së korrupsionit dhe është mësuar me shembuj se është në rregull të gënjesh, mashtrosh dhe të vjedhësh për të ecur përpara. “Liderët” si Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu kanë vendosur këtë precedent për shkak se me veprimet e tyre, ata i kanë demonstruar të rinjve shqiptarë se rruga për në majë hapet me dredhi, mashtrime dhe vjedhje.