Dr. Pjetër Zefi: Patrioti i Pamvarsisë kurbinasi Gjin Pjeter Mark Pervizi

0
56

Te njohim ato rilindas, patriotë e luftëtarë të shquem, që kontribuen në Kryegritjën e madhe Kombëtare, dhe ia kthyen Shqpnisë lirinë e pavarësinë mbas 500 vjet robëri.
Me 3, 4, 5 Gusht 1906, nën hijen e një mani të madh, në Dilbnisht të Kurbinit, pranë Arkipeshvisë, mbahet një kuvend i pleqve të krahinës Kurbin-Krujë, ku vendoset një kanun historik, që do të fiksohet prej At Shtjefën Gjeçovit në veprën e tij të njohun « Kanuni i Malëve ».

Në këtë kuvend pleqt e njohin Gjin Pjetër Mark Pervizin të Skurajt, Kurbin, si plak të parë e perfaqësues i 54 pleqve dhe i popullit të krahinës dhe rrjedhimisht si udhëheqës i kryengritjës kombëtare në këtë zonë, si e dëshmojnë nenët politike të përfshimë në Kanunin e Bajrakut të Kurbinit, i vendosun aty. Ky ishte një akt i ligjshëm i Gjin Pjetrit për t’u kthye në autoritetin e tij të plotë, mbas daljës prej burgut, ku kishte ra për veprimtarinë e tij si udhëheqës dhe organizator i lëvizjes kryengritëse të krahinës tij, të periudhës 1900—1904. Në këtë kuvend morën pjesë së degjues e dëshmitarë Dom Nikoll Kaçorri dhe At Shtjefën Gjeçovi, që përcaktojnë randësinë e këtij kuvendi dhe të nenëve kanunore qe aty u vendosën.

Me anën e këtij kuvendi Gjin Pjetri merr aprovimin dhe besimin e popullit për të vazhdue aktivitetin e tij në organizimin dhe udhëheqjen e metejshme të popullit të Kurbinit e të semti të Krujës për liri e pamvarësi. Besimit të tyne Gjin Pjetri iu pergjigj me organizimin e aksioneve konkrete kryengritëse, tue ua vue pushkën taborrëve e garnizonëve turke, jo vetëm në krahinën e tij, por kudo që e lypte puna.

Gjin Pjetri lindi rreth vitit 1856 ne Skuraj të Kurbinit, në një familje që për tradita shqiptare dhe patriotizëm kishte një vazhdimsi shekullore, qysh prej kohës së Skënderbeut, në luftë të vazhdueshme kundër pushtuesit otoman, si e dëshmojnë gërmadhat e kullave dhe kështjellave të djeguna e rrenueme prej turqëve vazhdimisht. U dallue në ato kohë komandanti trim e fisnik, Pervizi i Madh, që iu kundërvue turkut me një qendresë të pamposhtun. Turqit tue mos ia dale me luftë përdorën tradhëtinë duke e vra pabesisht. Emni tij mbetët i pavdekshëm me kalanë e vorrin e Pervizit në Ferrë-Skuraj.

Këto ngjarje i përkasin gojëdhanave të shumta që u trashëguen brez mbas, brezi, por që mjerisht nën regjimin komunist u transformuen shtrëbnuen ose u zhdukën fare, me qëllim të paracaktuem për të shue çdo lidhje me të kaluemen që kishte të bante me emnin e fisit të Pervizit. Kjo për të vetmen arësye se përfaqësuesi ma i randësishëm i fisit, në kohët e fundit ishte gjenerali i mirënjohuni Prenk Pervizi, nip dhe trashëgimtar i denjë i Gjin Pjetriet. Gjenerali Ai ishte kundërshtar i vendosun dhe anmik i komunizmit. Patriot edhe atdhetar i kulluet gjithë jetën.

Gjin Pjetri hyn në rrjedhën e ngjarjeve historike që përfshinë Shqipninë,prej Rilindjës Kombëtare deri në shpalljën e Pamvarësisë. Vitet e Kryengritjës së Lidhjës së Prizrenit e gjajnë krejt të ri, por me armë në dorë, përkrah luftëtarve trima. Baba i tij, Pjetër Marku dhe xhaxhallarët, Preng e Llesh Marku, ishin në këtë kohë ndër krenët e lëvizjës së krahinës së tyne. Lidhja e tyne shkonte deri në Tiranë, me Toptanajt e Petrelajt, me të cilët kishin miqësi të vjetër.

Këtu u njohën me vllaznit Frashëri, të cilët banojshin asokohë në shtëpijat e Toptanve. Ky kontakt i dha edhe ma randësi veprimtarisë së tyne dhe u përfundue me përcjelljën e Abdyl Frahsërit me shokë, prej Tirane në Skuraj, te Gjomarkajt në Mirditë dhe krahinë mbas krahine e fis mbas fisi deri ne Prizren (1878), ku me praninë e tyne u përfaqësue fisi i Pervizit dhe krahina e Kurbinit.

Ne vitin 1883, Durgut Pasha filloi operacionin për shuemjen e kryengritjës së Lidhjës Prizrenit dhe kapjen e zhdukjën e krenëve të saj. U sul në Skuraj tue iu vu zjarrin edhe njeherë kullave të Përvizëve, por tue mos mundun me kapë as vra asnjë prej kryengritësve të krahinës. Ky zjarr përfshiu të gjithë krahinat e tjera deri në Mirditë e Kosovë.

Këto ngjarje i përjetoi Gjin Pjetri afro 22 vjeç, i cili rreth vitëve 1900 bahet zot shtëpie, kryetar i fisit dhe i krahinës përveç se i Skurajt. Në veprimtarinë patriotike ai ishte i futun qyshë përpara dhe ishte tashma i njohun e pjesmarrës në rrethet kryengritëse,jo vetëm të krahinës tij por dhe të krahinave fqinje e në qyete, Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës dhe Tiranë, ku kishte mbështetje te Petrelajt, Toptanajt, e te tjera familje patriote. Këto nuk ishin kontakte e miqësi të rastit, por në vazhdimsi tradicionale prej kohnash të vjetra.

Veçanërisht e madhe dhe aktive me rezultate te sukseshme asht veprimtatia e Gjin Pjetrit në periudhòn 1900-1904 dhe 1906-1912.

Me personalitetin dhe popullaritetin e tij, dhe me një punë kambëngulëse, e ngriti peshë gjithë vegjëlinë për të mos pague ma xhelepe dhe per te mos dërgue ma nizamë Turkisë (1900-1904). Kjo i tërboi autoritetet turke, të cilat, me një qëllim të paramenduem, i ftuen përfaqësuesit e të gjithë fshatnave të krahinës së Kurbinit dhe të Krujës, për marrëveshje në fushën e Tallajbesë në Krujë. Gjin Pjetri e kuptoi planin djallëzor dhe organizoi shkuemjën në këtë takim me njerëz të zgjedhun dhe te sprovuem, të armatosun mirë, por pa ra në sy. Ngjarja e Manastirit ishte nje eksperiencë e hidhun.

Në mbledhje e sipër, autoritetet turke filluen me provokue bisedimet ndërsa bahej rrethimi i fushës me ushtri. Pala shqiptare e përfaqësueme prej Gjin Pjetrit dhe Dull Kullës, që e fliste mirë turqishtën, dhe të tjerë, nuk prituen me i prishë këto bisedime, dhe, si thotë kanga e njohun kruetane:

« Fjalë mbas fjale e pushka krisi,
Dhe ma i pari Dulla e nisi !
»

Dhe ne fakt kështu ndodhi,dhe filloi përleshja, ku Gjin Pjetri u dallue në mënyrë të veçantë, tue dhanë prova trimnie dhe mençurie. Ndër të tjerë ai kishte aty krah vetes dy vllaznit e tij, Gjokën e Ndrecën, si dhe kushrinin, Frrok Prendi, të njohun si luftëtarë trime, e njerëz te tjerë të fisit, përveç burrave të Kurbinit e të semtit të Krujës të udhëhequn nga 54 pleqtë e tyne, që per kryetar njihnin Gjin Pjetrin. Turqit u gjetën para nje force të vërtetë t’armatosun e t’organizueme dhe u shpartalluen.

Kjo ishte një fitore e bukur dhe e randësishme që i dedikohej zotësisë së Gjin Pjetrit dhe mbeti në histori si Lufta e Tallajbesë (1904). Vetë At Shtjefën Gjeçovi,e paraqiti këtë në një dorëshkrim të tij prej rreth 140 faqesh, « Parradia (kryengritja) e popullit të Kurbinit, 1901-1905, kushtue veprimtarisë së Gjin Pjetrit si prijës i mençur e luftetar i zoti, që në gjithe veprimet luftarake doli fitimtar. Dorëshkrim mbeti pa vijim sepse Gjeçovin e transfëruen në Kosovë, por mbetët një dokument historik i randësishëm për atë kryengritje.

Filluen ndjekjet dhe kush u kap përfundoi në syrgjyn në Egjypt e gjetke. Gjin Pjetri i shpëtoi valës së parë, por nuk mundi me i shpëtue tradhëtisë dhe u kap vetë i gjashti befasisht. Nuk i duel identiteti i vërtetë prej shokve besnikë, dhe kështu edhe me ndërhyemjën e patriotëve me pozita të randësishme në administratën turke mundi me shpetue me një denim dy vjeçar.

I dalun prej burgut, menjëherë hidhet në aktivitet dhe puna e parë ishte mbeledhja e Kuvendit të Dilbnishtit, për të marrë besimin dhe aprovimin e 54 pleqve të Kurbinit e te semti te Krujës dhe të popullit të krahinës. Këta i dhanë, si spjeguem në fillim, besim e autoritet të plotë për t’i përfaqësue e udhëhequn në emën të tyne sipas traditave të lashta shqiptare. Kështu filloi veprimtaria e ethëshme për me organizue forcat kryengritëse dhe problemi kryesor ishte paisja me armë e municione, që nuk kishin ku me i marrë e gjendëshin vetëm në raste sporadike.

Gjin Pjetri ndërkohë lidhet me orgnizue veprimet me gjithë lëvizjen kryengritëse kombëtare të krahinave të tjera të veriut, tue fillue prej Tirane, Durrës, Krujë, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Mirditë, Mat, Dibër, e deri në Kosovë. Ai bjen në kontakt direkt me krenët e mëdhej si Ded Gjo Lulin, Preng Bib Dodën, Bajram Currin, Isa Buletinin, Marka Gjonin, Mehmet Shpendin, Gjeto e Ded Coku, Dom Nikoll Kaçorrin, Luigj Gurakuqin, Shtjefën Gjeçovin, Murat e Abdi Toptanin, e të tjerë.

Me Preng Bib Dodën dhe Cokajt kishin lidhje të përbashkët në një organizim të koordinuem që përfshinte gjithë zonën kryengritëse, Kurbin-Krujë, Bregu i Matit, Malsia e Lezhës, Mirdita e Kthella.

Stema e Skurajve shek. XII  

Nga Kurbini me Gjin Pjetrit ishin bashkue luftëtarë e burra trima. Nga Miloti, Llesh Markakola me vllazen, Pjetër Koka, Zef Gega, Ram Dernishi, etj. Nga Malibardhë, Nikoll Ndre Bardhoku, Gjok Lesh Lala, etj. Nga Laçi, Llesh Pjetër Vathi, Frrok Tanushi, Mark Gjin Prendi, Nikoll Kol Mhilli, etj. Nga Zheja e Mamurësi, Pirolët, Met Hajsari, Bam Brahimi, etj. Prej Gallate, Pal Mhilli. Prej Kruje, Kullajt, Tagajt, Kupajt, etj. Prej Bukgëri, Mark Perzefi, Nikoll Ndue Prendi, Fushajt etj.

Përfshihën 54 pleqtë e Kurbinit e të semtit të Krujës që e njihnin Gjin Pjetrin si kryetar. Pëmedëm disa emna, sepse, radha e tyne asht mjaft e gjatë, të gjithë të meritueshëm për nder e respekt, si luftëtarë të lirisë, që i dhanë hov kryengrtjës së Kurbinit nën udhëheqjën e Gjin Pjetrit. Ndërkohë nuk mund të mos përmendim njerëzit e afërt të tij, siç ishin vllaznit Gjokë, Kolë e Ndrecë, si dhe kushërijtë, Frrok Prend Marku, Nikoll Llesh Gjoka, Gjergj Llesh Marku, etj.,luftëtarë të rreptë, pjesmarrës në gjithë luftimet.

U paraqit rasti ma ideal për çeshtjën e armëve që koincidonte me shpërthimin e kryengritjës në të gjithë krahinat e veriut. Gjin Pjetrit i vjen lajmi se një karvan me mushka te ngarkueme me armë e municione dhe me rrogat e garnizonëve të veriut drejtohej me kalue te vau i Pdhanës. Karvani përbahej prej 100 nizamë, e disa oficerë me në krye një veqilharxh (major). Informata ishte shume e sakte, si për kohën ashtu për vendin ku do të kalonte detashmenti, sepse i vinte nga dy vllaznit e tij Ndreca e Gjoka, të futun kastile si zapti për të marrë vesh planet e turqëve, qe me disa shqiptare të tjerë shoqnonin atë karvan.

Gjin Pjetri u dërgon fjalë Bregamatësve, të cilët vijnë me forca të prime prej Gjeto Cokut. Prita bahet e përsosën. Zaptitë shoqëruese shqiptare, sa kërset pushka, hidhën n’anët tjetër të pritës tue lidhun nga një shami të verdhë në krah ose në kokë, siç ishte vendosë ma përpara, për t’u njohun prej shokëve të pritës, që të mos vritëshin midis tyne. Detashmenti turk i kapun ndërmjet dy zjarrëve u asgjësue krejt.

Nuk shpëtoi as një nizam as oficer, as vetë veqilharxhi. Prej shqiptarve mbeti i vramë vetëm një malësor, e pati disa të plagosun. Një dëshmi e randësishme për me përcaktue se si e zhvillonin lufën popullore shqiptarët, ku anmiku pësonte humbje të mëdha kurse shqiptarët pothuaj se fare, aq te pakta ishin humbjet. Në rastin konkret, në të gjithë luftimet e përballueme prej kryengritësve nën udhëheqjën e Gjin Pjetrit, proporcioni del për një shqiptar 100 e ma tepër turq. Ashtu si në kohën e betejave të Gjergj Kastriotit.

Armët që ranë në dorë të kryengritësve i dhanë force të madhe lëvizjës. Ndërsa kryeshin këto luftime, të kryengritësve të Kurbinit, Krujës e Lezhës, që shkaktuen dhe premjen e furnizimëve për ushtrinë turke të zonave të veriut, në Malsinë e Madhe plasi kryengritja e Ded Gjo Lulit, që përfundoi me ngritjën e flamurit në Deçiç. E gjithë Mirdita ishte çu në kambë e nuk u lente derman garnizonëve të Stambollit.

Me me në krye Preng Bib Dodën dhe Marka Gjonin, kapidanin e Mirditës, Bajram Curri, Isa Buletini, Idriz Seferi, Azem e Shotë Galica, e të tjerë kryengritës kosovarë banin kërdinë mbi taborret turke. Kryengritja e madhe kishte fillue kudo në shkallë kombëtare, si në veri ashtu në jug. Historiani i shquem Zef Valentini do të shkruente se ishte Kryengritja e Kurbinit e udhëhequn prej Gjin Pjetrit që i dha shkëndinë kryengritjës së përgjithshme shqiptare. Te vjen keq qe historianet tanë nuk kanë qenë të zot të evidentojnë këtë të mjaft i shquem.

Disfata e Bëdhanës i tërboi turqit, të cilët vendosën me sulmue drejt në Skuraj, për me asgjësue çerdhën e kësaj kryengritje, që po u shkaktonte aq dame, dhe me muejt me zanë ose me vra kreun e saj Gjin Pjetrin. Por te përroi i Urdhazës, në të hymë të Skurajt, ushtria turke,megjithse e paijsun me artileri, u bllokue dhe u gozhdue në vend prej qëndresës heroike, të vendosun e të organizueme të forcave kryengritëse të drejtueme prej Gjin Pjetrit.

Kështu shprehet kanga popullore:

“Shkon Urdhaza kuq me gjak,
Kuq me gjak,me gjak nizami,
Luftë po ban Gjin Kapidani!”

Dhe në të vërtetë u ba luftë e rreptë. Gjama e artilleries ushtonte e jehonte nëpër grykat e maleve të Skënderbeut,aq e fuqishme,sa që turqit, thotë gojdhana,menduen mos vallë dhe kryengritësit të kishin topa.

Turqit tue mos ia dale me fitue betejën dhe me shpartallue forcat shqiptare,me anën e disa tradhëtarve vendas (që mjerisht dalin përherë), arrijnë të fusin një togë ushtarësh nëpër tymin e e luftimëve, të cilët ia dalin të djegin kullat e Gjin Pjetrit. Ky nuk u shqetsue fare për atë pabesi, por i nxiti luftëtarët me luftue edhe ma rreptë, pse kullat ndërtiohëshin përsëri, e nuk ishte hera e pare që digjësin prej turqëve. Ushtarakisht turqit pesuen disfatë dhe u tërhoqën me humbje të mëdha.

Mbas kësaj fitorëje të bujshme,të gjithë krahinat prej Lezhës deri në Krujë ishin nën kontrollin e luftëtarve të lirisë,dhe Gjin Pjetri kishte vendosë postat me çeta e toga kryengritësish,gjatë rrugës,nëpër shtëpijat e fshatarve patriotë.

Po afrohej dita e madhe e historisë së Shqipnisë. Gjin Pjetri merr lajmin me shkrim drejt prej Ismail Qemalit, dhe po atë ditë, me 28 nëndor 1912 edhe në Milot ngrihet flamuri kuq e zi me zhgabën dykrenare i Gjergj Kastriotit, i përshendetun prej gjashtës së karadakut te Gjinit dhe qindra të shtënave të burrave luftëtarë kurbinas të pranishëm. Këto pushkë jehuen në të gjithë vendin, dhe u shoqnuen prej të shtënave të tjera që vinin prej postave të kryengritësve. E veçantë ajo e vendosun në shtëpinë e Shafloqit në Laç, ku komandant ishte miku i Gjin Pjetrit dhe luftëtari i shquem Nikoll Ndre Bardhoku.

Kështu në vija të përgjithshme upërshkruem ngjarjet kryesore lidhun me emnin e Gjin Pjetrit Mark Pervizit të Skurajve, i cili nuk rrahu gjoksin as pretëndoi privilegje por u kthye me u marrë me rindërtimin e kullave. Ndërkaq tue qenë se garnizonet turke po tërhiqëshin nga të gjithë qytetet, me 6 dhejtor 1912, Gjin Pjetri me shumë burra kurbinas mori pjesë në ngritjën e flamurit në Lezhë, ku edhe aty u ba festë e madhe.

Dy vjet sa kishin kalue e papritmas hapet lajmi i vdekjës së parakohëshme të Gjin Pjetrit, ne atë fruer të zi 1914, që shtangu gjithë krahinat e qytetët. Ç’kishte ndodhun? Gjin Pjetri sa ishte kthye nga një gosti festive dhe kishte ndërrue jetë befasisht. U hap lajmi i helmatisjës me tradhëti prej turqëve, për hakmarrje ndaj luftës që ai u bani duke I pri kryengritjës së Kurbin-Krujës. U ba mort i madh që zgjati disa ditë e ku erdhën patriotë nga të gjithë anët me ba ngushullimet e tyne e me e perciellë në udhëtimin e fundit atë patriot fisnik, trim, bujar e udhheqës i madh popullor.

Kryengritja e Kurbinit patjetër se ka me zanë vendin e nderit në historinë shqiptare, tue pasë parasyshë se nën diktaturën komuniste ajo nuk u përmend sepse historianët konformistë e batakçi të regjimit totalitar nuk guxonin ta permendnin emnin e Gjin Pjetër Mark Pervizit e jo ma ta radhisnin në histori apo në fjalorin e tyne enciklopedik. Aq randë peshonte emnin i këtij fisi fisnik prej përsonazhit tjetër të lavdishëm që kishte nxierrë ajo derë, siç ishte nipi i Gjin Pjetrit, Gjenerali Prenk Pervizi, që iu kundëvue komunistëve të cilët kishin perqafue e përçonin politikën sllave me lidhjet me Jugosllavinë e Rusinë të cilave u ishin nënshtrue e shitun për me zanë kolltuqet e përgjakuna me krimet te llahtarshme., e me heq dorë prej Kosovës.

Me rastin e 25 vjetorit të shpalljës së Pamvarësisë,që u festue me madhështi në gjithë vendin,Gjin Pjetri u dekorue dhe në Milot u ba ceremonia e perkujtimit të ngritjës së flamurit, ku Gjin Pjetri përfaqësohej prej nipit tij Ndue Pal Gjini, i cili bani aktin e ngritjës së flamurit e mbajti një fjalim, duke përshendetun me gjashtën e karadakut të Gjin Pjetrit, pasue nga të shtënat e atyne burrave luftetëtarë të Kurbini që kishin luftue krah Gjin Pjetrit e ku u këndue nga rapsodet milotas një kangë e thurun për atë udhëheqës të madh. Ironia e fatit nuk te fal, dhe ai nip i Gjinit, u vra nga xhelatët komunistë bashkë me dy vllaznit dhe pesë kushërij të tjerë.

Ky ishte shpërblimi makabër i dikataurës komuniste ndaj atyne që punuen e luftuen për çeshtjën e shejtë kombëtare. Gjithë fisi i Gjin Pjetrit u persektue e u syrgjynos ne burgje e kampe,dhe asnjë prej tyne nuk pranoi të bahkohet as ti shërbejë sistemit komunist. Një qëndrim i përveçëm në shkallë kombëtare, sepse fise e familje te tjera u nakatosën me regjimin e partinë sunduese, jo për bindje por për t’trë shëtue familjet e tyne prej përsekutimit.

Ndërsa në “Hyllin e Dritës” e organe të tjera të kohës, filluen me u botue shkrime të ndryshme, me pushtimin e Italisë dhe ardhjën e komunizmit u pezulluen të gjithë përpjekjet për nxierrjën në pah të këtij atdhetari e luftëtari që hyn në radhën e rilindasve të shquem.

Shumë dokumentë që i perkisnin fisit e veçanërish Gjin Pjetrit, u damtuen prej djegieve dhe rrënimeve të herpas-hershme që arritën kulmin me sulmet e brigatave komuniste. Këta injorantë e pa kurrfarë ndjenje shqiptarizmi, i hodhën në zjarr me përçmin e fodullek, të gjithë shkrimet, dokumentët, fotografitë etj., tue u vue flakën shtepijave të Pervizit, qyshë prej Laçit e deri në Skuraj, ku për të tretën here radhazi kullat e Gjin Pjetrit pësuen zjarrin e pushtuesve dhe anmiqve të Kombit shqiptar, si ishin turqit e komunistët.

Këto vepra t’përçudshme mund të kryeshin vetëm prej psikopatëve e analfabetëve bolshevikë, që historinë e Shqipnisë donin me e fillue me hypjen në fuqi të komunistëve stalinistë. Ç’do gja që i refërohej historisë se kalueme nuk kishte asnjë vlerë për ta.

Fat që shumë patriot nuk ishin gjallë, pse do të kishin përfundue para togës pushkatimit dhe ne burgje ku do të kishin lane kockat. Figura patriotike si Lef Nosi, At Anton Harapi, Bab Dud Karbunara, etj. rilindas, u pushkatuen pa të keq. Bashkëluftetari e miku i Gjin Pjetrit, Nikoll Ndreu, vdiq 90 vjeç në burg. Të tjerë bashkluftëtarë si Pal Mhilli e Ded Coku u pushkatuen. E sa e sa të tjerë përfunduen kështu, që ishin njerëz të ndërshëm e atdhetarë!

Dhamë shkurtimisht një përmbledhje të ngjarjeve kryesore që shoqnuen jetën e Gjin Pjetrit, patriotit, luftëtarit, rilindasit të shquem, që gjithë jetën ia kushtoi çeshtjës së shejtë të Atdheut dhe të Kombit.

Mbetët me ia kushtue në t’ardhmen një studim të plotë e të denjë, që të vlerësojë dhe të vendosë mbi pjedistalin e meritueshëm figurën e tij, të skalitun nga dalta e mprehtë e historisë.


(Kjo shtëpi ishte bombardue edhe prej gjermanëve. Regjimi komunist e kthej në një qendër izolimi për kosovarët, që iknin nga Jugosllavia me gjet shpëtim në Shqipni, ku gjenin burgjet e kampet e internimit)

Si u soll regjimi komunist me fisin e familjen e Gjin Pjetrit ? Së parii u dogji shtëpitë kullat në Laç e Skuraj, pastaj i persekutoi egërsisht, duke vra, burgosë i internue. Gjin Pjetrit ia vranë e pushkatuen 8 nipa, dy i vdiqën në burgje, e katër gra e dy fëmijë të nipave në internim. Gjithsej 18 viktima. Vitet e denimeve, burgje e internime, te pjestarëve arrijnë ne 750 vjet. Ky ishte shpërblimi i diktaturës komuniste ndaj këtj patrioti e rilindasi e luftëtari të shquem.

Shtëpia e Prenk Pervizt në Laç që u dogj prej komunistëve në tetor 1944. Me 17 janar 1945, komunistët do të digjnin kullat e Gjin Pjetrit në Skuraj, që ishin djegë dy here rresht edhe prej turqëve, e ku njena prej tre kullave ishte e Prenk Pervizit.