Dosjet e Berishës

0
38

Analiza, NGA ARDIAN NDRECA, 18 Qershor 2013

Gjithnji Berisha, ai mefistofeliku që ka përdorë armën e dosjeve me cinizëm dhe pragmatizëm të pashoq. Prej kësaj arme ai ka nxjerrë në gjithë këto vite ma shumë përfitime se prej gjithë armëve tjera, përfshi ato të arsenalit të kohës së komunizmit. Nji tufë e dukshme dhe e padukshme skllevnish i kanë shërbye dhe vijojnë me i shërbye tue u nisë prej atyne dosjeve, nji pjesë tjetër i ka largue dhe i trembë me hijet e tyne, do tjerë i mban në distancë dhe i urdhnon me lehë simbas oreksit të tij.

Padyshim që hapja e atyne dosjeve do ta kishte ndihmue dekomunistizimin e vendit dhe paradoksalisht do t’i kishte çlirue të gjithë ata që e kanë mizën nën kësulë për shkak të atyne pakteve të dikurshme të diktueme prej frikës, ligësisë, vokacionit personal, dobësisë etj.

Hapja e dosjeve do të ishte dita e çlirimit e shumë analistave, oborrtarëve, lolove, shërbyesve me hir e me pahir të Berishës dhe estradës së profesionistave të rrenës që i shkon mbrapa tue u jargavitë me gajde e me curle. Ka pasë prej atyne, shumë pak vetë, që menjiherë deklaruen se kishin qenë bashkëpuntorë të Sigurimit, tue u përpjekë me sqarue edhe rrethanat e rekrutimin të tyne, këta kanë vijue me jetue ma të lirë se përpara.

“E vërteta ka me ju çlirue”, thonte dikush para dymijë vjetësh, por me sa duket asnji forcë politike deri më sot tek ne nuk e ka dashtë aq shumë të vërtetën sa me kërkue me ngulm hapjen e dosjeve. Gjithsesi, çështja e dosjeve të bashkëpuntorëve të Sigurimit asht vetëm çështje kohet, prandaj çdo shërbim dhe çdo sakrifice e bame për hir të tyne nji ditë do të dalin hurq.

Por koha ban të vetën dhe dosjet e periudhës së komunizmit përditë e ma shumë po kthehet në nji problem historik, i cili, shpresojmë që nji të nesërme ka me u zgjidhë simbas modelit legjislativ gjerman apo hungarez. Sot problemi kryesor janë dosjet e krijueme në këto vitet e fundit. Bahet fjalë për dosje vjedhjesh, vrasjesh, mashtrimesh, korrupsioni, falsifikimesh, dhunimesh, shpërdorimesh, kontrabande etj. etj.

Këto dosje, aktorët e të cilave janë gjallë e madje aktivë në politikë dhe në biznes, kanë mbetë larg vemendjes së drejtësisë për shkak të kursit antiligjor të sistemit tonë. Këto janë dosjet që tashma duhet të lanë pa gjumë shumëkend, në qoftë se edhe për nji çast të vetëm do të mendojmë mundësinë reale të krijimit të nji Shteti të vërtetë ligjor në Shqipni.

Berisha mund të ketë zhdukë dosjet e vjetra, por këto të rejat kurrsesi, pse dëshmitarët janë gjallë dhe nesër kur të hapet vazoja e Pandorës, këta, për arsye parimore apo thjesht veniale, do të nisin me folë. Thyemja e Mefistofelit të politikës shqiptare në zgjedhjet e 23 qershorit do t’u shërbejë shqiptarëve për me çlirue ndërgjegjen prej kulturës së rrenës dhe për me iu afrue së vërtetës.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)