Dosja, shteti që mbahet peng nga Shkëlzen Berisha dhe Rrahman Selmanllari

0
222

Nga Tema

Gazeta “TemA” riboton sot disa nga shkrimet e saj në lidhje me mikun e ngushtë të Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllarit. Ky i fundit, falë ndikimit të Shkëlzenit dhe babait të tij, ka ngritur një rrjet trafiku që ka kapur shtetin. Materialet e mëposhtme tregojnë se si është dorëzuar Berisha përpara një trafikanti që dirigjon emërimet në detyra të rëndësishme në shtet, që ka pronësinë mbi fabrikën e vdekjes në Gërdec, që drejton trafiqet e armëve në vend dhe që së fundmi i është sulur pronave, kryesisht në bregdet

Kunati i Selmanllarit drejtonte grupin ‘hije’ të trafikut në Gërdec

tema.al

14.05.2009

Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, është një nga pronarët e Fabrikës së Vdekjes në Gërdec.

Dëshmia e tij në prokurori rrëzohet nga provat e sekuestruara nga organi i akuzës, që faktojnë se pas firmës amerikane, “Southern Ammunition”, qëndronte vetë Rrahman Selmanllari.

“Nuk jam angazhuar në ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec”, – deklaron në dëshminë e tij Selmanllari. Por një autorizim i datës 30 prill 2007, rrëzon të gjithë dëshminë e Selmanllarit që duhet thënë se është e mbushur me gënjeshtra. E vetmja e vërtetë është që ai është mik i ngushtë me djalin e kryeministrit Berisha.

“Unë e njoh shtetasin Shkëlzen Berisha. Kemi lidhje shoqërore për më tepër se dhjetë vjet. Kur është në Shqipëri, takohemi shpesh me njëri-tjetrin”, – deklaron Selmanllari.

Në autorizimin e SAC thuhet se do jetë Selmanllari që në emër të kompanisë amerikane do nënshkruajë marrëveshjet me Ministrinë e Mbrojtjes për ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec, Vorë.

Por dëshmia e tij bëhet akoma më e rëndë, kur asaj i shtohet dëshmia e një grupi punonjësish, të njohur si grupi “hije”, që vepronte në turnin e tretë në Gërdec, dhe që merrej me organizimin e municioneve.

Njerëz të afërm të Selmanllarit ishin pjesë e këtij grupi dhe dëshmitë e tyre janë të mbushura me kundërshti dhe gënjeshtra. Por prokuroria nuk ka hetuar më tej për këtë grup, që në fakt përfaqëson krahun e Selmanllarit në pronën e tij.

Grupi hije i Selmanllarit

Bëhet fjalë për shtetasit Seran Maçi, Nazmi Isufaj, Haxhi Mara, Kledian Qefaliaj, Benard Kaçaça, Shpëtim Kaçaça dhe baxhanaku i kryeministrit, Muhamet Hoxha. Të gjithë të afërm, kunetër, krushq e miq të Selmanllarit punonin turni i tretë, nuk përziheshin me punonjësit e “AlbaDemil”, nuk merrnin paga përmes borderove, por bënin pjesën e punës për pasurimin me anë të trafikut në këtë punishte.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari e njoh prej vitesh, pasi vëllai im, Pasha Maçi, ka marrë për grua motrën e këtij shtetasi, Kujtesën”, – deklaron në dëshminë e tij Seran Maçi.

Ndërsa Nazmi Isufaj deklaron se Selmanllari është kunati i tij.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari e njoh, pasi ai është kunati im (vëllai i gruas), me këtë shtetas njihem prej vitesh dhe nuk kam dijeni për aktivitetin privat që ushtron. Me Rrahmanin kam gati dy vjet që nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar me telefon”, – thuhet në dëshminë e tij.

Më pas i gjithë grupi plotësohet përmes njohjeve.

“Babai im është shok me shtetasin Seran Maçi, i cili ka punuar si magazinier i ndërmarrjes MEICO në Gërdec. Serani i ka thënë babait tim që unë të shkoja në Vorë, ku punonte vetë Serani, pasi ekzistonte një mundësi që unë të punoja aty ku punonte Serani”, – deklaron Kledian Qefaliaj.

Selmanllari, pronari i Gërdecit

E thonë punëtorët e grupit “hije”, që ishin marrë nga vetë ai, nën kujdesin e kunatit të tij.

“Nuk kam vizituar asnjëherë reparte ushtarake, përfshi këtu Gërdecin”, – thotë Selmanllari në dëshminë e tij.

Por punëtorët thonë të kundërtën.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari nuk e njoh fizikisht, por për të kam dëgjuar se ai ishte njëri nga bashkëpronarët e fabrikës në Gërdec. Gjithashtu, krahas tij di që pronar ishte Mihal Delijorgji, Davidi, shtetas amerikan dhe Ylli Pinari si drejtor i MEICO-s.

Dua të sqaroj se unë punoja gjithmonë turni i tretë dhe gjatë kohës së punës nuk e kam parë ndonjëherë shtetasin Rrahman Selmanllari, por gjatë punës kam dëgjuar se ky shtetas kishte ardhur në fabrikë paradite me makinën e tij “Benz ML”, – thotë Qefaliaj në dëshminë e tij.

Po kështu, në repart shkonte shpesh Mihal Delijorgji. Këtë e konfirmon dhe Seran Maçi. “Në repart vinte shpesh shtetasi Mihal Delijorgji, për të cilin thoshin se është presidenti i firmës së demontimit”, – thotë ai.

Trafiku

Grupi “hije” i Selmanllarit kujdesej gjatë gjithë natës për pjesën e trafikut me këtë pasuri që mbërrinte aty. Ata ishin të pavarur në punën e tyre, madje shpesh mund të kishin dhe përplasje me përfaqësuesit e “AlbaDemil”.

E gjithë ngarkesa e këtyre kamionëve që vinte aty, numërohej nga grupi i Selmanllarit, dhe në rast se do të kishte municione çeliku, ata ktheheshin pas, sepse interesi ishte te tunxhi.

“Di që në dy-tri raste kam kthyer mbrapsht kamionë që kanë ardhur nga Qafë-Molla, me municione me gëzhojë çeliku, d.m.th., që interesi i firmës ishte te gëzhojat e tunxhit”, – thotë Seran Maçi në dëshminë e tij.

Ndërsa Kledian Qefaliaj konfirmon pistën e trafikut duke deklaruar se predhat hynin ashtu dhe dilnin si gëzhoja e barut që ngarkoheshin në makina të Holandës.

“Realisht, ne si grup apo dhe unë si individ nuk kisha asnjë lloj varësie nga Dritan Minxolli apo dhe nga Mihal Delijorgji.

I vetmi kontakt që ne kishim ishte në përcaktimin e llojit të metalit që ishte municion, pra, nëse ishte çelik, duhej të kthehej mbrapsht, nëse ishte tunxh duhej të vazhdonte numërimi dhe shkarkimi.

Endri Dvorani na ndihmonte të mos kishim konflikte me Dritan Minxollin.

Gjatë kontratës së parë unë kam punuar një muaj paradite dhe më pas deri ditën e ngjarjes kam punuar vetëm natën. Sa për kontratën e dytë, aty kanë hyrë shtimje, ose predha dhe kanë dalë gëzhoja dhe barut, i cili është marrë nga makina të Holandës”, – deklaron Qefaliaj.

Roli i baxhanakut të kryeministrit

Që Muhamet Hoxha, baxhanak i kryeministrit, Sali Berisha, ishte i privilegjuar, kjo nuk do mend. Ai mbërriti në këtë punë gjatë kontratës së dytë dhe u bë pjesë e grupit të Selmanllarit, mikut të ngushtë të Shkëlzen Berishës.

Duket se ai nuk bënte punën që thotë familja kryeministrore, atë të ngarkimit të arkave, por thjesht të numërimit, madje, siç thonë punëtorët e tjerë të grupit të Selmanllarit, edhe këtë gjë e bënte me përtesë.

“Debat i madh është hapur, kur ka ardhur në punë i ndjeri Muhamet Hoxha, për të cilin Haxhiu dhe Nazmiu debatonin, sepse ai nuk hipte në makinë për të numëruar municionet”, – thotë në dëshminë e tij Qefaliaj.

Personi misterioz në takimin me Diverolin ishte Rrahman Selmanllari

tema.al

27.05.2009

Personi misterioz në takimin e zhvilluar mes Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe Efraim Diverolit e Aleks Pobrickit, është Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, Sali Berisha.

Kjo zbulohet nga i ndjeri Kosta Trebicka, gjatë një e-mail-i dërguar mikut të tij, Geri Kokalari. Ky i fundit e ka publikuar këtë e-mail për të zbardhur këtë enigmë. Sipas Kokalarit, Kosta i ka dërguar atij një e-mail me një adresë krejt të ndryshme, ku i bën të ditur këtë fakt. Kokalari shton se Kosta e ka ndryshuar e-mail-in, për shkak se kishte frikë se ai mund të përgjohej dhe publikimi i emrit të Selmanllarit është delikat, për shkak se ai është një person shumë i rrezikshëm.

Për këtë takim ishte thënë se Shkëlzen Berisha ishte i pranishëm. Të paktën kështu ishte prezantuar personi i pestë përballë dy amerikanëve. Në fakt, ka qenë miku i tij, Rrahman Selmanllari.

Trebicka ia dërgoi këtë e-mail Kokalarit duke i kërkuar që këto të dhëna t’ia jepte Departamentit të Drejtësisë për të hetuar.

Trebicka nisi një biznes ripaketimi të fishekëve me firmën AEY. Ai ishte i pari që zbardhi aferën e EVDIN LTD, një kompani fantazmë që futej si seksere mes MEICO dhe AEY për të ngritur çmimin e fishekëve.

Sipas një shkrese që boton sot gazeta “TemA”, shihet se pikërisht në fillim të prillit, kur dhe Trebicka u takua me amerikanët për të lidhur kontratën, në zyrat e MEICO-s, mbërrin kërkesa e EVDIN LTD për të blerë fishekë, duke bërë që gjithçka të duket e koordinuar mjaft mirë.

Trebicka u spostua më pas nga biznesi i tij nga grupi Delijorgji-Selmanllari, që kishin dhe mbrojtjen e birit të Berishës.

Berisha duhet të përgjigjet kush e emëroi trafikantin e drogës shofer ambasade

tema.al

26.08.2008

Shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, arrestuar si trafikant droge, është emëruar një vit e ca më parë në shërbimin diplomatik jashtë kritereve normale. Arsen Selmanllari, i kapur me një kilogram drogë në makinën me targa diplomatike të shtetit shqiptar, rezulton nga hetimet tona të jetë një nip i një biznesmeni që ka një kafe në “Bllok” të quajtur “Fiesta”. Ky person është po ashtu një nga miqtë më të ngushtë të Shkëlzen Berishës, madje vëllai i tij jo-biologjik. Por, ndërsa ne po hetonim për mënyrën se si është rekrutuar ky shofer në shërbimin diplomatik, ia behu deklarata e fortë e Bogdanit, e cila thotë. “Sot, në fletushkën e tij personale një tender-lëpirës dhe gjobëvënës i njohur si ushtari i mirë i Ruçit, boton trillimin e radhës, sipas të cilit shoferi i kapur nga autoritetet italiane me drogë, qenka sugjeruar nga familjarë të Berishës. Asnjë familjar apo i afërt i kryeministrit nuk ka sugjeruar apo propozuar ndonjëherë këtë person apo persona të tjerë për punësim nëpër ambasada. Me trillimet dhe mashtrimet e tij të përditshme, ai vetëm vjell mbi vete vrerin, se me këtë qeveri nuk pret dot më gjoba dhe nuk fiton tenderë me shpifjet dhe trillimet që boton në fletushkën e tij.”

Reagimi ishte shumë interesant, se është shkruar direkt nga Berisha dhe ka një tërbim të paparë për një gjë që është shumë publike. Rrahmani, pronar i kafe “Fiestës”, është vërtet mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës dhe këtë Sali Berisha nuk mund ta mohojë. Ajo që ai ka të drejtë, është nëse shoferi ka përdorur autoritetin e Rrahmanit për t’u emëruar në shërbimin diplomatik apo autoritetin e Shkëlzenit. Ne besojmë atë që thotë zoti Berisha, edhe pse shumë i nxehur dhe jashtë kontrollit, kur përpiqet të japë dhe përgjigje shumë të thjeshta. Ne jemi të gatshëm të besojmë se ai që ka ndikuar në emërim, nuk është Shkëlzeni, djali i tij, por emërimi është bërë falë autoritetit dhe ndikimit që ka në Ministrinë e Jashtme shoku i tij.

Dhe për këtë pastaj duhet të pyesim se kush është ky biznesmen që ka aq shumë fuqi, sa të emërojë një shofer në shërbimin diplomatik. Po ashtu, kemi rast të shikojmë, nëse emërimi është politik, për shkak të kontributeve të tij personale, nepotik, për shkak të lidhjeve të tij familjare apo i merituar, për shkak të cilësive të veçanta të këtij punonjësi të diplomacisë sonë. Zoti Berisha është i lirë të na i shpjegojë këto qetësisht, pa u nxehur, pa e humbur logjikën dhe pa na kërcënuar. Ne, për fat, e njohim dhe atë, dhe Shkëlzenin, dhe pronarin e “Fiestës”, dhe nuk kemi ndonjë mëdyshje ç’ka ndodhur. Nuk njihnim vetëm këtë shoferin, por këtë e njohëm si trafikant droge. Nëse Berisha mendon se mund të na trembë duke na mbyllur gojën, duke na futur në konflikt me kartelet e mbetura të drogës në Tiranë, i ka bërë llogaritë gabim. Edhe pse s’kemi makinë të blinduar, siç ka patur ai, dhe pse nuk kemi miq, siç ka patur ai, që të na dhurojnë një të tillë, ne kemi me vete të vërtetën që na mbron shumë herë më shumë se mjetet me të cilat mbrohen trafikantët nga njëri-tjetri. Dhe e vërteta është në mes të diellit. Trafikanti është njeri i afërt i një biznesmeni, shoku më i ngushtë i djalit të tij. Mund të mos ketë asnjë ndikim djali i tij në këtë emërim, por pyetja më e rëndë është: Ku e gjeti fuqinë shoku i djalit të tij për të bërë emërime të tilla?

Për këtë i lutemi të përgjigjet qetësisht, se tërbimi me të cilin përgjigjet, e bën shumë pak të besueshëm. I kërkojmë të jetë i qetë, se nuk është kapur me drogë shoferi i gazetës “TemA”, por shoferi i shtetit shqiptar, me targat simbol të shtetit shqiptar, në krye të të cilit është zoti Berisha.

Si e kontrollon miku i Shkëlzen Berishës Ministrinë e Jashtme

tema.al

28.08.2008

Familjes Selmanllari prej disa kohësh nga dega e mobilizimit e Ministrisë së Mbrojtjes i mbërrin rregullisht kërkesa për të dërguar të birin për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Por Arseni adoleshent tashmë ka një detyrë tjetër. Ai ndodhet larg Shqipërisë, për të bërë as më shumë e as më pak, por detyrën e shoferit të ambasadës sonë në Romë. I ka mjaftuar thjesht aftësia për t’i dhënë makinës dhe është katapultuar nga xhaxhai dhe miqtë e tij në detyrën e rëndësishme. Në duart e tij është timoni i një makine që mbart një simbolikë dhe vlerë të jashtëzakonshme, e në bagazh mbart diçka tjetër.

Shkollimi dhe punësimi

Në redaksinë e gazetës “TemA”, reagimet për këtë ngjarje të turpshme për shtetin tonë janë të shumta. Mes tyre, një zyrtar lokal, në njësinë që drejtohet nga të djathtët prej shumë kohësh, i revoltuar na fton të jemi dëshmitarë të çudisë. Arseni nuk ka mbaruar ushtrinë, në dyert e tij trokasin rregullisht ata të mobilizimit.

Por, nëse nuk ka realizuar këtë kusht për të qenë i punësuar në ambasadë, ai sigurisht s’ka patur kurrë shans të realizojë kushtin tjetër, atë të vjetërsisë në punë. Çunaku Selmanllari nuk ka shumë që ka dalë nga bankat e shkollës. Jo sepse është 18 apo 19 vjeç, por banorët saktësojnë se për të mbaruar shkollën e mesme i janë dashur nja dy vite më shumë se moshatarët e tij. Ndoshta pasioni për makinën e ka lënë pas.

Por Arseni tashmë ka mbushur 23 vjeç duke u endur rrugëve të Italisë me makinën e ambasadës, të cilën ndonjëherë e merr dhe pa leje, siç dhe na pohon ambasada jonë, e cila nxiton të shfajësohet se ai nuk është shofer i parë, sikur radha të jetë kriteri përcaktues për peshën e skandalit. Edhe pse ka qenë 20 vjeç, kur ka marrë për herë të parë në dorë një makinë të rëndësishme për kombin e tij, asnjë diplomat shqiptar i atjeshëm nuk ka qenë gjendje të nuhasë, të paktën në mënyrë diplomatike, një njomëzak mes tyre.

E shoqja e Rafit

Duket se nuk ka pasur asnjë shans që mekanizmat vetërregullues brenda kësaj ministrie të kalojnë në sitë Arsenin. Kjo për shkak se e shoqja e xhaxhait të tij, Rrahman Selmanllarit, ka qenë e punësuar në auditin e kësaj ministrie. Kanë nisur punë në të njëjtën ditë në Ministrinë e Jashtme.

Rrjeti i të ashtuquajturit Rafi në këtë ministri ka qenë i kompletuar. Mbetej vetëm një gjë. Të ngarkoheshin bagazhet.