Dosja K.

0
48

Nga Enver Robelli

Asnjë vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk mund ta prapësojë pavarësinë e Kosovës. Megjithëkëtë, nga vendimi i gjyqtarëve do të varet shumë dinamika e njohjeve diplomatike të Republikës së Kosovës. Pse mendimet e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare sa i përket pavarësisë janë të ndara? Çfarë mendojnë për ligjshmërinë e pavarësisë profesorët Wolfgang Benedek nga Grazi, Christian Tomuschat nga Berlini dhe Robert Muharremi nga Prishtina?

Para 15 gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të martën do të gjendet Dosja K. Juristët nga vendet e ndryshme të botës në muajt e ardhshëm duhet t’i përgjigjen pyetjes interesante se, a ka qenë shpallja e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare? Të martën para gjyqtarëve së pari do të flasë një përfaqësues i Serbisë – prej orës 10:00 deri në orën 13:00. Pas një pauze në orën 15:00 do të nisë paraqitjen e tij përfaqësuesi i Kosovës, i cili do të flasë deri në darkë, në orën 18:00. Pra, të dyja palët do t’i kenë nga tri orë për të parashtruar argumentet e tyre. Në njoftimin e GJND mbi rendin e ditës Serbia përmendet me emër, ndërsa Kosova figuron si “autorët e deklaratës unilaterale të pavarësisë”. Ky trajtim i pabarabartë në aspektin terminologjik ka ndodhur, për shkak se Kosova nuk është anëtare e OKB. Pas prezantimit të argumenteve të të dyja palëve dëgjimet do të vazhdojnë të mërkurën, më 2 dhjetor, dhe do të përfundojnë të enjten më 10 dhjetor. Gjatë kësaj kohe në procesin dëgjimor do të marrin pjesë 29 vende, prej tyre 15 janë deklaruar pro pavarësisë, 14 kundër.

Sipas rendit alfabetik vendi i parë që do të mbrojë ligjshmërinë e pavarësisë do të jetë Shqipëria. Mes vendeve që po ashtu do të flasin në favor të pavarësisë janë edhe SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Arabia Saudite etj. Bie në sy se njëri prej vendeve që është angazhuar fuqishëm për pavarësinë e Kosovës, Zvicra, nuk do të argumentojë pro pavarësisë gjatë seancave dëgjimore. Zvicra vetëm ka dorëzuar argumentet e saj me shkrim, gjë që e kanë bërë edhe shtetet e tjera, por ato e kanë parë të nevojshme që pavarësinë ta mbështesin edhe me paraqitje gojore para GJND.

Në krahun e Serbisë në Hagë do të qëndrojnë Rusia dhe Kina (dy vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB) si dhe vende të tjera si Venezuela dhe Vietnami.

Pas përfundimit të dëgjimeve gjyqtarët do të kenë kohë disa muaj për të marrë vendim në lidhje me pyetjen se, a ka qenë shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Pritet që vendimi të merret dhe të shpallet publikisht në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, me gjasë në prill ose maj.

Suksesi i Serbisë
Që në fillim duhet shpjeguar se vendimi i GJND do të jetë konsultativ, pra nuk ka fuqi obligative. Serbia ka theksuar se do ta respektojë vendimin pa marrë parasysh se si do të jetë ai. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Serbia kishte paralajmëruar një betejë, jo vetëm diplomatike, por edhe juridike kundër shkëputjes së “krahinës jugore të Kosovës dhe Metohisë”. Në tetor të vitit 2008, vetëm 8 muaj pas shpalljes së pavarësisë, Serbia, pas një fushate intensive lobingu, arriti të bindë shumicën e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të miratojnë kërkesën e Beogradit që pavarësia e Kosovës të shqyrtohet juridikisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Pyetja e plotë që pala serbe i ka shtruar GJND është kjo: “A është në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes (në Kosovë, v. j.)?”

Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare ndajnë mendime të ndryshme për këtë çështje. Një pjesë thonë se Kosova nuk ka pasur të drejtë të shpallte pavarësinë pa pëlqimin e OKB dhe palëve të përfshira në konflikt, domethënë Serbisë dhe Kosovës. Këta ekspertë e vlerësojnë më lart sovranitetin shtetëror dhe paprekshmërinë e kufijve sesa të drejtën e popujve për vetëvendosje. Ata mendojnë se shkëputja e çfarëdo territori kundër vullnetit të shtetit “amë” vetëm mund të prodhojë tensione. Një interpretim i tillë dogmatik i së drejtës ndërkombëtare është i mundshëm, por shpeshherë nuk përkon me realitetin. E realiteti është se e drejta ndërkombëtare nuk është diçka statike, por zhvillohet me kalimin e viteve dhe përparimin e botës. Nëse para 50 vitesh të drejtat e njeriut nuk kanë qenë aq të rëndësishme, sot është ndryshe. Nëse para 20 apo 30 vjetësh një shtet diktatorial është lejuar të bëjë çfarë të dojë me pakicat kombëtare, përfshirë këtu edhe ushtrimin e terrorit, tani një gjë e tillë nuk është e mundshme.

Sjellja përjashtuese

Sovraniteti shtetëror nuk i lejon asnjë shteti të sillet me papërgjegjësi ndaj qytetarëve të tij, aq më tepër të ndjekë një politikë aktive të shfarosjes, siç ka vepruar Serbia në vitet ‘90 në Kosovë. Duke pasur parasysh këtë kapitull të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë një pjesë tjetër e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare hapur dhe pa dyshime deklarojnë se populli shumicë i Kosovës gëzon të drejtën e vetëvendosjes. Profesori austriak Wolfgang Benedek, i cili ligjëron të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Graz-it, mendon se zbatimi i së drejtës së vetëvendosjes mund të çojë në shkëputje të territorit, nëse më parë në këtë territor ose këto territore të drejtat e njeriut janë shtypur në atë mënyrë, saqë është e pamundshme një autonomi brenda shtetit të deritanishëm. Në rastin e Kosovës një situatë e tillë ekziston dhe s’mund të mohohet. Një argument i fuqishëm për përjashtimin e shqiptarëve nga sistemi politik ka qenë moslejimi i tyre të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë pas vendosjes së administratës së OKB në Kosovë.

Edhe pse dihet se shqiptarët do t’i kishin bojkotuar zgjedhjet, Serbia ka qenë e obliguar të mundësojë pjesëmarrjen e shqiptarëve, sepse asnjëherë nuk ka hequr dorë nga territori i Kosovës. Sjellja përjashtuese e Serbisë ndaj kosovarëve, ndërkaq, vetëm sa e shton vlerën e argumentit në favor të pavarësisë së Kosovës: Me politikën përjashtuese ndaj kosovarëve Beogradi në fakt ka treguar se është i interesuar vetëm për territor dhe jo për banorët që jetojnë aty. “Në Kosovë popullsia shqiptare nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në formimin e vullnetit politik dhe në qeveri”, – mendon Benedek.

Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare Christian Tomuschat nga Universiteti Humboldt i Berlinit mendon se shqiptarët e Kosovës kanë pasur të drejtë të shkëputen, sepse nga Serbia janë trajtuar jashtëzakonisht keq.

Weller, Benedek, Hardegen

Para fillimit të ballafaqimit juridik të martën të dy palët, Kosova dhe Serbia, kanë njoftuar se janë përgatitur mirë për të prezantuar qëndrimet e tyre. Mediet kosovare kanë bërë të ditur se dosja e Kosovës përmban 500 faqe, përfshirë edhe dokumentet shtesë. Gazetat në Beograd kanë shkruar se Serbia ka dorëzuar 1000 dokumente, prej të cilave 350 përmbajnë qëndrime juridike kundër pavarësisë së Kosovës. Autoritetet e Kosovës gjatë muajve të fundit kanë aplikuar një politikë të “informimit të bllokuar”. Dihet vetëm se ekipin e ekspertëve juridikë është duke e drejtuar britaniku Michael Wood, i cili është marrë me aspektet juridike të çështjes së Bosnjës dhe të Kosovës. Nga pala kosovare në procesin e përgatitjes së mbrojtjes së pavarësisë në Hagë kanë qenë të angazhuar edhe disa diplomatë të rinj, por roli i tyre ka qenë më shumë i “bartësve të ujit” sesa i ndikimit thelbësor. Kuzhinierët juridikë janë drejtuar nga Michael Wood.

Autoritetet kosovare në këtë proces nuk e kanë angazhuar ekspertin gjerman të së drejtës ndërkombëtare, Marc Weller, i cili ligjëron në Universitetin e Cambridge-it dhe është autor i një vepre standarde mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës (“Shtetësia e kontestuar”, botim i grupit “Koha”). Weller është i familjarizuar me çështjen e Kosovës prej më shumë se një dekade. Gjatë negociatave në Rambouillet ai ka qenë këshilltar i qeverisë në ekzil, e cila drejtohej nga kryeministri i atëhershëm Bujar Bukoshi. Përveç Marc Weller-it në ekipin mbrojtës të Kosovës mungojnë edhe profesorët Wolfgang Benedek (Graz, Austri) dhe Matthias Herdegen (Bonn, Gjermani). Këta ekspertë të së drejtës ndërkombëtare në dhjetë vjetët e fundit janë marrë intensivisht me studimin e përplasjes juridike mes recesionit (shkëputjes territoriale) dhe sovranitetit shtetëror (paprekshmërisë së kufijve).

Për dallim prej shumë kolegëve të tij që kishin kritikuar ashpër intervenimin e NATO-s kundër Serbisë për shkak të terrorit në Kosovë në vitin 1999 profesori Matthias Hardegen i kishte mbrojtur sulmet ajrore, duke thënë se ato janë në pajtim me pjesën më të madhe të mësimeve moderne mbi të drejtën ndërkombëtare, sepse intervenimi humanitar i NATO-s për mbrojtjen e të drejtave elementare të njeriut drejtohej kundër përndjekjeve gjenocidale të Serbisë. Sipas profesorit Hardegen e drejta ndërkombëtare qëmoti e ka vendosur mbrojtjen e dinjitetit të njeriut dhe jetës së njeriut në qendër të rendit të saj botëror dhe është shkëputur nga fiksimi në sovranitet.

Izolimi i Kosovës

Pala serbe nga GJND pret një vendim të favorshëm, domethënë kundër pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, i cili me gjasë për shkak të moshës së re shpesh nuk mund ta frenojë entuziazmin e tij arrogant, ka theksuar se “nuk ka shans” që GJND të deklarohet pozitivisht ndaj pavarësisë. Shpresa e zyrtarëve të Beogradit është se, nëse GJND e quan pavarësinë e Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, atëherë “Kosovën nuk do ta pranojë më asnjë shtet dhe ajo nuk do të mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare. (…) Atëherë do të ekzistojë një situatë me vetëm dy dalje: ose Kosova do të mbetet njëfarë gjysmështeti, ose do të fillojë negociatat me Beogradin” (Jeremiç).

Zyrtarë kosovarë, ndërkaq, kanë deklaruar se GJND nuk do të vendosë kundër lirisë së popujve. Se si do të vendosin gjykatësit tashmë është paralajmëruar nga vetë kryetari i GJND, juristi japonez Hisashi Ovade. Para disa ditësh ai ka thënë se mendimi këshillëdhënës i GJND nuk do të jetë eksplicit, pra nuk do jetë i qartë në favor apo kundër pavarësisë. Një gjë e tillë as që duhet pritur nga gjykata, e cila nuk ka asnjë interes që rastin e Kosovës ta shndërrojë në model kopjimi për popullsi të tjera në botë, të cilat kanë ambicie të shkëputen nga shtetet “amë”. Sidoqoftë, deklarata e kryetarit të GJND ka ngjallur reagime në Serbi. Tibor Varadi, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe njëri prej përfaqësuesve të Serbisë në kontestin me Bosnjën në GJND, ka thënë për gazetën “Politika” se “paraqitja e Hisashi Ovades është plotësisht e pazakonshme dhe për mua si jurist tronditëse”. Varadi, pjesëtar i pakicës hungareze në Vojvodinë, ka nënvizuar se, pa prezantimin e argumenteve, nuk mund të dihet se cili do të jetë qëndrimi i gjyqtarëve lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Faktet shtetërore

Lidhur me pritjet në Kosovë profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane Robert Muharremi thotë: “Në Kosovë pritet që GJND në ekspertizën e saj ta pranojë se pavarësia e Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Argumentet kosovare i referohen në përgjithësi të drejtës për vetëvendosje, sidomos të drejtës për mëvetësi të jashtme përmes shkëputjes nga Serbia dhe krijimin e një shtetit të ri dhe të pavarur. Pala kosovare argumenton se Serbia përmes diskriminimit sistematik, të planifikuar dhe të zbatuar nga shteti kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet ‘90, heqjes antikushtetuese të statusit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe për shkak të krimeve dhe spastrimeve etnike në vitet 1998/’99 e ka humbur çdo të drejtë pretenduese për të pasur sovraniteti mbi Kosovën, pasi Serbia si shtet me paramendim i ka shkelur obligimet thelbësore për mbrojtjen e qytetarëve të saj”.

Profesor Muharremi, i cili ka studiuar dhe doktoruar drejtësinë në Gjermani, përmend edhe një argument tjetër në favor të pavarësisë së Kosovës: “Që nga viti 1999 Serbia nuk disponon me pushtet shtetëror në Kosovë dhe në Kosovë me mbështetjen ndërkombëtare janë krijuar fakte të dukshme shtetërore, të cilat tani janë të pakthyeshme. Gjendja faktike e rendit shtetëror në Kosovë dhe humbja e çdo legjitimiteti të sundimit serb në Kosovë janë shtyllat bazike për argumentimin e shtetësisë së Kosovës”.

Çfarë pasoja mund të ketë për Kosovën, nëse GJND e quan shpalljen e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes si hap në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare? Profesor Muharremi, i cili ka qenë këshilltar i qeverive të kaluara të Kosovës, thotë se një vendim i tillë nuk do të ketë ndikime të drejtpërdrejta ndaj Republikës së Kosovës. Sipas tij, krijimi i shtetit në radhë të parë është proces faktik dhe jo juridik. “Shikuar nga aspekti politik kjo eventualisht mund të ngadalësojë njohjet diplomatike të Kosovës, por nuk mund t’i bllokojë në periudhën afatgjatë. E drejta ndërkombëtare është një rend juridik, në të cilin thelbin e përbëjnë faktet shtetërore. Nëse Kosova dëshmohet si shtet funksional, atëherë do të dominojnë aspektet e fakticitetit dhe herët apo vonë Kosovën do ta njohin edhe skeptikët e tanishëm”, – thekson Muharremi.

Sidoqoftë, Kosova të martën do të tërheqë vëmendjen e shumë popujve që angazhohen për pavarësi. Ose, siç shkroi revista “Economist” në numrin e fundit: “Kosova është një vend i vogël. Por më 1 dhjetor, kur do të fillojnë seancat dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të Kombeve të Bashkuara për ligjshmërinë e deklarimit të pavarësisë së saj më 2008 nga Serbia, njerëzit nga Katalonia deri në Tibet do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë. (…) Vendimi i GJND mund të ketë degëzime në mbarë botën”.