Doris Pack po na vë flakën për të tretën herë

0
89

Nga Korrieri, 18 Maj 2010

Ju kujtohen zgjedhjet e manipuluara të 1996-s, dhe suporti i zonjës Pack për Berishën, kurse nga ana tjetër sulmonte opozitën që rrihej barbarisht në shesh nga Gazidede e Agim Shehu. Ju kujtohet gjithashtu mbështetja fanatike e saj për Berishën në kohën e firmave piramidale, në prag të kolapsit të vendit.

Po më 1998-n, ju kujtohet kur për shkak të vrasjes së Azem Hajdarit vendi ishte në prag destabilizimi, ndërsa zonja Pack sulmonte opozitën (Berishën), gjë që e acaroi edhe më keq situaten, dhe pothuajse gjërat shkuan në kolaps.

Dhe së fundi, ju kujtohet e premtja e kaluar (14 maj) kur opozita do bënte mitingun në Tiranë, ndërsa vijonte tronditshëm greva e urisë, kur papritur shfaqet në mëngjes Doris Pack, dhe nëpërmjet një deklarate jo zyrtare, sulmoi opozitën me zhargon kafenesh, duke “i hedhur benzinë zjarrit”, gjë që nxiti mijra njerëz të vërshonin të indinjuar nga rrethet drejt Tiranës, në mitingun e opozitës, dhe nga ana tjetër, e bëri Berishën të marrë kot, e të akuzoj faktorin ndërkombëtarë si mashtrues.

Këndvështrimi i zonjës Pack në tre rastet e mësipërme ka qenë mëse fëminor, ndërkohë që në realitet ngjarjet morën tërësisht drejtim tjetër, në kontradiksion me sugjerimet e saj (zonjës Pack me ç’duket i mungon sensi për të observuar situatat në perspektivë). Kjo sepse ishte e rrezikshme të mbroje Berishën pas zgjedhjeve të manipuluara të 1996-s dhe kolapsit të firmave piramidale, – siç Pack bëri.

Sepse ishte absurditet të suportoje Nanon pas vrasjes së Azem Hajdarit, – siç Pack bëri. Sepse është e paarësyeshme të mbrosh Berishën pas zgjedhjeve të manipuluara të 28 qershorit, dhe insistimit të tij antidemokratik për të mbajtur pushtetin pa e fituar në zgjedhje, – siç Pack po bën.

Në dy rastet e para ndodhi e kundërta e predikimeve të saj, ku siç dihet Berisha në ’97 e Nano në ’98 ranë nga pushteti, që do të thotë se i njëjti preçendent me siguri do përsëritet edhe tani (duhet marrë e kundërta e asaj që predikon Pack për të zbuluar të vërtetën), por uroj pa dëm.