Dorëzohet arka bosh, borxhi publik arrin në 63. 3%

0
40

Borxhi i brendshëm, 2,7 miliardë lekë më shumë se parashikimi i buxhetit

Ornela Manjani, 03.09.2013

– Qeveria në ikje ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë e huamarrjes në tregun e brendshëm. Të dhënat e fundit fiskale nga Ministria e Financave tregojnë se niveli i huamarrjes arriti për 7-mujorin në vlerën 24,7 miliardë lekë, nga 22 miliardë lekë që ishte planifikuar për këtë periudhë. Sipas shifrave kufiri i përcaktuar, për nivelin e borxhit është me 2.7 miliardë lekë më shumë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar në masën 88.3 %. Borxhi publik ka prekur shifrën 63. 3 % të GDP-së. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar në 89.3 %. Po të krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton një rritje e huasë prej 10.7 miliardë lekë.

Kjo lidhet dhe me faktin se jemi në një vit zgjedhor dhe investimet publike kanë njohur rritje të dukshme. Këto fonde kanë shkuar kryesisht për shlyerjen e kompanive qe kanë kryer punë publike, por edhe për investime në projekte të reja. Nga ana tjetër borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare u rrit me rreth 5% gjatë tre muajve të parë të vitit 2013. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të Marsit borxhi i jashtëm i vendit arriti vlerën e 5.33 miliardë eurove. Sipas të njëjtave të dhëna, borxhi i qeverisë ndaj subjekteve jorezidente arriti në 2.28 miliardë euro, me një rritje 2.4% ndaj fundit të vitit të kaluar.

Të ardhurat

Për periudhën janar- korrik 2013, mosrealizimet e të ardhurat në tatime dhe dogana tregojnë se mosrealizimet janë të larta, jo vetëm ndaj planit, por edhe ndaj realizimit faktik të vitit 2012. Përkatësisht ato rezultojnë -7,6% dhe -2,2% ose në madhësi absolute mosrealizimi është 132 milionë dollarë ndaj planit dhe 36 milionë dollarë ndaj faktit të 2012-s. Të ardhurat buxhetore janë 6-7 miliardë lekë më pak se një vit me parë, borxhi ka arritur sipas Ministrisë së Financave 871,8 miliardë lekë nga 828.2 miliardë lekë në fund të vitit 2012, deficitit buxhetor ka arritur 48.2 miliardë lekë, kur parashikimi vjetor është 48.9 miliardë lekë. Me të ardhurat nuk mbulohen shpenzimet korrente, duke u shfaqur deficiti primar, kështu në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBBsë është vlerësuar në 63.3% duke kaluar kufirin e vendosur në ligjin buxhetor 62,6%.