Nga: KIÇO BLUSHI
Për të zbutur konfl iktualitetin, treshja “guvernatore” e ambasadorëve të Tiranës, herë veç e herë së toku, ditët e fundit po këmbëngul rëndshëm për krijimin e atmosferës së “dialogut”, të atij çasti fatlum, sipas tyre kur të dy krerët e partive të mëdha, Berisha dhe Rama të ulen pranë një “tryeze” e t’i japin (më në fund!) dorën njëri-tjetrit, natyrisht në sy të publikut. Ambasadorja gjermane, nisur nga ky qëllim bëri një spektakël të denjë për një kopsht fëmijësh kur u orvat të bashkonte me hir e pahir duart e dy krerëve të hasmosur, por këta, si dema të vjedhur, s’e ulën hundën…
Ndërsa ambasadori Arvizu, në 20-vjetor të hapjes së ambasadës amerikane në Tiranë ofroi edhe shtëpinë e vet për këtë “ngjarje” të shumëkërkuar. Pritja që Arvizu organizoi enkas në zyrën e tij të ambasadës për një duarshtrëngim historik mes “armiqve” dështoi ngaqë Rama shkoi vetëm në takimin e rrethit të gjerë, i cili u krye më pas në oborr të ambasadës amerikane; erdhi me vonesë, me sa duket, prej frikës që të mos përsëritej takimi me Berishën, si dikur në dyert e spitalit Ushtarak ditën e shpërthimit të Gërdecit, kur një dorëdhënie e një “rrahje shpatullash” i kushtoi aq shumë…
E megjithatë ambasadorët dorëzanë nuk heqin dorë nga ky synim, sipas tyre, sa fisnik, aq edhe historik… Në këtë përpjekje dorëzanie u përfshinë edhe përfaqësuesi i BE-së, Sekui, i cili mbështeti sakaq propozimin e zotit Arvizu, njashtu si kishte bërë pak më parë edhe ai i OSBE-së, Wolfard. Nuk dihet kush u ka mbushur mendjen këtyre ambasadorëve të nderuar se, po u realizua dhënia e dorës mes Ramës dhe Berishës (ashtu si ndodhi me Nanon dhe Berishën…) situata e ngërçit, si me shkop magjik, do të shuhet…Të jetë e mundur kjo? Sipas Kanunit ndoshta po, por jo sipas rregullave të demokracisë; sepse një duarshtrëngim mes politikanësh nuk do të thotë domosdo pajtim, marrëveshje, mirëkuptim, paqe, respekt, normalitet, ç’tensionim, dialog…! Edhe kryeministri i Izraelit dhe Palestinës i dhanë dorën njëri-tjetrit në prani të Obamës, por kjo nuk do të thotë që paqja u arrit mes tyre!
***
E megjithatë këto hakatje, me gjasë, shpresohet të realizojnë “dialogun” shpëtimtar; një dialog që më shumë se arritja e një marrëveshje apo detante të qëndrueshme e afatgjatë nënkupton e ngulmon për një paqe sociale, (ndonëse në epruvetë) që do të ardhka pas dhënies publike të dorës së Ramës për Berishën, akt që synohet të kryhet ceremonialisht e publikisht, para kamerave, në dorëzani të ambasadorëve, për t’i venë dy krerët para ”përgjegjësisë” për “shkeljen e besës”…
E pra, nëse “armiqtë e përbetuar” do të pranojnë të takohen e t’i shtrijnë dorën njërit-tjetrit, hamendësohet që klima politike të qetësohet, institucionet më në fund të funksionojnë, dy partitë ta ndërpresin luftën, militantët të qingjërohen, Shqipëria të rehatohet e të futet në normalitet, ndërsa Drejtësia, gjykatat e Prokuroria e Përgjithshme të fillojnë të japin drejtësi, pasi ligjet, si në demokracitë perëndimore, do të zbatohen për të gjithë njëlloj…Pas një dorështrëngimi publik, në Kuvend, në debatet televizive, madje edhe nëpër rrugë, mes mercenarësh partiakë e këshilltarësh bashkiakë do të ketë më pak sherre, grindje, keqkuptime e moskuptime gjë që vetëkupton që edhe BE-ja ka për t’u bindur e do të vendosë të jepet statusi i mohuar e i shumëpritur i vendit kandidat…
Sipas një “përkthimi” sipërfaqësor që mund t’i bëhet Kanunit të sotëm politik, gjithçka e shumëkush në Shqipërinë e sotme varet nga një duarshtrëngim!…Ky është “investimi diplomatik” më i qenësishëm për zgjidhjen e “ngërçit” që po e mëtojnë jo vetëm ambasadorët dorëzanë të lartpërmendur, po edhe kancelaritë e tyre në Evropë dhe SHBA.
Por sa e besojnë qytetarët shqiptarë këtë sendërgji? Duke e marrë të mirëqenë e mirëdashëse këtë përpjekje e duke shpresuar se ngërçi i tejzgjatur do të mund të zgjidhet pas një takimi me dorëdhënie, në prani të dorëzanësve të huaj, lindin disa pyetje të cilat vështirë t’u japësh dum:
1. Si është e mundur që ambasadorët dhe kancelaritë e tyre gjykojnë e besojnë që në këtë shoqëri të traumatizuar dhe të keqpërdorur historikisht nga Njëshat anadollakë (tash, duke qenë vend anëtar i NATO-s, shpresohet të anëtarësohemi në BE për të shpëtuar njëherë e mirë prej tyre!), gjithçka u varka nga vullneti i dy krerëve, domethënë nga një dorështrëngim, qoftë edhe i detyruar mes dy “armiqsh”, mes dy krerësh që politikën e kuptojnë si një betejë për eliminimin përfundimtar të njëri-tjetrit?
2. E, pas kësaj lind pyetja tjetër, e cila gjithashtu e lyp një përgjigje: Vaj medet, po sikur dy krerët të mos e pranojnë duarshtrëngimin (si edhe ka ndodhur e po ndodh), si do të na vejë halli ne qytetarëve dhe ç’përgjegjësi do të kenë nesër ambasadorët dorëzanë? Kaq pak të kushtojë ngërçi e kaq shtrenjtë të na kushtojë integrimi?
3. Edhe te “Krokodili”, për një duarshtrëngim të ngjashëm, a nuk u bë dorëzanë zoti Fyle, por ama, kur krerët u kthyen në Tiranë, a nuk vazhdoi i njëjti avaz: njëri i ra gozhdës e tjetri patkoit?
* * *
Përgjigja e parë që të vjen në mend është: me sa duket ambasadorët dorëzanë na shohin e na gjykojnë ende si një shoqëri primitive, patriarkale, kanunore, aspak demokratike, ku, njashtu si në kohën e sekretarëve të parë (në diktaturë kishim një të tillë, tash kemi dy!…), jo vetëm nuk funksionon opinioni publik, por as institucionet, as pluralizmi, as Kushtetuta, as ligjet, madje as partitë dhe organet e tyre drejtuese si mekanizma vetërregullues të demokracisë. Nuk të vjen mirë, por ndoshta kanë të drejtë. Kanë drejtë se, kur shohin sa lapërdharë e puthadorë të përdëllyer sillen krerët tanë me ta, (mjafton të shohësh në TV “teatrin me kukulla” me personalitetet më të larta shqiptare në ambasadën amerikane), për të konkluduar: derisa e tillë është paria e kësaj shoqërie, si mund të jenë më me dinjitet të tjerët, poshtë tyre?
Prandaj sipas gjykimit të kësollojtë të dorëzanëve tanë, gjithçka në këtë vend vazhdon të mbetet e varur në çengelin anadollak të vullnetit të dy njerëzve, më sak, nga dhënia ose jo publike e besës, e fjalës së burrit para dorëzanëve ndërkombëtarë, domethënë nga shtrëngimi ose jo i dorës mes dy bajlozëve të pazëvendësueshëm të dy partive…(Me siguri treshja e dorëzanësve për këtë qëllim u nis e shkoi në selinë e Ramës për ta bindur t’i japë dorën Saliut…).
Pra, po u takuan dhe po u mor vesh kryedyshja partiake, në Shqipëri do të shkëlqejë dielli i demokracisë, paqes, integrimit dhe mbrothësisë! Sipas kësaj logjike, po të binden dhe po të pajtohen mes vedi këta të dy, automatikisht do të binden e do të urtësohen edhe partitë e tyre, edhe Kryesitë përkatëse, edhe grupet parlamentare, edhe Kuvendi, edhe mediat, edhe opinioni publik, madje edhe militantët trushkulur do të jenë të detyruar “të ulin gjakrat”…
Por nëse është kështu, pra nëse ata sinqerisht e besojnë këtë sundim të pashmangshëm autocrat, atëherë ne si shoqëri jemi shumë larg jo vetëm nga standardet e BE-së, por edhe prej aspiratës për demokraci të njëmendtë. E po qe kështu, edhe të dymbëdhjetë pikat që na erdhën si ultimatum nga Brukseli, bashkë me ato të dërguara nga OSBE-ODIHR, apo edhe ato të Ramës së fundi, janë më se formale, pasi këtu, si jetëmot, të gjitha përpjekjet e ndërkombëtarëve synojnë:
– si e si të bindin dy udhëheqësit t’i japin dorën njërit-tjetrit që, qoftë edhe përkohësisht të ulen tensionet, pavarësisht se sa dhe si respektohen (prej tyre) institucionet, ligjet, organet e Drejtësisë, paçka se emërimet e shkarkimet e nëpunësve të të gjitha niveleve janë vënë e do të mbeten, edhe pas një takimi të mundshëm të dy krerëve, nën hyqëm e në funksion të tyre…;
– të bindin qytetarët dhe opinionin e këtushëm publik se rëndësi parësore në këtë vend ka vetëm ç’thonë e ç’bëjnë krerët, se sa si jetojnë, si mendojnë apo si votojnë në realitet qytetarët; se po u bindën këta të dy të merren vesh, atëherë gjithçka në këtë vend do të jetë okej!
– të realizohet “dialogu” i dyshes që kur të shihet e të preket nga kamerat, qoftë edhe me një foto, takimi të kthehet në një dokument, në një dëshmi, të jetë pra një dorëzënie, pavarësisht se ç’prodhim do të dalë pas takimit; mjafton që dorëzanët të raportojnë në kancelaritë e tyre suksesin se, më në fund, u futën në kafaz dy bajlozët e kërleshur të politikës shqiptare. Kjo ka rëndësi parësore: dy demat e harbuar të futen në haurr!…
Për të gjitha arsyet e mësipërme, po edhe për shumë të tjera, të cilat nuk ia vlen t’i përmend, pasi tek ne, sa herë është realizuar i shumëkërkuari ”dialog me dorështrëngim” mes dy armiqsh partiakë, nuk ka fituar asnjëherë demokracia, as populli, as klima, as ekonomia, as integrimi, as pluralizmi, as parlamentarizmi, po në të kundërt janë bërë hapa prapa e kanë ndodhur zarare të pakorrigjueshme nëpër institucione të cilat janë transformuar në haurre partiakë, (mjafton të kujtoni heqjet e Prokurorëve të Përgjithshëm!) duke vonuar procesin e demokratizimit e të integrimit, për ta bërë tërkuzë tranzicionin, si në asnjë vend tjetër të ish Lindjes!
Nuk ka dyshim që qytetarët normalë as nuk do të mallëngjehen, as nuk do të ndikohen e as nuk do të ndryshojnë mendim nëse Rama me Berishën do të puthen. Fatkeqësisht me këtë punë të kotë e pa bereqet vazhdojnë të merren ambasadorët dorëzanë të fuqive të mëdha, në vend që të përpiqen si e si që bajlozët e politikës të vihen nën sundimin e pakushtëzuar të Kushtetutës, në funksion të institucioneve, të qytetarëve, të interesave të vendit, nën kontrollin e opinionit publik dhe të votës së lirë, të cilat, prej njëzet vitesh sundohen e kontrollohen prej dy krerëve partiakë, me të njëjtën fuqi, tahma e miopi si të sekretarëve të parë.
Kjo dorëzani do të kishte vlerë!
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)