Dora e Mediut në të gjitha vendimet e Gërdecit

0
50

Nga Tema

Gazeta riboton dosjen që fle në Prokurori, pasi u mbyll nga Gjykata e Lartë

1. Nga hetimi rezulton se në muajin shkurt të vitit 2006, drejtori i Ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) Military Export Import Company (MEICO), i pandehuri Ylli Pinari, ka rënë në kontakt me përfaqësuesin e shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company INC” (SAC), Patric Henry III, i cili ka shfaqur interes për municionet me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj. Në lidhje me kërkesën e kësaj kompanie, në datë 05.07.2006, është vënë në dijeni ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, nga ish-drejtori i MEICO-s, i pandehuri Ylli Pinari, nëpërmjet një memoje të kësaj date. Për këtë kërkesë, në periudhën korrik-dhjetor 2006, nuk evidentohet ndonjë interesim dhe qëndrim aktiv i ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu.

Në këtë situatë mosinteresimi dhe heshtjeje të ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, i orientuar nga i pandehuri Ylli Pinari, ka realizuar takim të drejtpërdrejtë me z. Fatmir Mediu dhe në datë 27.12.2006 i ka dërguar një kërkesë nëpërmjet një faksi në gjuhën angleze. Pas kësaj, interesimi dhe veprimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, është i menjëhershëm, duke filluar një proces përgatitjeje me procedura të përshpejtuara, që synonte realizimin e projektit të ofruar nga kompania amerikane SAC.

Evidentohet fakti se përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me të pandehurin Ylli Pinari ishte informuar lidhur me mundësitë për të ngritur aktivitetin e çmontimit dhe të çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orientuar drejt përfshirjes në këtë aktivitet të pandehurin Mihal Delijorgji, i cili ka qenë disa herë objekt i ndjekjes penale për vepra penale në fushën e evazionit fiskal. Në këto takime, i pandehuri Pinari i ka shpjeguar përfaqësuesit të kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, një numër elementesh juridike dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktivitet. Rezultati i këtyre konsultimeve paraqitet në kërkesën/faksin e sipërpërmendur, datë 27.12.2006. Në këtë dokument, që përbënte një ofertë të kësaj kompanie, evidentohen elementet/kushtet që duhet të përmbushnin palët (MM e përfaqësuar nga MEICO dhe SAC), pra një produkt i negociuar dhe i sugjeruar nga kompania SAC pas konsultimeve ndërmjet të pandehurit Ylli Pinari dhe përfaqësuesit të SAC. Duke iu referuar këtij dokumenti konstatohet se:

Së pari, evidentohet se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare të quajtur “AlbaDemil” sh. p. k, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Pra, kompania që do të kryente këtë proces nuk do të ishte SAC, por “AlbaDemil” sh. p. k.

Së dyti, evidentohet se në kontekstin e plotësimit të kërkesave ligjore, SAC kërkonte të pajisej me tri lloje licencash:

Licencë për depozitim municioni;

Licencë për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve;

Licencë për eksportimin e produkteve të dala nga demontimi.

Së treti, është përcaktuar detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambientin industrial të “AlbaDemil”.

Së katërti, evidentohet se SAC kërkonte që ambienti industrial i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën.

Përmendëm këto elemente të këtij dokumenti, pasi, siç do të trajtohet në vijim të kësaj oferte, për përmbushjen këtyre elementeve janë iniciuar nga ministri disa akte nënligjore, si një vendim i Këshillit të Ministrave (KM), janë miratuar prej tij disa urdhra, si dhe është shmangur zbatimi i disa akteve nënligjore në fuqi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në datë 28.12.2006 ky dokument (oferta e kompanisë SAC) ka dalë nga zyra e ish-ministrit të Mbrojtjes me shënimet përkatëse drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm (SHSHP) dhe Sekretarit të Përgjithshëm (SP). Ndërkohë, po më datë 28.12.2006 evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë “AlbaDemil” me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patrick Henry III dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Në analizë të këtyre rrethanave krijohet dyshimi i arsyeshëm se ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, i kishte dhënë premtimin subjekteve të interesuara dhe kishte marrë vendim për të realizuar këtë marrëdhënie biznesi. Kjo vërtetohet me të dhënat dhe provat, që ju parashtrojmë në vijim të kësaj kërkese.

2. Ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe ka miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës së sipërpërmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa së cilës ishte shoqëria “AlbaDemil” sh. p. k, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet:

Së pari, me inicimin, në datë 12.02.2007, për miratim të projektvendimit të KM me titull “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”. Ky projektvendim nuk është miratuar nga qeveria për shkak të mungesës së përqasjes së tij, me ligjin nr. 8671 datë 26.10.2000 “Për autoritetet e komandimit e drejtimit strategjik të FA të RSH” të ndryshuar dhe me ligjin nr. 7512 datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projektvendim të KM të kompanisë amerikane SAC.

Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14.03.2007, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka ridërguar për shqyrtim e miratim projektvendimin me titull “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, i cili po atë datë është shqyrtuar edhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14.03.2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtpërdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës “IV/1” të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane SAC.

3. Në vijim të aktivitetit të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka miratuar urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Në analizë të procesit të hartimit të projekt-urdhrit, si dhe në analizë të përmbajtjes së urdhërimeve të këtij akti nënligjor evidentohen veprimet në shkelje të akteve nënligjore dhe interesi për përfitime të padrejta ndaj subjekteve private që do të realizonin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, si më poshtë:

3.1. Hartimi i projekt-urdhrit nr. 550, datë 25. 04. 2007, është bërë nga drejtori i Drejtorisë së IMBM nën mbikëqyrjen e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të MM, duke mos përfshirë strukturat e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorinë e Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin (DHLMK), pjesëmarrja e të cilave ka qenë e detyrueshme, për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo veprimtari është në shkelje të nenit 17 të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me Urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 120, datë 18.03.2003, i ndryshuar me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 318, datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative.

Gjithashtu, ky urdhër i ministrit të Mbrojtjes, në përmbajtjen e tij, evidenton se nuk është i studiuar mirë dhe në përqasje me vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007, nuk është i qartë në urdhërimet e tij dhe konkret për procedurën dhe mënyrën e zbatimit. Këto urdhërime bien në kundërshtim me pikën 9 paragrafi i dytë, kreun IV, Seksioni II, me titull “Rregullat e dhënies dhe zbatimit të urdhrave” të Rregullores së Jetës së Brendshme në FA, që parashikon se “Urdhri duhet të jetë i studiuar mirë, i qartë dhe konkret”.

3.2 Megjithëse në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdhrit nr. 550, është nominuar drejtpërdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi.

3.3 Në pikën 4/a e në vijim, është parashikuar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të realizohet në terrenin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë. Ky urdhërim në përmbajtje bie në kundërshtim me disa akte të tjera nënligjore dhe ka mundësuar krijimin e përfitimeve të padrejta për subjektet private të përfshira. Në analizë të tij evidentohen këto elemente:

Së pari, është dhënë e drejta për kryerjen e aktivitetit në shkelje të nenit 3 të Rregullores së Ministrisë të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”, e cila normon se për kryerjen e veprimtarive në fushën e armatim municionit është e domosdoshme të bëhet licencimi i shoqërive. Sipas kësaj rregulloreje licencimi bëhet nga një Komision i Posaçëm që krijohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Nevoja për kryerjen e licencimit të aktivitetit i është bërë e njohur ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, me ofertën, datë 27.12.2006, të kompanisë amerikane SAC të përmendur më sipër në pikën 1. Në këtë vështrim, në kundërshtim me nenin 3 të kësaj rregulloreje, z. Mediu, gjithashtu, ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të MM për të dhënë leje eksporti të materialeve ushtarake për një subjekt të palicencuar.

Së dyti, përcaktimi i vendit ku do të kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve është bërë në shkelje të nenit 3, pika 1, paragrafi i tretë, i Rregullores së ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003 të sipërpërmendur dhe në shkelje të Urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 326, datë 11. 05. 2000 “Për kryerjen e licencimit të depove të municionit sipas standardeve të NATO-s”, në të cilën përcaktohet se vendet ku depozitohet dhe ruhet municioni duhet të licencohen, duke parashikuar kushtet dhe kriteret për licencimin. Gjithashtu, ky urdhër parashikon se në varësi të distancave nga vendi i depozitimit dhe magazinimit të municionit në raport me zonat e banuara, rrugët (me trafik të ulët dhe të lartë), rrjetit elektrik, ujësjellësit, ofiçinën ku do të punohej me municionin, objektet e tjera (brenda repartit ushtarak dhe në rajon), duhet të përcaktohej sasia e municionit që do të depozitohej për demontim dhe e produkteve të tij, si ajo e lëndëve plasëse, barutit etj.

Caktimi i Gërdecit, si vend çmontimi dhe çmilitarizimi të municionit, është bërë në mungesë të verifikimit dhe vlerësimit të strukturave përkatëse të specializuara të Shtabit të Përgjithshëm. Në urdhërimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend demontimi është shpërfillur gjithashtu mendimi i strukturave të FA, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e kompanisë SAC që kishte sugjeruar paraprakisht Bërzhitën si vend të mundshëm për të realizuar procesin e demontimit. Kjo, sepse në memon, datë 28.12.2007, me subjekt “Dhënie mendimi lidhur me ofertën e paraqitur nga SAC për asgjësim municioni”, që Drejtoria e Logjistikës i ka dërguar ish-ministrit, z. Mediu, nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA i është bërë e ditur se “… rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim, ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe qendrave të banuara”.

Përzgjedhja e Gërdecit si vend ku do të bëhej çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve dhe ku do të depozitoheshin sasi të konsiderueshme municioni dhe produkte të tij pas demontimit, (të cilat për nga natyra dhe vjetërsia paraqisnin ndjeshmëri të lartë në raport me faktorët atmosferikë dhe kushtet e ambalazhimit, ruajtjes e manipulimit me to), është bërë tërësisht në kundërshtim me çdo lloj rregulli në fuqi. Ky urdhër në praktikë ka lejuar të depozitohen dhe akumulohen sasi të mëdha municioni e baruti në kundërshtim me distancat e sigurisë të përcaktuara në urdhrin nr. 326, datë 11.05.2000, duke determinuar pasojat e rënda që kanë ardhur qoftë jetës së njerëzve, shëndetit të tyre apo edhe ato materiale. Nga sa më sipër, urdhri 550, datë 25.04.2007 ka urdhëruar fillimin e një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti.

Caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake, në kushtet e ekzistencës së një përgjigjeje negative nga Shtabi i Përgjithshëm për rajonin e Bërzhitës, vjen në të njëjtën linjë me ofertën e datës 27.12.2006 të kompanisë SAC të analizuar më lart, ku kërkohej që procesi i çmontimit të kryhej në një ambient në afërsi të Tiranës, çka ka mundësuar cenimin e sigurisë gjatë gjithë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.

3.4 Urdhri i ministrit nr. 550, datë 24. 05. 2007 në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga pika IV/4 e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007 nuk ka përcaktuar shprehimisht subjektin ushtarak që do të realizonte mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në Gërdec, si dhe nuk ka qartësuar mënyrën e realizimit të këtij procesi me rrezikshmëri të lartë. Kjo shkelje ka lejuar kryerjen e një procesi të pakontrolluar nga specialistët e FA, si për sa i takon sigurisë në procesin teknologjik, ashtu dhe rregullave të magazinimit të nënprodukteve të këtij procesi. Në këtë aspekt, sikurse u theksua më lart, ky urdhër është miratuar pa qenë i studiuar mirë, duke qenë i paqartë dhe jo konkret, në kundërshtim me rregullat e dhënies së urdhrave të parashikuar në Rregulloren e Jetës së Brendshme në FA, të përmendur më lart.

3.5 Në vijim të argumenteve se, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, në këtë proces ka miratuar akte nënligjore i orientuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private, Ju parashtrojmë faktin se gjashtë ditë para se të firmoste urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-“AlbaDemil”, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhrit të dërguar për t’u nënshkruar tek ish-ministri, z. Mediu. Sa më sipër, evidentohen dy elemente të rëndësishme.

Së pari, kontrata i paraprin në kohë urdhrit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitja e municioneve është e drejtë vetëm e ministrit të Mbrojtjes që materializohet me urdhrin e tij.

Së dyti, ka qenë kërkesa e SAC-“AlbaDemil” e materializuar në kontratë, ajo që është marrë parasysh nga ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, sepse në pikën 3.3 të kontratës është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë.

3.6. Në urdhrin nr. 550, nuk është parashikuar qartë dhe shprehimisht se kush do të mbulonte shpenzimet e ngarkimit dhe transportit të municioneve nga depot e komandave të FA për në Gërdec-Vorë, ndërkohë që transporti i këtij municioni i është ngarkuar Forcave të Armatosura. Ky mosveprim i ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, për të parashikuar në urdhër që shpenzimet e transportit të mbulohen nga subjektet private, përbën një episod tjetër të veprës penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë përfitimin e padrejtë të personave të tjerë dhe në dëm të interesave ekonomike të HFA, sepse në fakt shpenzimet e transportit janë mbuluar prej tyre dhe përllogariten në shumën rreth 500 mijë dollarë.

Ky mosveprim i ish-ministrit, z. Mediu, vjen në të njëjtën linjë me përmbushjen e një prej kushteve të kompanisë SAC-“AlbaDemil”, të parashtruara në ofertën/dokumentin e datës 27.12.2006, në të cilën është kërkuar që shpenzimet e transportit për në rajonin e çmontimit të “AlbaDemil”, të mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes. Mosparashikimi i shpenzimeve të transportit në këtë urdhër i ka paraprirë dhe analiza e kostos për njësi shitje të municioneve, e llogaritur kjo pa përfshirë koston e transportit. Përjashtimi i kostos së transportit, e cila nga pikëpamja ekonomike është element i domosdoshëm në përcaktimin e vlerës së mallit, përbën shkelje të rëndë dhe me qëllim favorizimi të padrejtë të kompanive SAC-“AlbaDemil” për të përfituar sa më shumë në procesin e demontimit.

Në frymën e këtij urdhërimi dhe në zbatim të tij, ish- ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, ka nxjerrë Urdhrin nr. 1208, datë 19.07.2007 “Për zbatimin e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, “Për procedurën e trajtimit të armëve , teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, dhe Urdhrin nr. 1300, datë 07. 08. 2007 “Për zbatimin e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, urdhra këto, në të cilat parashikohet që dorëzimi i municioneve nga strukturat e FA të bëhet në qendrën e çmontimit Gërdec-Vorë, pa u shprehur për subjektin që do të mbulonte shpenzimet e transportit.

4. Në analiza të procesit të hartimit, të bazës ligjore dhe të përmbajtjes së urdhrit nr. 1300, datë 07.08.2007 të ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, ka të dhëna për dyshime të bazuara se miratimi i tij është bërë në kundërshtim me aktet nënligjore, për të realizuar përfitime të padrejta në interes të subjekteve që kryenin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. Shkeljet e evidentuara janë si më poshtë:

4.1 Z. Mediu ka miratuar këtë urdhër pa përfshirë strukturat e FA, ndonëse kjo përfshirje ka qenë e domosdoshme e diktuar nga objekti i rregullimit dhe strukturat e ngarkuara për zbatimin e tij. Ky veprim bie në kundërshtim me nenin 17, të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me Urdhër të ministrit të Mbrojtjes nr. 120, datë 18.03.2003, i ndryshuar me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 318, datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative.

4.2 Ky urdhër bie në kundërshtim me pikën 1 të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25. 04. 2007, ndonëse formalisht ky i fundit është cituar si mbështetje ligjore e tij. Kjo, sepse, në pikën 1 të urdhrit nr. 1300, datë 07. 08. 2007, janë ngarkuar strukturat e FA, për t’i dorëzuar, për çmontim ndërmarrjes MEICO tri lloje municionesh (fishekësh të kalibrave 6.5 mm, 7.92 mm dhe 8 mm), që nuk janë të parashikuar në pikën 1 të urdhrit nr. 550, datë 25.04.2007. Llojet e fishekëve të përmendura në Urdhrin nr. 1300, datë 7.08.2007, nuk kanë qenë pjesë e kërkesave të kompanive SAC -“AlbaDemil” dhe kontratës të lidhur ndërmjet MEICO dhe këtyre kompanive.

4.3 Në kundërshtim me pikën IV/2, të vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka nënshkruar Urdhrin nr. 1300, datë 07.08.2007, në mungesë të vendimit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve për shitjen e këtyre lloj municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Pra, ai ka urdhëruar dorëzimin e municionit, pa pasur një çmim për to.

4.4 Në kundërshtim me pikën 1 të Urdhrit të nxjerrë prej tij nr. 416, datë 02.04.2007 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për përcaktimin e kontingjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga përdorimi” ka nënshkruar Urdhrin nr. 1300 datë 07.08.2007, megjithëse mungonte një vendim i këtij komisioni, i cili kishte për detyrë të bënte kategorizimin e tij në zbatim të vendimit të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007.

Sa më sipër, miratimi i këtij urdhri në kundërshtim me aktet nënligjore, përbën të dhëna për dyshime të bazuara, se është kryer për të realizuar përfitime të padrejta në interes të kompanive SAC -“AlbaDemil”, për faktin se këto lloje municionesh kishin në përbërje gëzhojë tunxhi, çka përmbushte në thelb ofertën e kompanisë SAC-“AlbaDemil” për municione me gëzhojë tunxhi.

III. Tërësia e këtyre urdhërimeve në kundërshtim me ligjin të ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm, evidenton të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se te nëpunësit dhe ushtarakët vartës të tij është krijuar perceptimi për një proces të parregullt, ku ish-ministri z. Mediu kishte interesa të veçanta dhe se për realizimin e tyre, ai po shpërfillte aktet ligjore dhe nënligjore.

Baza e këtij procesi të parregullt, të trajtuar më sipër, ka shërbyer për vazhdimin e përmbushjes së kërkesave në interes të përfitimeve të padrejta të kompanisë SAC-“AlbaDemil”. Në këtë proces vazhdues, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, lidhur me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve, si dhe në të gjithë rajonin ku po kryhej ky proces.

1. Nga hetimet e deritanishme rezulton se më 01 shtator 2007, përfaqësuesi i SAC i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me një kërkesë të dytë për vazhdimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm. Duke analizuar këtë kërkesë, evidentohen disa momente që duhen pasur parasysh në analizën e të dhënave, lidhur me përgjegjësinë e ish-ministrit Mediu për episode te tjera të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

Së pari, Southern Ammunition Company INC (SAC), në mënyrë të qartë evidenton se municionet, për të cilat kërkon të vazhdojë projektin, nuk janë më të kalibrit të vogël.

Së dyti, SAC paraqet pretendimin se ajo është furnizuar nga Ministria e Mbrojtjes vetëm me rreth 50% të sasive të municioneve të kërkuara të kalibrit 7.62-14.5 mm, duke u shprehur se: “Sipas kontratës me MM (MEICO) investimi ynë kishte për qëllim çmontimin e jo më pak se 100 milionë copë fishekëve 7.62 mm, 20 mln copë fishekëve 12.7 mm dhe 20 milionë copë fishekëve 14.5 mm”. Këtë mospërmbushje të detyrimit ajo e paraqet si arsye për të mbështetur projektin për çmontimin e kalibrave më të mëdhenj.

Së treti, SAC pretendon se disponon makineri që në mënyrë mekanike zbërthejnë municionin në komponentët përbërës.

Së katërti, SAC informon se procesi më i rrezikshëm dhe i kushtueshëm do të jetë nxjerrja e eksplozivëve të fuqishëm nga predhat, por se kjo kompani disponon teknologjinë për ta realizuar këtë, në mënyrë të sigurt dhe në kohë normale.

Kërkesa e SAC, bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt “Mbi kërkesën për demontim municionesh” e personit nën hetim, Ylli Pinari, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i është dërguar për mendim ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu. Z. Mediu këtë praktikë ia ka kaluar shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”. Ky shënim i ish-ministrit në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidentohen qartë tejkalimet e parashikuara në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 për sa i takon kalibrit të municioneve që mund të jepeshin për çmontim.

Ndërgjegjësimi i z. Mediu në lidhje me këtë kufizim të vendimit të KM, argumentohet jo vetëm me detyrimin e njohjes së akteve dhe faktin që ka qenë iniciues dhe mbrojtës i këtij akti nënligjor në qeveri, por edhe me faktin se ka qenë pikërisht kërkesa e parë e SAC për çmontimin e municioneve të kalibrit të vogël, ajo që u bë shkak për të miratuar gjithë aktet nënligjore për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrit të vogël.

Në vijim të analizës së elementëve të kësaj kërkese, ju paraqesim aktet nënligjore të tjera të miratuara nga ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, në kundërshtim me ligjin dhe që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës prej tij.

2. Me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private, të përfshira në këtë proces, ka shmangur mbikëqyrjen ushtarake të forcave të armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar urdhrin nr. 1800, datë 22.10.2007, me të cilin është normuar kalimi kapital i pronës, nr. 126, ku po zhvillohej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit (ish-brigada e tankeve Gërdec), në administrim të ndërmarrjes MEICO, e cila, e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC- “AlbaDemil” pa qira, në kundërshtim me vendimin KM nr. 315, datë 24.04.2003 “Për dhënien me qira të pasurive, të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore”.

Gjithashtu, synimi se projekti i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve nga kompania SAC do të zgjaste dhe se strukturat e ngritura në ish-repartin e tankeve GërdecVorë do të përdoreshin dhe për programe të tjera në këtë fushë, është evidentuar qartë në Memon me subjekt “Për kalimin kapital të pronës nr. 126, Gërdec, Vorë” të drejtuar ish-ministrit Mediu nga ish-drejtori i MEICO nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm. Miratimi i urdhrit të mësipërm në kuadër të këtij konteksti i ka paraprirë miratimit të të gjitha akteve nënligjore dhe procesit vendimmarrës të ish-ministrit, në përmbushje të kërkesës së SAC -“AlbaDemil”, datë 01.09.2007, të sipërpërmendur.

3. Në përmbushje të interesave për përfitime të padrejta nga kompanitë private, ish-ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, nuk ka kërkuar të bëhej një studim i plotë i analizës së kostos për njësi, të municioneve të kalibrave 20- 152 mm, çka ishte e domosdoshme për të verifikuar dhe vlerësuar leverdinë ekonomike të këtij procesi me municionet e kalibrave të përmendur më sipër. Ky mosveprim i ish-ministrit, i kryer në mospërmbushje të rregullt të detyrës, evidentohet dhe nga fakti se në përgjigje të kërkesës së parë të SAC-“AlbaDemil”, është proceduar duke u bërë analiza e kostos për njësi e municioneve të kalibrave të vegjël 7.62 – 14.5 mm. Ky veprim është kryer para se të fillonte procesi i miratimit të akteve nënligjore për realizimin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve për këto kalibra.