
Howard Steven Friedman
Bota online po zjen prej shqetësimit se facebook-u është duke planifikuar t’u japë të tretëve mundësinë për të hedhur një sy në të dhënat private të përdoruesve të këtij rrjeti social. Për çfarë të dhënash bëhet fjalë? Po ja, numri i telefonit, fjala vjen; ose adresa e shtëpisë së banimit. Një pjesë e përdoruesve të facebook-ut janë të skandalizuar prej idesë, se kjo kompani ka çuar në mendje të bëjë pará nëpërmjet të dhënave të tyre personale. Ndoshta këta njerëz janë aq syleshë, sa besojnë ende tek Gishtoja i përrallave; apo ndoshta janë nga ata që, po t’u thuash se fjala ‘sylesh’ nuk egziston në fjalor, ata e mbajnë frymën tek fjalori për të parë se mos kjo është e vërtetë.
Çështja është shumë e thjeshtë: facebook-u është një sipërmarrje private, dhe qëllimi i atyre që e drejtojnë këtë sipërmarrje është të bëjnë pará. Dhe ata bëjnë pará nëpërmjet reklamës, apo nëpërmjet shitjes së mallrave e shërbimeve virtuale. Sa më shumë “xhevahire” të nxjerrin prej të dhënave tuaja personale, aq më shumë gjasa ka që ata të rrisin të ardhurat e tyre. Facebook-u u krijon mundësinë miliona njerëzve të shfrytëzojnë një platformë të tyren të shkëmbimit të fotove, lajmeve, link-eve, materialeve video, etj, etj dhe këtë e bën gratis. Por facebook-u vetë nuk është një ndërmarrje bamirësie; është business.
Një pjesë njerëzish kanë hapur llogari facebook-u për qëllime biznesi e për aktivitete të natyrës profesionale. Por shumica e përdorin facebook-un për arsye të natyrës intime e sociale, për të qëndruar në kontakt me familjen, me miq, shokë, njerëz, me të cilët kurrë nuk janë takuar, etj, etj. Në këto rrethana, nëse ju keni shumë për zemër ca të dhëna tuajat personale, e nuk doni t’i ndani me këdo, atëherë mos “i lëshoni” ato të dhëna online; përndryshe, mbani parasysh se çdo gjë që e hidhni online, mund të bjerë në dorë të kujtdo. Nëse nuk doni fare që t’ju dalë në shesh qoftë dhe një e dhënë personale, atëherë mos vendosni asnjë të dhënë në profilin tuaj të facebook-ut. Nëse nuk doni që ndokush të shohë një video tuajën, teksa jeni cullak e jeni duke bërë breakdancing në një lulishte, atëherë pse dreqin u dashka që ta hidhni online? Thjesht mos e bëni këtë gjë! E nëse e bëni, kalleni mirë në kokë, se që nga ai moment, materiali video ëhstë potencialisht në dorë të të gjithë banorëve të botës online.
Po si është puna me ato që quhen ‘privacy settings’? Hm, është përgjegjësia juaj; vetëm e juaja; e askujt tjetër. Ata të facebook-ut duan që ju të jepni sa më shumë të dhëna që të jetë e mundur, sepse kështu ata rrisin mundësitë që të fitojnë më shumë për vete. Ka shumë përdorues që s’e kanë hiç mendjen tek këto ‘privacy settings’, dhe ata “shpëtojnë” pikërisht prej kësaj shkujdesjeje apo këtij mosveprimi, pasi një setting që lihet pas dore është një zgjedhje e parealizuar. Sa herë që shtoni aplikime, ju jeni duke e autorizuar programin që të pranojë të dhëna tuajat; prandaj, nëse doni të jeni të kujdesshëm, shmangni në maksimum aplikimet.
Jeni ju përgjegjës për informacionin që postoni mbi vetveten, për miqtë e facebook-ut, me të cilët link-oheni, për privacy-në që keni zgjedhur, e për aplikimet që përdorni. Mund ta kufizoni ekspozimin tuaj vetëm duke mos upload-uar gjëra, të cilat ju nuk do donit që t’i shihnin të tjerët, duke bërë friends-a vetëm njerëz që ju i njihni, duke u siguruar mbi të ashtuquajturat “privacy settings”, e duke shmangur në maksimun aplikime, në të cilat kërkohen të dhënat tuaja personale.
Nëse nuk bëni sa më sipër, do t’ju duhet një punë e madhe për të bindur veten, se një sipërmarrje private që egziston vetëm për të bërë pará mbi bazën e të dhënave tuaja personale, do t’i ketë merak këto të dhëna. E besoni që ka biznese të tilla? Për ata që e besojnë, po bëj pyetjen: ju kujtohet se çfarë gjetët kur kërkuat në google kuptimin e fjalës “sylesh”? Ah, nuk e keni kërkuar akoma në fjalor? Po bëjeni, ç’prisni? Hajt, shpejt!







