Gjykime rreth shqipërimit të kësaj kryevepre të Servantesit në gjuhën shqipe
Nga Skifter Këlliçi
Ditë më parë,kur bisedoja më shokë që e duan letërsinë,dhe këtu në North Kuinci,(Boston), ku jetoj prej më se 12 vjetësh,ata nuk janë paktë, ra fjala për vepra të letërsisë së huaj në gjuhën shqipe,një pjesë e të cilave sot përkthehet nga disa që dinë shumë mirë gjuhë të huaj, por nuk dinë të paktën mirë shqip.Miëpo kjo nuk ka shumë rëndësi për do botues, të cilët nuk e bëjnë qejfin qeder për të njohur se sa vlen ky artistikisht ky përkthim, por për sa do të fitojnë nga vepra e aksh autori të madh.
Dhe që këtu, duke përmendur këtë, apo atë përkthyes, fjala ra edhe për Petro Zhejin. Aq më tepër, që dikush u hodh e tha se kishte lexuar para disa muajsh në shtyp se qeveria,si disa krijuesve të tjerë të njohur, i kishte dhënë edhe atij pension të vecantë, për tërë atë goxha punë që ai ka bërë për vite e vite në fushën e përkthimeve dhe studimeve shqiptare.
“Kaq me vonesë-ia priti dikush midis nesh,-kur emri i Petros si i tillë njihet prej shumë e shumë vitesh?
“Më mire vonë se kurrë”,-plotësoi dikush pranë tij.
Meqë të tjerë nuk dinin dhe aq mirë punën që ka bërë Petro Zheji “për vite e vite”.më kërkuan mua t’u flisja për të.Dhe, duke qenë se unë me familjn e Zhejëve njihem fort mirë, zura t’u rrefeja:së pari për folësen legjendare të mikrofonit të Radio Tiranës,pra për motrën e Petros, Verën,që më ka mësuar edhe mua të flas në mikrofon në fund të viteve ’50-të, e cila më pas u bë edhe pedagoe në Institutin e Lartë të Arteve,sot Akademia e Arteve të Bukura;për të vëllanë,Gjergjin, që për fat të keq u nda nga jeta para disa muajsh,studiues,përkthyes,shkrimtar,për të birin e Petros, Arturin,publicist i njohur,edhe ai shkrimtar, dhe doemos edhe për Petron,që ishte në qendër të vemëndjes.
Kështu pra, u rrëfeva shokëve të mi se Petro Zheji fillimthi kishte studiuar për… metematikë,madje kishte qenë edhe pedagog i kësaj lënde në Gjimanzin”Qemal Stafa”të Tiranës, sic e mbaj mend edhe unë në fillim të viteve ’50-të.Pastaj,si kishte mbaruar edhe fakultetin gjuhë-letërsi të UT-ës, kishte nisur të punonte përkthyes,ose më saktë- shqipërues, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë.
Kur zura të tregoja disa nga veprat që kishte përkthyer, ”Ringjalljen”e Tolstoit,”, ”Obllomovin ”i Goncarovit, (nga rusishtja), ”Vitet e zemërimt” të Shtajnbekut,), (nga anglishtja), ”Zotin president “ dhe “Papën jeshil” të Asturiasit (nga spanjishtja), një nga bashkëbiseduesi, duke pandehur se unë kisha harruar, ma priti:
”Mos harro se nga spanjishtja ka përkthyer edhe vëllimin e dytë të “Don Kishotin”.Dhe e ka qarë!…”
Kishte hak.Eshtë një vepër që unë, si shkrimtar dhe ish-redaktor gjuhësor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, jo vetëm e kisha lexuar, por edhe studiuar, duke e krahasuar me vëllimin e parë të “Don Kishotit’, të përkhyer nga Fan Noli,ndaj zura t’u flisja miqve të mi hollësi rreth vlerave këtij përkthimi mjeshtëror, me të cilën Petro Zheji e ka ngritur edhe më lart gjuhën shqiqe duke dëshmuar, si edhe Fan Noli.
I shqipëruar dhe botuar së pari Boston, që më 1932-33, nga Fan Noli, “Don Kishoti”i Servantesit u bë menjëherë një nga veprat më të dashura të lexuesit shqiptar.Ndaj u botua shpejt edhe në Shqipëri.Me kujtohet që ende shumë i vogël, kam lexuar botimin e kësaj kryevepre, së pari në fashikuj e pastaj edhe vëllimin e parë të plotë.Jo vetëm kaq, por në vitin e dytë të gjimnazit, pjesë të “Don Kishotit”, në përkthimin e Fan Nolit, i studionim me vemendje të madhe në orën e mësimit të lëtërsisë së huaj, ku, natyrisht, edhe kuptonim vlerat e medha artistike, të cilat Noli i kishte përcuar në gjuhën shqipe në mënyrë të magjishme.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.Pasi bëri të fliste shqip Shekspirin, me tragjeditë “Otello”, ”Makbethi”, ”Hamleti” dhe “Jul Qesari”, nga vitet 1916-1926, dhe më pas Ibsenin, me dramat “Armiku i popullit”dhe “Zonja Ingra e Ostrotit, po në ato vite, Noli ndërmori shqipërimin e një vepre të gjatë tregimtare, tashmë duke pasur një përvojë të ndieshme.
Nuk gaboj po të them se narracioni i Nolit në këtë vepër nuk ishte arritur deri atëherë nga asnjë shkrimtar tjetër shqiptar, ndonëse shqipes nuk i kishin munguar proza të rralla nga Cajupi,(të kujtojmë qoftë “Klubin e Selanikut”), deri te romani satirik i papërfunduar, “Doktor Gjëlpëra”i Faik Konicës.
Sidoqoftë, te “Don Kishoti” i Nolit duket se u përzgjodh thuajse tërë pasuria e madhe e gjuhës shqipe, e derdhur me aq mjeshtri në gojën e vetë Don Kishotit dhe sidomos të Sanco Pancës, që i shëmbëllen gjithmonë një fshatari të zgjuar shqiptar.
Kallëzimi i Nolit, gërshetuar me dialogun aq të natyrshëm dhe, mbi të gjitha, frazeologjia e mbështetur në fjalorin e pasur, shërbyen si shembull për tërë prozatorët shqiptarë që shkruan pas botimit të kasaj kryevepre në gjuhën shqipe.
Mirëpo Noli shqipëroi vetëm pjesën e parë.La kështu një zbrazëti te lexuesi ynë, i cili prej dekadash kishte dëshirë të njihej më pjesën e dytë të “Don Kishotit”,por edhe me një përkthim të denjë të tij në gjuhën shqipe.E, megjithse kaluan vite e dekada, megjithëse gjuhën shqipe më përkthimet e tyre e cuan edhe më tutje shkrimtarë e përkthyes të tjerë, asnjë nuk mori përsipr të përkthente pjesën e dytë të kësaj kryevepre.
Mbase nuk dinin mirë spanjisht, mbase nuk ndjeheshin të sigurtë, apo për të dyja arsyet?…
Dhe ja, u deshën më shumë afro 50 vjet dhë këtë dëshirë dhe zbrazëti të lexuesit mori përsipër ta plotësonte Petro Zheji.Detyrë , që ta themi faqeza, shumë-shumë te vështirë, megjithë përvojën madhe,që sic e pamë,kishte në shqipërimin e disa prej kryeveprave të lëtërsisë botërore.
Që Petro Zheji, si shumë shqipërues në Shtëpinë Botuese”Naim Frashëri” gjatë diktaturës komuniste, punonte në kushte të vështira, duke pasur edhe normë,kjo dihej.Por vështirësia nuk qëndronte vetëm këtu.U binda edhe njëherë për vështirësitë mjeshtërore për të përcjellë këtë vëpër në shqip, kur Petroja, sic e ka pohuar në shtypin tonë vëllai i tij, Gjergji, edhe ai,sic thashë më lart, shkrimtar,studiues e përkthyes i shquar,që mjerisht nuk është më midis nesh, theksonte se, për të pasuaruar veprën, Petroja, ndërmerrte edhe udhëtime jashtë Tiranës, sic i kishte rastisur të shkonte në Krujë a gjetkë , për t’u njohur edhe më afër me frazeologjinë popullore .Dhe natyrisht që kjo punë e lodhshme do të jepte frytet e veta.
Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti që në përkthimin e “Don Kishotit” të Petro Zhejit do ta hasësh me plot fjalë të urta nga të cilat, për mungesë vendi, do të shënoj vetëm një:”Malli i vënë mënjanë me djersë,rron tërë monë,/Por i fituari me hile,humbet veten dhe të zonë…”
Kur lexova për herë të parë më shumë sëe 20 vjet të shkuara Servantesin e Petro Zhejit, u binda se tërë ajo lodhje, tërë ai mundim shumëvjecar i këtij shqipëruesi të talentuar, ishte kurorëzuar me shumë sukses,aq sa, po të ishtë gjallë Noli, do ta kishte përqafuar e madje dhe do t’i kishte thënë:’Të lumtë, bir,shqipërimi yt është i përkryer!. .’”
Kjo ka një arsye objektive:Në gati katër dekada proza shqipe evoloi, u pasurua nga shkrimtarë të tjerë, që nga Milto Sotir Gurra,Ernest Koliqi ,Migjeni,Mitush Kuteli,për të ardhur te Sotir Andoni,Naum Prifti,Teodor Laco,Dritëro Agolli,Ismail Kadare .E pasuruan vecanërisht shqipëruesit tanë,Tajar Zavalani, Sotir Caci,Dhimitër Pasko,Vedat Kokona,Pashko Gjeci,Gjon Shllaku,Henrik Lacaj,Spiro Comora,Bujar Doko,Robert Shavarci,Jorgji Dhoksani,Jorgo Bllaci,Lili Bare,Aurel Plasari,ndër të cilët vetë Petro Zheji.
Kësisoj, duke shfrytëzuar këtë përvojë dhe duke carë në shtigje të reja, Petro Zheji arriti të bëjë Servantrsn të flasë shqip.Kapërceu edhe një tjetër vështirësi:arriti të ruante vazhdimësinë e stilit të Nolit, që nuk ishte kaq e lehtë .Ja përse vëllimi i dytë është vazhdimi i natyrshëm i vëllimit të parë.
Do të përpiqem me shembuj të nxjerrë nga ky vëllim,të dëshmoj shkurtimisht vlerat e shqipërimit të Petro Zhejit,me fjalë dhe shprehje të bazuara në frazeologjinë e shqipes,shënojnë edhe pasurimin e mëtejshëm të saj.
Fjalë të përbëra,(kompozita):
Në vazhdën e kompozitave,pra me dy fjalë :si rrugëdalje,vetvrasje,jashtëqitje, Petro Zheji krijon shpesh kompozita të këtij lloji si: Truroitje,kokëshqepje,gjokscjerrje,plencmbushje.
Po kështu krijon edhe kompozita të tjera si:
Vrapshpejtësi,mëndjeshpërqëndrim,i keqplagosur, pranvëndosur…
Por, padyshim, merita më e madhe e tij është krijimi i kompozitave me tri fjalë, dukuri shumë e rrallë ne veprat letrare në gjuhën shqipe.
Ne rëndom kemi dëgjuar kompozitën shpirtpikëlluar.Por Petro Zheji krijon kompozitën e re:zemërshpirtpikëlluar,pra me dy emra dhe nje mbiemër .Dhe vazhdon po në këtë mënyrë:
Faqemjekërrmbuluar,daljefaqebardhësi, për të kaluar më tej në krijimin e kompozitave të tilla jo vetëm më emra, por edhe me kategori të tjera morfologjike:
Kurrasnjëherimunduri:kurrë,(ndajfolje),asnjëherë,(ndajfolje),i munduri,(mbiemër).
Më tutje:
Keqdashurirënura:keq,(ndajfolje),dashuri,(emër),,rënura,(trajtë nendialektore e pjesorit te foljes bie).
Krijimi i ndajfoljeve të reja:nga barabar në barabarësisht,nga baritor në baritorisht,nga magji, në magjishmërisht.
Shumë e goditur është ndajfolja tërcifërsërisht,(tërci-fërci), që është një krijim onomatopeik:ai ia këputi tërcifërcërisht …
Krijimi i mbiemrave të rinj me prapashtesën-or:
Nga gomar, në gomaror:havaz gomaror;nga behar -beharor;me rroba beharore;nga derr, në derrëror-qime derrërore: nga harbut, në harbutëror:zakon derrëror:nga fisnikëri në fisnikëror.
Më prapashtesën-iak:
Nga dashuri-dashuriak,(mendime dashuriake).
Emra të rinj kolektive:nga shërbëtor në shërbëtori:
Nga përfytyrim ai krijon emrin antonim, (me kuptim të kundrët) shpërfytyratë.
Krijimi i foljeve të reja:
Nga ndajfolja beterr, në beterros,nga lakuriq, në lakuriqësoj, nga emri hajtdut, në hajdutëroj, nga emri sërë, në sërit,(pra,vë në sërë,në radhë…).
Krijime të tjera foljesh vetvetore:
Vetëshqepemi, pra, shqepemi, duke ngrënë, ose qesegotitemi, për gotitemi me qese, grushtadërmohemi, për dërmohemi me grushta.
Shprehje figurative, idiomatike:
Vendosi t’u hidhte qepena syve, pra, vendosi të flejë,ose t’ia këputse gjumit.
Po shinin në të thatë:pra, po i a këputnin, po flitnin kot, po flitnin rroma për toma…
Ia theri vrapit;pra ia dha vrapit, u sul turravrap,u sul me të katra…
Ua hipi këmbëve,pra, mori me të shpejtë, ua dha këmbëve…
S’e ha thatë,pra, nuk ia hedh dot, nuk e merr sapunin për djathë…
Hidhi më mirë gunën këtij muhabeti;pra: mbylle këtë mesele, kalojmë në tjetër bisedë…
Shumë e goditur është edhe shprehja pasthirmore përkëdhelëse:
Nga :Oho ,në :Ohozë!…Pra, sa mirë më vjen!.. Sa qejf!.. Sa këndshëm!…
Përmenda vetëm disa nga pasuria e madhe frazeologjike dhe fjalëformuese që Petro Zheji ka derdhur në vëllimin e dytë të romanit “Don Kishoti”.Dhe pikërisht këtu qëndron për mendimin tim risia që e bën shqipërimin e tij barabar të denjë me përkthimin e Nolit dhe në këtë pikëpamje, mbase edhe t’ia kalojë atij , për arsyet që shpjegova më sipër,që lidhen kryesisht me evoluimin e gjuhës shqipe në gati një gjysmëshekulli pas përkthimit madhor të Nolit.
Shqipëruesi i talentuar ishte domosdoshmërisht i detyruar ta bëntë këtë.Vepra ka karakter satiriko-sarkastik dhe, doemos,edhe humoristik.Fjalës a frazës së Servantesit ai duhej t’i gjente një baraspeshë të denjë.Kjo mund të arrihej edhe duke krijuar ato fjalë a shprehje, një pjesë të të cilave rendita më sipër.
Përfytyroni për një cast sikur Petro Zheji të përkthente::”Foli kodra pas bregu” dhe jo:”Foli tërcifërcërisht…”;”Goditën njeri-tjetrin me qese”, dhe jo :”U qesegotitën..”:”Ishte veshur me rroba verore…”dhe jo: “Ishte veshur me rroba beharore…”;
“Ia nisi një havazi prej gomari” dhe jo: “Ia nisi një havazi gomaror”.”Dylqinja që kishte rënë keq në dashuri…”dhe jo;”Keqdashurirënura Dylqinjë…”:”Ai që nuk ishte mundur asnjëherë” dhe jo:”Asnjëherimunduri…””mendime dashurie..”dhe jo: “mendime dashurikake…””Maroja që nuk ishte harruar kurrë..” dhe jo:”Kurrëasnjeherë e harruara, Maro…”.
Përdorimi i teknikave të tilla gjuhësore që dëshmojnë se në këtë fushë Petro Zheji është i rrallë, e bejnë këtë vepër të tingëllojë fuqishëm, me ngjyrime plot freski e gjallëri.
Vëllimi i dytë i “Don Kishotit” në përkthimin mjeshtëror të Petro Zhejit është, vec të tjerash,monument i rrallë, me vlera të jashtëzakonshme gjuhësore, nga ku shkrimtarët tanë të rinj kanë se cfarë të mësojnë.
Po përmend në këto shënime për vlerat e jashtëzakonshme të Petro Zhejit në fushën e pasurimit të mëtejshëm të gjuhës shqipe edhe këtë shpjegim të goditur të Sanco Pancës në përkthimin e vëllimit të dytë të romanit “Don Kishoti të Servantesit::
“I ndritë shpirti atij që shpiku gjumin, se është gunë që mbulon cdo mendim e shqetësim të njeriut,se është ushqim që pret urinë,se është ujë që shuan etjen, se është zjarr, që zbut të ftohtit,se është të ftohtë, që zbut të nxehtit, shkurt e me një fjalë,që të mos zgjatem, monedhë e përbashkët për të gjithë e të gjitha…Eshtë gur kandari, që barabit mbretin, me bariun dhe budallanë, më të mencurin…Dhe vetëm një gjë, sic kam dëgjuar të thonë s’ka të mirë gjumi, se i ngjet vdekjes, sepse në mes të një të përgjumuri e një të vdekuri, nuk ka ndonjë ndryshim të madh…”
Por,sic dihet Petro Zheji nuk është vetëm,përkthyes, por edhe studius serioz i gjuhës shqipe.Këtë e dëshmon e dhe vepra e tij e fundit në këtë fushë ”Shqipja dhe sanskritishtja”,në dy vëllime,(2001 dhe 2006).
Nuk jam në gjendje të jap gjykime për vlerat e kësaj këtë vepre, që këpërcen njohuritë e mia në fushën e gramatikës historike të gjuhës shqipe,por lidhur me këtë problem, në mbyllje të këtij artikulli, po citoj një fragment nga shkrimi i studiusit Shpëtim Kelmendi, marrë nga interneti:
“Petro Zheji na bind për këtë në nivelin më të eperm shkencor duke shtuar se shqipja nuk është brendashkruar vec greqishtes dhe latinishtes dhe gjuhëve të tjera që derivojnë prej tyre,por gjen edhe sankritishten, gjuhën e indianëve të lashtë, gjuhë që konsiderohet më e vjetra.Ai merr njëqind fjalë sankritishte dhe i vë përballë njëqind fjalëve shqipe…Shpjegon se rrënjët e fjalëve rezultojnë shqipe,se vetëm shqipja është në gjendje t’i ndajë në struktura semantike dhe t’u japë domethënie.”