Don Kishotët e toponimisë

0
56

Nga Ardian Vehbiu, 2 gusht 2011

Aleanca Kuqezi paska shpallur një nismë për “shqiptarizimin e toponimeve”, njofton gazeta “Shekulli”. Njoftimi është i fortë në etos, por i dobët në informacion. Thuhet se nisma nuk kërkon asgjë më pak se ndryshimin e emërtimeve që “nuk janë në gjuhën shqipe”. Ndërkohë, në videon shoqëruese theksohet se është fjala për një aksion për “shqiptarizimin e emrave të qyteteve.”

Nisma nuk është pa precedent; edhe më parë krerë të institucioneve në Tiranë kanë hedhur ide të ngjashme, të cilat fatmirësisht kanë mbetur në nivelin e kurioziteteve të vakëta politike-gjuhësore.

Nuk dua ta gjykoj këtë nismë pa parë dokumentin përkatës; meqë teksti i njoftimit në mediat është absurd, në një kohë që, në presidiumin e mbledhjes që e shpalli, m’u duk se pashë edhe historianin Pëllumb Xhufi, të cilit budallallëqe të tilla nuk do t’i kishin shpëtuar.

Natyrisht, në sajtin amatorial të Aleancës Kuqezi nuk gjen kurrgjë për këtë nismë kaq të habitshme. Çfarë do të thotë “emërtime që nuk janë në gjuhën shqipe”? Ky formulim është kaq i gabuar, sa nuk di nga ta kapësh. Shumë emra vendesh, anembanë botës, nuk janë në gjuhën e banorëve vendas – cili frëng, veç etimologëve, e di se ç’do të thotë Paris? Cili anglez e di se ç’do të thotë Londër? Cili italian e di se ç’do të thotë Romë?

Është në natyrën e toponimit, që të zërë vend mirë në atë masë që nuk motivohet menjëherë prej folësve; sepse, si rregull, toponimi – dhe emri i përveçëm në përgjithësi – nuk kanë lidhje me karakteristikat e sendit ose të vendit ose të personit të cilit i referohen.

Një emër si Ardian i përcjell vërtet disa informacione: është emër ilir, i përdorur kryesisht në vitet 1950 dhe 1960 si pjesë e një përpjekjeje për të futur emra “ilirë” në përdorim; është edhe emër djali; por përndryshe Ardianët, anembanë shqiptarisë, nuk kanë asgjë të përbashkët mes tyre.

Si rregull, sendi vjen së bashku me emrin e vet – p.sh. libri ose djathi. Përkundrazi, emri i përveçëm nënkupton një akt emërtimi, ose pagëzimi. Një vajzë e quajtur Shega nuk ka gjë të përbashkët me shegën si dru frutor; kuptimi i emrit ka të bëjë drejtpërdrejt me arsyet ose motivet e pagëzuesit, jo me kuptimin e fjalës përkatëse.

Veç kësaj, toponimet, sa kohë që ekzistojnë dhe përdoren, janë në gjuhën shqipe. Nuk ekziston ndonjë farë kriteri gjëkundi, sipas të cilit fjalët që kanë hyrë në shqipe, ta zëmë, pas shekullit VII të erës sonë, “nuk janë fjalë shqipe”.

Se pse janë, bie fjala, huazime sllave, këta emra vendesh, kjo është punë e gjuhëtarëve dhe historianëve që t’i shpjegojnë. E vërteta është që, sidomos në Shqipërinë e Jugut, toponimet me prejardhje sllave mbizotërojnë. Lexuesi jospecialist mund t’i pikasë këto toponime nga prapashtesat -ovë, -icë, -grad. Shumë prej tyre kanë qenë në përdorim prej më shumë se njëmijë vjetësh.

Tani, nuk është se toponimet nuk mund të ndryshohen (sot njerëzit ndryshojnë deri edhe seksin, jo më toponimet); çështja është nëse ia vlen të ndryshohen dhe, sidomos, nëse ndryshimi formal do të zërë rrënjë.

Një toponim ka nevojë të ndryshohet nëse nuk e kryen mirë funksionin e vet, që është emërtimi i një vendi çfarëdo; ose kur përdoruesve nuk u pëlqen, sepse u shoqërohet me diçka të pahijshme, të papërshtatshme ose të pakëndshme (p.sh. Ura Vajgurore, si toponim, meriton të ndërrohet). Në rastin e një toponimi të huaj të imponuar nga një administratë pushtuese, ky mund të ndërrohet sa herë që ekziston dhe përdoret toponimi më i vjetër (p.sh. Mali i thatë dhe Suhagora). Çfarë nuk duhet ndërmarrë, është ndërrimi i toponimeve si shprehje e një vullneti ideologjik të caktuar.

Dëgjon të thonë, bie fjala, që Kosova duhet quajtur tash e tutje “Dardani”. Ideja pas këtij propozimi është poetike, por asaj i mungon historia. Dardania vërtet është toponim “i lashtë”, por nuk ka histori të vetën siç ka Kosova (si toponim), meqë nuk ka jetuar në kohë. Po të kish jetuar, ndoshta sot do të kish përfunduar në diçka si *Dardhní (nëmos në Dërní, po t’u bindemi ligjeve fonetike të shqipes).

T’i thuash Kosovës Dardani dhe Beratit, bie fjala, Antipatrea nuk do të thotë “të rikthehesh në origjinë ose të restaurosh të drejtën historike”, por përkundrazi, të ndërmarrësh një operacion suvatimi ose stukimi po aq artificial sa edhe ndërtimi i rrënojave romake false në parqet aristokratike të Vjenës, gjatë shekullit XIX; një operacion që, nga pikëpamja kulturore, sot nuk ndryshon shumë nga grotesku ludik dhe arkitekturor i Las Vegas-it.

Çuditërisht, një nismë e mbrojtur me argumente historike rezulton antihistorike. Dua të them: restauruesit e lashtësisë, nëse arrijnë ta materializojnë nismën e tyre, në vend që ta rindërtojnë Shqipërinë “autentike”, do të sendërgjojnë një diçka si park tematik të shqiptarisë anakronike.

Emrat e vendeve ose toponimet, sikurse emrat e përveçëm në përgjithësi, mbushen me kuptim në histori e sipër. Një emër si Çorovodë nuk do të thotë “ujë i zi”, por do të thotë gjithçka që ka të bëjë me historinë e atij vendbanimi dhe që mbahet mend prej banorëve të tij dhe kulturës përkatëse: familjet që jetojnë atje, peizazhi, institucionet, historia, njerëzit e shquar që ka nxjerrë qyteti, kujtimet e të larguarve. Që të gjitha këto qëllon të identifikohen me një fjalë burimisht sllave si Çorovodë dhe, kuptimisht, të pamotivueshme brenda shqipes, i përket, si marrëdhënie, një rrafshi tjetër nga ai i komunikimit. Të shqetësohesh për emra të tillë pse janë huazime, është si të shqetësohesh që fjala dyrrokëshe ka tri rrokje dhe jo dy. Dua të them me këtë se, kur analizojmë funksionin social të toponimeve, nuk duhet të ngatërrojmë kuptimin e tyre (ose tërësinë e udhëzimeve për përdorimin e tyre) me motivimin e tyre, ose etimologjinë.

Çfarë do të thotë sot Tiranë? Natyrisht, fjala shënjon kryeqytetin e Shqipërisë. Për një banor të Tiranës, Tiranë do të thotë kaq shumë, sa nuk ka libër dhe enciklopedi që ta nxërë. Është në natyrën e emrit të përveçëm, që ta ketë kuptimin të pafund në detaje, meqë i referohet një qenieje ose sendi me përkufizim individual. Një fjalë si Tiranë nuk funksionon njëlloj, në komunikim, si fjala dardhë ose qytet; meqë, në logjikë, këto të fundit shënojnë koncepte ose klasa (bashkësi) objektesh; ndërsa Tiranë me përkufizim ka vetëm një.

Për ta sqaruar më tej argumentin: ka një qytet që quhet Paris dhe është kryeqyteti i Francës; ka edhe një qytet që quhet gjithashtu Paris, por që gjendet në Texas-in veriperëndimor; ka pastaj edhe një Paris të tretë, në Tennessee. Tani, çfarë kanë këto qytete të përbashkët mes tyre, është emri, por asgjë më tepër; sepse emri i përveçëm nuk vjen me ndonjë “parisllëk”, siç mund të vijë, bie fjala, emri i përgjithshëm dardhë me një karakteristikë që mund ta quanim “dardhësi” (forma e frutit, shija, përbërja, koha kur piqet, dallimet me mollën dhe ftoin, etj.), dhe që ka të bëjë me thelbin e të qenit dardhë.

Veç kësaj, Aleanca Kuqezi flet për “shqiptarizim”, çka parakupton se emrat e vendeve, kundër të cilëve drejtohet kjo nismë, nuk janë shqip, edhe pse kjo tezë është e pambrojtshme. Një banor, bie fjala, i Libohovës, do të habitej shumë, po t’i thoshim se fshati i tij “nuk e ka emrin shqip”; meqë për të, normalisht dhe me të drejtë, ai emër nuk mund të jetë veçse shqip, sa kohë që i referohet një vendbanimi shqiptar, brenda një gjuhe që është pa dyshim shqipe.

Prandaj, nisma për të ndryshuar emrat e vendeve me prejardhje “të huaj”, ka si efekt anësor të padëshiruar mbjelljen e një vetëdije se trojet ku banojmë nuk qenkan tamam “shqip”, prandaj u dashkan shqiptarizuar. Është një dëshirë sa naive aq edhe demagogjike, e cila e privon truallin nga historia, nëpërmjet një operacioni të ngjashëm me atë që kryenin dikur disa vajza para se të martoheshin, që e qepnin vaginën, për t’iu dukur dhëndrit tuhaf si të virgjëra.

Ndonjëherë, më duket sikur i vetmi ngushëllim për kësi idesh aguridhe, është që propozuesit e tyre janë krejtësisht të pazotët për t’i vënë në jetë. Megjithatë, le të presim e të dëgjojmë argumentet e tyre, të parashtruara seriozisht.

Marrë nga: www.xhaxhai.wordpress.com