Opinone
Prend BUZHALA
Tashmë don Anton Kçira ka hyrë në mesin e atyre personaliteteve shqiptare që janë mallkuar fundbotshëm dhe që u janë ngritur apologji. Për të, tashmë ka qindra artikuj, por ka edhe libra monografikë. Dhe “analizat” rreth Kokës së zotnisë (të na falni që e përdorim fjalën zotni, sepse kështu të krishterët e rëndomtë e thërrasin tradicionalisht meshtarin e tyre), nuk pushojnë së linçuari rreth tryeza histerike nëpër llumpen-facebbok-ët shqiptarë e, aty-këtui, edhe nëpër mediat tjera: të shpallet tradhtar, të varet, të shpallet persona non-grata, u quajt satana, beelzebul e çka jo tjetër!
Një parabolë nga Bibla – për “të pagabueshmit” dhe joblasfemistët e shkrimeve e komenteve në këtë radhë shkrimesh:
Nga shkrimet sipas Dhjatës së Re, në Malin e Ullinjve Jezu Krishti kishte tempullin e tij të zgjedhur, ku i takonte dhe zhvillonte debate farisenjtë, me njerëz skeptikë, po edhe me besimtarë të rëndomtë… Pra, me të gjithë. Ja si përshkruhet kjo në Bibël:
” Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve. Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte. Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes, i thanë Jezusit: ‘Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën. Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç’thua?’. Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe.
Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!`. Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe. Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes. Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: `O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?`. Dhe ajo u përgjigj: `Askush, Zot`. Atëherë Jezusi i tha: `As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më’.”
E pra, është habi mbi të gjitha habitë, kur paska në mesin tonë kaq njerëz “të pagabueshëm”, “të përsosur”, sa Perëndia vetë! Si farisenjtë e kohëve biblike! Dhe “analizat” rreth Kokës së zotnisë (edhe njëherë: të na falni që e përdorim fjalën zotni, sepse kështu të krishterët e rëndomtë e thërrasin tradicionalisht meshtarin e tyre), nuk pushojnë së linçuari rreth tryeza histerike nëpër llupmen-facebbok-ët shqiptarë: të shpallet tradhtar, të varet, të shpallet persona non-grata, u quajt satana, beelzebul e çka jo tjetër! … Dhe e keqja shkon edhe më tutje me anë të linçimit të tillë, duke ftuar mijëra e mijëra të rinj të Kosovës (është e njohur metoda e manipulimit me masat) për ta dënuar priftin tradhtar, kriminel etj etj. dhe për t’iu dhënë shkas të shfryhen fundbotshëm…
Pa çka se familja e don Anton Kçirës, me prindin intelektual (të shkolluar para luftës së dytë botërore) Pashk Kçirën, shpërngulet në Maqedoni për shkak të përndjekjes politike serbe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore; asgjë nuk qenka se A. Kçira vazhdoi traditën e shkollimit – diplomoi Fakultetin e Filozofisë – drejtimin e teologjisë kishtare; pa çka se në vitet ’60 e ‘70 u angazhua në pajtimin e familjeve të hasmuara dhe këtu bashkë me hoxhën e Baranit dhe shumë veprimtarë tjerë pajtuan familjet e hasmuara, pra kudo hynte don Antoni shtrihej dora e pajtimit; u harrua se zëri i tij nuk pushoi së reshturi kundër gjenocidit dhe padrejtësive serbe që ushtrohej ndaj këtij populli paqedashës që në ato vite deri më 1989, kur shumëkush kokën e fuste në rërë dhe kur edhe vetë detyrohet të migrojë në Amerikë, në Detroit, për shkak se e kërcënuan me njëmijë shantazhe; se nuk la pa udhëhequr dhe marrë pjesë në asnjërën demonstratë që është organizuar nëpër metropolet euro-atlantike; nuk la portë të kancelarive të Evropës e Amerikës pa depërtuar për t’i hedhur dritë të vërtetës shqiptare; në shumë takime në Shtëpinë e Bardhë me ish-kryetarin e Amerikës, Bill Klintonin, në Vatikan me Atin e Shenjtë – Papa Gjon Palin II, në Paris me Zhak Shirak, në Londër me Toni Blerin, në Bon me Shrëder e shumë e shumë përfaqësues dhe zyra tjera diplomatike me ndikim në Evropë e Amerikë…
Ja disa vlerësime të të tjerëve:
Pjetër Arbnori, Shkrimtar, ish i burgosur Politikë për 28 vjet dhe Kretar i Parlamentit të Shqipërisë: “Mbeta shumë i kënaqur me shqiptarët e Detroitit në Kishën e Shën Palit. Eshtë MERITA E FAMULLITRARIT QË KA MBAJTUR TË GJALLË BESIMIN NË ZOTIN DHE KOMBËTARE. Dhënte Zoti, që të gjithë shqiptarët ta ndjejnë veten të bashkuar kudo që janë.”
Dr. Ibrahim Rugova, President i Kosovës:
“Me nderimin më të madh për Tempull të Zotit, që ruan shpirtin shqiptar e fetare të besimit. Kisha e Shën Palit, qoftë bekuar me fjalënderim për atë që KA BËRË PËR KOSOVËN e TË GJITHË SHQIPTARËT. E falënderoj veçantë Imzot Dom Antonin për shpirtin e Tij të madh. Zoti na bekoftë!’
Vlerësime të shumta kanë dhënë edhe shumë e shumë të huaj.
Por le të më lejohet këtu ta përkujtoj edhe një ngjarje, atë të Ramë Bllacës, i cili, mbas përpjekjeve të tij për të mos nënshkruar dokumentin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi (Turqia as sot nuk e ka hequr atë dokument të nënshkruar nga krajli serb në fillim e nga kryekasapi serb Rankoviq, pas Luftës së Dytë Botërore, më vonë, për shpërnguljen e shqiptarëve nën firmën turq)…donin ta vrisnin më të afërmit; por pasi ua bën një pyetje: matni të mirat e të këqijat që ua kam bërë, atëherë vendosni, – ata heqin dorë nga qëllimet ogurzeza.
Për fund: cili nga ne nuk paska bërë një gabim të ngjashëm shfryrjesh e zemërplasjesh! Vetëm shkoni nëpër disa tubime dhe i shihni “të përndritshmit” tanë! Vetëm lexoni intervistat e tyre dhe i shihni se sa me bollëk janë ato!
Të gabosh është njerëzore, por të qëndrosh në gabim, është djallëzore – thuhet në Bibël. Don Anton Kçira e tha të veten edhe pas këtij linçimi mediatik. Ndërsa djallëzia jonë nuk ka të sosur. Ajme!