Domosdoshmëria për një politikë të re

0
37

Nga Artan Vatoci, 14 Dhjetor 2010

A është shoqëria shqiptare e pjekur dhe e maturuar, që të përqafojë një politikë të re drejtuese?

Nëse këto ditë mund të jap një përgjigje me një PO të thjeshtë, kam frikë që mbas një muaji do detyrohem të them një JO të komplikuar. Çdo gjë që ndodh në Shqipëri sot në politikën e saj, nuk vjen nga strategjia e momentit, por si rrjedhojë e asaj çfarë ka ndodhur në Shqipëri në tre dekadat e fundit. Si çdo gjë që ka një fillim dhe një fund, edhe cikli i një politike drejtuese ka fillimin dhe mbarimin e saj.

Duke u përqendruar në të tashmen dhe çfarë do vijë, po përmend vetëm për pak se çfarë kemi kaluar këto tre dekada, për të kuptuar pse jemi ku jemi dhe ku po shkojmë. Këto tre dekada kemi parë një lider të rrëzohet, një tjetër të dalë në pension dhe një tjetër që është në kulmin e tij. Të tre këta lidera kanë një të përbashkët, që në politikë është thelbësore, kanë përqafuar të njëjtën ideologji, të majtën.

Nëse i pari u “rrëzua” sepse vdiq, dy të tjerët u reformuan duke ju përshtatur klimës politike të ndryshimeve rajonale, kushtëzuese, por edhe për të mundësuar mbijetesën e tyre politike. Në vitet 88-90 Alia u perceptua nga shumica e popullit si një reformator, por që kishte duart e lidhura nga pjesa konservatore e komunistëve shqiptarë. Në fakt ato “reforma” që filluan të bëheshin në atë kohë ishin të kushtëzuara nga vetë kalbëzimi i sistemit komunist se sa nga dëshira e tyre për të ndryshuar.

Përvoja në drejtimin e një shteti dhe një populli, të jep luksin që të kesh një largpamësi për të marrë vendime politike, të bësh një strategji afatgjatë. Kjo mendoj ishte arsyeja e vetme përse Alia filloi të ndryshojë kursin dhe dalëngadalë bëri kalimin e pushtetit në duar të sigurta dhe pa gjak. Në prag të rrëzimit të sistemit, ishte krijuar një elitë intelektuale që ishte e mirë-edukuar (për aq sa i jepte mundësi sistemi). Kjo elitë intelektuale ishte rritur dhe edukuar me ideologjinë komuniste, dhe “rebelimi” ndaj të vjetrës, ndaj një sistemi që ishte kalbëzuar, nuk mund të shkonte më larg se sa ishte e lejuar, ndryshe do humbiste shansin për të përfituar nga e reja që po vinte.

Ajo çfarë ndodhi në dhjetor 1990 ishte një “riformatim” që iu bë “kompjuterit politik” shqiptar, mbas “virusit” që mori nga revoltat e ambasadave dhe të studentëve. Një riformatim duke ri-instaluar shumicën e “programeve dhe dokumenteve” të bëra “backup”, por me “new drivers”. Ky “kompjuter politik” ka 20 vite që punon dhe tani po jep shenjat e mbarimit të ciklit të punës. Por nuk është se politika e 20 viteve nuk ka bërë detyrat e shtëpisë. Edhe ajo ka krijuar “elitën intelektuale” të saj që do mbështetet për të bërë “riformatimin” politik. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë edukim perëndimor falë edhe mundësive që krijoi sistemi i ri politik shqiptar.

Kjo pjesë e “elitës intelektuale” po përgatitet për të bërë transformimin nga “politika e vjetër” në “politikën e re”, por që nuk është asgjë tjetër veçse vazhdimësi e asaj që ka nisur njëzet e ca vite më parë. “Virusi” po jep shenjat e para në “kompjuterin politik” sot dhe së shpejti do ketë nevojë për një “riformatim” tjetër. Këtë radhë “virusi” nuk janë revoltat popullore apo protestat nëpër rrugë, këtë radhë është rrënimi ekonomik, vjedhja, korrupsioni, tradhtia kombëtare. Ky është një virus më i rrezikshëm dhe “riformatimi” do bëhet në kohë më të shkurtër, ndoshta akut, në krahasim me të parin.

Në këto momente që po kalon Shqipëria, ka një hapësirë shumë të vogël që duhet të shfrytëzohet nga pjesa e shëndoshë e shoqërisë shqiptare, të shfrytëzohet nga pjesa e shëndoshë e elitës intelektuale dhe politike që të bëhet kalimi në një politikë vërtet ndryshe dhe të re. Nuk duhet të vazhdojmë të qajmë se çfarë ka ndodhur dhe përse kemi devijuar nga idealet e dhjetorit, por të shpalosen ide dhe platforma se çfarë do bëhet tani e mbrapa, për të hyre në një etape të re.

Partia Socialiste ka kryer ciklin e saj të rigjenerimit, ajo ka filluar ciklin e zgjerimit të saj. Problemi nuk qëndron te e majta, sepse ajo nuk ka ndryshuar ideologjinë, vetëm e ka reformuar atë. Problemi qëndron tek e djathta që nuk ka bërë riciklimin e saj dhe si pasojë nuk ka shumë hapësirë për tu reformuar. Si në shumë vende të Evropës Lindore, parti me peshë në elektorat të dala mbas sistemit komunist, kanë pasur një cikël 10-15 vjet dhe pastaj kanë rënë në nivelin e 2-5% të elektoratit.

Çfarë të ardhme ka PD-ja dhe e djathta në përgjithësi? Duke mos pasur ndryshime elitash drejtuese në partitë e të djathtës, e vetmja mundësi mbetet kalimi i drejtimit të këtyre partive në “duar të sigurta”, me komandim. Nëse një gjë e tillë ndodh, shumë shpejt do sjellë një shpërbërje përfundimtare të kësaj partie. Kjo duhet të jetë një kambanë për të gjithë ata që kanë bindje vërtet të djathta, që shkatërrimi i të djathtës do sjellë një qeverisje nga e majta për një kohë të gjatë.

Pra, e humbura e vërtetë është e djathta shqiptare, janë shanse të humbura për të marrë drejtimin e vendin, shans që s’e ka pasur asnjëherë këto tre dekada. Elita politike dhe intelektuale e të djathtës (jo vetëm me emër) duhet të filloje procesin e riorganizimit, që një proces i pashmangshëm të mos ta gjejë të papërgatitur. Periudha e tranzicionit ka shërbyer si rrjet filtrimi për politikën shqiptare dhe atë mbarë kombëtare. Shumica e kësaj elite politike, janë në pritje të gjatë dhe shpresojnë që kjo epoke 3 dekadash të kalojë vetë, por ajo do të bëjë një gabim të madh nëse rri e pret. Mosveprimi është më i dëmshëm se veprimi gabim. Koha ka treguar që mosveprimi në dekada, ka çuar atje ku kthimi në rrugë të drejtë duket i pamundur.