Domate dhe rrjedhje!

0
15

Nga Beqë Cufaj

Me ca vrushkuj uji tashmë janë pastruar njollat e domateve të hedhura mbi makinën zyrtare të Edita Tahirit dhe askush më nuk do të mërzitet për atë punë. Bile edhe ajo deklarata e Qeverisë për “huliganët” që hijerëndës makinë qeveritare i dhanë shije “gjaku” nuk paraqet gjë tjetër pos një cinizmi, i cili vetëm në Ballkan dhe ndër (politikanë) shqiptarë mund të vërehet.

Sepse epilogu i “bisedimeve” mes Prishtinës e Beogradit nuk ishte në Sllatinë, as nuk ishte në makinë. Prandaj, sado që njeriu (nuk) mund të pajtohet me aktivistët e VV, megjithatë është e drejtë e tyre demokratike që të reagojnë dhe të ndërmarrin aksione që nuk e cenojnë fizikisht një zyrtar qeveritar.

Por që po nga këta të etiketohen si “huliganë” pjesëtarë të rinj të segmentit më vital të kombit, kjo mund të vijë vetëm nga njerëz, zyrtarë dhe qeveri e paemancipuar. Ashtu siç ishte e paemancipuar vetë Edita Tahiri kur në aeroport gazetarëve serbë nuk donte t’u përgjigjej në serbisht. Është gjynah që asnjërit prej kolegëve shqiptarë të serbëve nuk iu kujtua t’ia bënte një pyetje Tahirit me fjalët: si flet ajo me “partnerin” e saj Borko Stefanoviq në Bruksel?

Natyrisht, serbisht dhe pa përkthyes. Sepse, ky përkthyesi është i ulur në anën e sipërme të tryezës për t’ia përcjellë në anglisht Cooperit fjalët e “Beogradit” e të “Prishtinës” që shumicën e kohës bëhen në serbisht.

Epo, kësaj mënyre për shitje patriotizmi mund t’i thuhet joemancipuese dhe nëse doni edhe më shumë… Por kështu nuk është vetëm Tahiri. Kështu janë pothuajse shumica absolute e politikanëve shqiptarë në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Luginë e gjetiu.

Apo s’po na e tregojnë rrjedhjet e botuara këto ditë në mediet në gjuhën shqipe. Nëse Kosova, për fat të mirë apo edhe të keq, këtë gjë e di vetëm një dreq, nuk është edhe aq e pranishme në këto kabllo të botuara në Wikileaks – dhe kjo mbase ngjet sepse në vend kemi zyrtarisht Ambasadë amerikane vetëm pas 17 shkurtit 2008 dhe viti më pas ishte ende nën emocionet e hapit të madh… e shohim në Tiranë dhe sërish pjesërisht në Prishtinë se çfarë thonë e bëjnë politikanët shqiptarë sot.

Njerëz të pamoralshëm e të pacipë. Kameleonë që bëjnë çdo gjë për t’u pasuruar mbi kurrizin e qytetarëve. Vjedhës votash dhe përfitues të paligjshëm tenderësh. Spiunë ziliqarë që shkojnë te “baba” të rrëfehen për çdo imtësi dhe mëri… Dhe kur flasim kështu shohim që s’kanë as ideologji as parti (atdhe aq më pak!).

Apo nuk janë të të dy krahëve politikë: Gramoz Ruçi (PS dhe “hija” e Edi Ramës), Paulin Sterkaj (PS), Tom Doshi (PS), por edhe Lulzim Basha (princi i PD dhe Doktorit), Sokol Olldashi (PD), Enkelejd Alibeaj (PD), ata që John Withers në “kabllon” e tij i quante si “pjesëtarë rrjetesh mafioze” në politikën e Tiranës. Po si ta komentojmë atë që Shkëlzeni, i biri i Doktorit, e thërret shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare dhe e kërcënon në telefon për Gërdecin? Po “hafija” Lubonja që flet për Mero Bazen në Ambasadën Amerikane…

E kështu me radhë e kështu me radhë. Apo inatet e Thaçit me LDK-në në zgjedhjet lokale? Po frika e tij ndaj Limajt për punën e votave?… Krejt, pothuajse krejt këto materiale, shkresa, ngarkesa e shkarkesa nuk bëjnë gjë tjetër pos që në pah nxjerrin një peizazh përshkrimesh (të shkëlqyeshme) të diplomatëve amerikanë – dhe mos dyshoni që këtë gjë dhe pikërisht në këtë frymë nuk e bëjnë edhe britanikët, gjermanët, francezët, italianët, për politikën dhe politikanët shqiptarë gjithandej në Ballkan.

Shumica absolute e të cilëve nuk janë gjë tjetër pos ca sqimatarëve dhe mediokrëve, të cilët vazhdojnë të jenë larg realitetit të të pasurit të një vizioni për të tashmen e të ardhmen e popullit që drejtojnë. Kabllot amerikane dhe botimi i tyre nuk janë tragjedia. As fundi i botës. Sepse edhe ashtu kjo punë tashmë u krye dhe Wikileaks u delegjitimua me mënyrën e bërjes publike të tyre.

Shumë më tepër, shasistja qëndron diku tjetër: krejt ato që fliten, dhe këtu duhet të jemi të kujdesshëm, pra jo vetëm “pasqyrat në shtypin ditor”, por edhe nëpër “institucionin absolut shqiptar” (John Withers) në kafene pra, pak a shumë janë edhe të vërteta. Pra, kurrë mos thuani që nuk është e vërtetë nëse do të dëgjoni për lidhje mafioze kryeministrash e ministrash… shefash e shefesh… konflikte e përçarje, dosje e tenderë… Sepse ishin këto kabllo ato që na dhanë të kuptojmë që pa ngrënë hudhrën… duhma nuk të del.

Pyetja në fund: si të hiqen qafe këto kasta politike kaq të korruptuara dhe të kompromituara, të shantazhuara dhe të kapërthurura? Me ca domate të hedhura mbi Edita Tahirin dhe të tjerë si ajo? S’e besoj. Sidoqoftë: kabllot vazhdojnë të shkruhen!