Dom GJERGJ META: Dhe ideologjia vazhdon…

1
26

Marrë nga gazeta PANORAMA: http://www.panorama.com.al/2012/07/31/dhe-ideologjia-vazhdon%E2%80%A6

U bënë disa herë rresht që profesor Pëllumb Xhufi intervistohet mbi çështje të rishikimit të historisë në këtë 100-vjetor të shpalljes së pavarësisë. Me të drejtë gazetarët u drejtohen historianëve dhe atyre që historinë e japin mësim. Megjithëse një profesor i imi i Filozofisë teoretike në Itali më thoshte shpesh: “Është një gjë të japësh mësim filozofi, e është një gjë tjetër të jesh filozof”. Ndoshta në rastin e prof. Xhufit gjërat përkojnë, por unë dua t’i jap vetes mundësinë e një hapësire dyshimi krejt subjektive e ndoshta paragjykuese për të cilën kërkoj ndjesë qysh në krye të këtij shkrimi.

Në dy intervistat e fundit, njëra e botuar te gazeta “Shqip” e datës 8 korrik 2012 dhe tjetra te gazeta “Mapo” e datës 20 korrik 2012, ndër të tjera, profesori bën disa pohime që krijojnë një farë hutimi tek ata që i lexojnë. Unë për vete bëj pjesë në atë brez njerëzish që historinë e ka studiuar deri në klasë të tetë në shkollat e komunizmit, e kam bërë përsëri në shkollë të mesme në kohën e demokracisë 1990–1994 dhe më pas në të lartën, 1994-2000, por jashtë Shqipërisë, më saktësisht në Itali. Kur dëgjoj dhe lexoj prof.

Xhufin më duket vetja nxënësi i klasës së tetë, ku historia ndahej në partizanë dhe gjermanë, të mirë dhe të këqij, kulakë dhe fshatarësi e thjeshtë, borgjezë dhe proletarë. Këtë përshtypje më japin intervista të tilla. Ndoshta sepse historiografia ajo “është” dhe ashtu “duhet të jetë”, por ama ka disa aspekte që në këtë vendin tonë nuk mund dhe nuk duhet të jenë sikur atëherë kur unë isha në klasë të tetë.

A mund t’i zëmë besë një historiografie e cila është themeluar në ideologjinë e luftës së klasave dhe këtë e ka ngritur në statut të sajin epistemologjik për pothuajse 50 vjet? Kjo ideologji e ka penguar shkencën jo vetëm në funksionalitetin e saj, por edhe në bazën e saj, pikërisht në statutin e saj epistemologjik. Kur një shkencë preket pikërisht në një pikë të tillë nevralgjike, humb forcën e saj argumentuese dhe ka nevojë për rithemelim. Kjo nevojë rithemelimi duhet të nisë pikërisht në rrënjën e saj për t’u shtrirë më pas në të gjithë objektin e saj të hulumtimit, e deri në përfundimet që duhen nxjerrë.

Ky ideologjizim i këtij statuti ka ndodhur në historiografi, në letërsi, në art e madje tek-tuk arritjet e Partisë dhe të pushtetit popullor i shikoje edhe në libra të fizikës. Ka pasur një letërsi të realizmit socialist, ka pasur përkthime të cilat bëheshin të cunguara ose nuk bëheshin fare nga autorë të mëdhenj. E gjithashtu, ka pasur një art pamor e kinematografik shërbyes dhe skllav të një regjimi me aty-këtu ndonjë disidencë të fshehur, por që nuk i ka hequr asnjë grimcë granitit partiak dhe ideologjik. Në vazhdimësi të kësaj prekjeje ideologjike të statutit epistemologjik është edhe shkenca e historiografisë, dhe nuk kishte se si t’i shpëtonte kësaj gjëje.

Sigurisht, për të gjykuar punën e një historiani duhen parë veprat e tij, dhe këtë mund ta bëjë vetëm një historian, i cili, po me aq argumente apo edhe më shumë, kritikon, ripohon apo hedh poshtë tezat e kolegut të tij. Për të polemizuar p.sh. me prof. Xhufin duhet të jesh një medievist, por ama, kjo bëhet atëherë kur ai shkruan për mesjetën, dhe jo për modernitetin dhe bashkëkohësinë. Por, meqë studime të mirëfillta të modernitetit dhe bashkëkohësisë mungojnë me autorësinë e profesor Xhufit, atëherë po kapemi pas rreshtave të intervistave të gazetave.

Një historian apo profesor historie që lëshon edhe intervista në të përditshme dhe ia dorëzon ato publikut që lexon gazeta, duhet t’i nënshtrohet edhe kritikës së këtij publiku të thjeshtë në të cilin bëj pjesë edhe vetë.

Nga dy intervistat e sipërpërmendura del një përfundim, se profesor Xhufi ende nuk është shkëputur nga historiografia ideologjike komuniste. Modeli marksist i qasjes ndaj së vërtetës, i cili u përdor për pothuaj 50 vjet nga lideri ideologjik i komunizmit, Enver Hoxha, ndaj çdo figure dhe ngjarje historike, ende vazhdon të frymëzojë qëndrime dhe pozicionime të historianëve dhe njerëzve të kulturës. Nuk po merrem me shumë gjëra, por vetëm me dy apo tri citime prej intervistave të profesor Xhufit.

Në intervistën në gazetën “Shqip”, prof. Xhufi thotë: “Çohen në piedestal lloj-lloj klerikësh katolikë, ithtarë të Shqipërisë së ‘kantoneve’, deri edhe frati-kuisling Anton Harapi, dhe lihen në heshtje e harresë Ndre Mjeda, Dom Nikollë Kaçorri dhe një armatë e tërë katolikësh” (gazeta “Shqip”, 8 korrik 2012). Së pari, nuk na thotë emrat e atyre klerikëve “ithtarë kantonesh” që qenkan ngritur në piedestal. Së dyti, historiografia aktuale nuk ka nevojë të bëjë të njohur Dom Ndre Mjedën dhe Dom Nikoll Kaçorrin, pasi të dy ishin paqësisht të rehabilituar nga ideologjia komuniste.

Ne i kemi studiuar nëpër shkolla të dy, madje Mons. Kaçorri është bërë “i pavdekshëm” edhe te filmi Nëntori i Dytë. Është tjetër gjë turpi protokollar me të cilin eshtrat e tij u pritën në Rinas. Kurse Anton Harapi ishte dhe mbetet i pazbuluar për historinë tonë me gjithë kontributin që ai ka dhënë me shkrimet e tij dhe veprimtarinë e tij, sidomos sepse diti t’i vendosë shpatullat shpëtimit të Shqipërisë në vitet 1943-1944, për të shmangur përplasjen e rëndë të fashizmit mbi popull dhe për ta shpëtuar vendin nga depërtimi i komunistëve jugosllavë e rusë në Shqipëri përmes dorës së Enver Hoxhës.

Kësisoj, prof. Xhufi kinse në emër të harresës së disa figurave katolike, të cilat të harruara nuk kanë qenë, dëshiron përsëri, sikurse e kaluara ideologjike të ripropozojë vlerësime mohuese të shumë figurave të rëndësishme të jetës shqiptare, për të mos thënë se bën edhe diversion. Kjo tregon një lloj keqdashje dhe qëndrim mohues ndaj figurave klerikale, në mënyrë të veçantë klerit katolik, i cili ka dhënë një kontribut të pashembullt në themelimin e identitetit nacional dhe kulturor shqiptar.

Po ashtu, në të njëjtën intervistë, profesori i nderuar thotë: “Përkujtohen e nderohen klerikë, sa myslimanë, aq edhe ortodoksë e katolikë, nga ata që ishin kundër alfabetit latin e kundër shkrimit shqip…” (gazeta “Shqip”, 8 korrik 2012). Dua vetëm emrin e një kleriku katolik, i cili ka qenë kundër alfabetit latin dhe kundër shkrimit shqip. Mjafton, i nderuar profesor, të mendoni për pak çaste Kongresin e Manastirit. Jam i bindur se profesori e di mirë këtë gjë (një lapsus naiv?), por sikurse bëhet rëndom në Shqipëri, për një par condicio clericorum, fut në një thes shumë gjëra që një historiani dhe anëtari të Akademisë shqiptare të Shkencave dhe Arteve nuk i bëjnë nder. Edhe ky citim pa emra, pa data, pa referime. Nga një intervistë gazete nuk mund të presësh më shumë, por nga një historian dhe akademik po.

Ja një citim tjetër nga intervista e prof. Xhufit në gazetën “Mapo”: figurat për t’u nderuar “…jo rastësisht përzgjidhen nga shtresat sociale të bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve, klerikëve: pikërisht ato shtresa të regjimit të vjetër (dovletit), aksioni politik e produkti historik i të cilave është karakterizuar nga egoizmi, pavendosmëria, krahinarizmi, kolaboracionizmi dhe deri te tradhtia e hapur ndaj interesave të atdheut” (gazeta “Mapo”, 30 korrik 2012). Profesori rikthehet me sulmin e tij ndaj disa figurave e ndër ta edhe klerikëve, e përsëri këta klerikë mund të jenë për par condicio të të gjitha feve, por autori e di mirë se kujt i referohet. Për analogji (dhe një analogji bindëse) janë po ata klerikë që para do kohësh bënë bujë nga libri i prof. Putos, veçanërisht Harapi dhe Fishta, dy “hala në sy” të regjimit komunist.

Ende historia, sipas profesorit, ndahet në pashallarë, bejlerë, bajraktarë e klerikë nga njëra anë, e rilindës, përparimtarë, e iluministë nga ana tjetër, a thua se pikërisht Hasan Prishtina, Vaso Pasha, Abdyl vej Frashëri e vëllezër, vetë Ismail Qemali, Dom Ndre Mjedja e Nikoll Kaçorri, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani etj., nuk vinin pikërisht nga klasat dirigjuese dhe nga klerikët e kohës. Edhe njëherë duket qartas një shikim bardhezi i historisë, i ngurtësuar, që përveç atyre figurave tashmë të njohura dhe të pranuara nga e kaluara ideologjike, nuk pranon të tjera në panteonin e saj, se përndryshe asaj i bien themelet dhe muret e zbulohet lakuriqësia e atyre që banojnë brenda këtyre ngrehinave ideologjike. Dialektika marksiste dhe lufta e klasave bëhet kriter dhe themel i gjykimit mbi gjithçka, madje edhe mbi objektivitetin e arkivave.

Në intervistën e fundit profesori jep edhe një leksion të vlefshëm shkence historiografie. Ai flet për distancën historike nga ngjarje dhe personazhe, e nevojshme për një hulumtim sa më objektiv. Ja citimi: “Që ngjarjeve të sotme t’u jepet një sens historik, duhet më parë të hyhet në rropullitë e brendshme të tyre, të zbulohen motivet dhe arsyet e mëdha, që përcaktojnë veprimet dhe ngjarjet historike. Për arsyet që sapo përmenda, kjo kërkon një distancë të arsyeshme kohore, kur mund të gjykohet me qetësi e pa paragjykim për ngjarje e personazhe të caktuara historike. Dhe, mbi të gjitha, kërkon ballafaqimin me aktet dhe dokumentacionin përkatës, konkretisht me atë të viteve 1944-1990, për të cilën ligji parashikon kufizimet përkatëse” (gazeta “Mapo”, 30 korrik 2012.)

Nëse ju profesor kërkoni një distancë historike, atëherë, në të mirë e në të keq, përse nuk e ruani këtë distancë për Patër Anton Harapin, për Mustafa Krujën, për Fan Nolin, i cili ka vdekur shumë vonë e brenda atyre viteve që thoni ju, e për të tjerë për të cilët ju në intervistat tuaja jepni gjykime absolute? Edhe një herë, ne që jemi më të rinj, shohim me keqardhje se ka shumë vrer dhe inat dhe aspak objektivitet dhe qartësi. Apo ndoshta kështu ndodh sa herë që shkenca hyn në politikë dhe anasjelltas?

1 COMMENT

  1. Persa i perket filozofise teoritike, qe permend ne fillim te replikes, ajo ska nevoje per filozofi pasi trajton filozofine e te tjereve. Pasi e lexova shkrimin, fjala paragjykuese besoj se nuk ka vend sepse menyra e trajtimit te temes eshte bere vendosmerisht e argumentuar. Xhufi, tashme filozofon si historian dhe historizon si sherbetor i politikes. Ai eshte bere nje specialist per te ju konfirmuar nje ene ashtu si lengjet dhe eneve te tjera, ne vend qe te marre formen e saje, i jep enes formen e vet. Historia qe na ofron Xhufi, eshte ideologjike dhe e shtremberuar por jo krejtesisht irreale. Nuk eshte e veshtire te kuptohet se historia ne rrjedhen e saje shekullore, eshte shkruar pothuajse vetem nga shtytje ideologjike te te gjitha llojeve.

    Por shkencen, realisht e ka penguar shume me pare se ideologjite moderne, ato religjoze dhe ne kundershtim ekstremisht te hapur me parimet dhe udhezimet origjinale (Opozicioni brutal ndaj njohjeve te reja te shekullit XV – XVI dhe me vone)

    Keshtuqe, nevoja per rithemelim, duhet te nise pikerisht aty dhe jo vetem per kronicitet, porse do te ndihmonte te kuptojme rrealisht se pse disa kriminele te veshur me petkun e intelektualit, na e kan sjellur pothuaj perhere, te shtremberuar historine duke ngarkuar breza te tere me pallavra e mashtrime.
    Sa per argumentime, do te mjaftonin arsyet me te cilat vepronte inkuizicioni dhe per te cilin paturpesisht nuk eshte shkruar kurre nga numenklatura relegjioze por nga te tjere jashte saje.
    Arti komunist, nuk ka bere tjeter pervecse kopjimit te metodave kishtare, me nje faj jo te vogel, qe nuk diti t’i zbukuroje dhe t’i modernizoje. Djegja e librave dhe e njerezve eshte e hereshme dhe fatkeqesisht la gjurme te thella ne mentalitetin europian. Keto te fundit, e cuan perpara me ideologji populiste duke fhsehur me shume sukses sadizmin mesjetar qe kishin te trasheguar.

    Anton Harapi, sigurisht ka merita te pamohueshme, letrare, pedagogjike dhe sociale. Po te lexosh deklaraten e tij se pse futet ne politike, te duket mjaft bindese, por kjo nuk duhet te pengoje askend, te kujtohet se qeveria kuislinge u be aleate me forcen me gjakatare te kohesdhe ne kulmin e kriminalitetit te saje njerezor. Une nuk besoj, se Krishti (Lum na per Te), per te shpetuar disa, do te aleohej me Herodin apo me cilindo gjakatar te kohes.

    Meqenese zhvillimet e kohes, treguan se, kjo qeveri ju adoptua asaj mbreterore (Viktor Emanuel III), ata i dolen per zot me shume nje vazhdimesie se sa per te mbrojtur vendin. Dhe u pa dukshem, se nuk kishin as me te voglen ide ne organizimin e shtetit propocionalisht me situaten e atehereshme, duke e konstrastuar ne menyre adoleshente forcave partizane, qe ne fund te fundit, luftonin kunder okupatorit, gje te cilen kesaj qeverie as qe dhe i shkonte nder mend. Kjo gje solli qe partizanet te merrnin lehtesisht Shqiperine ne duar, pa as me te voglin kundershtim shteteror, duke i dhene te drejte historise te fuse ne gjirin e saj nje anomali te pabesueshme: Fitorja e rendit (komunist), ne nje vend me mentalitet aq arkaik sa ai mesjetar. Dhe per kete nuk ka se si mos te jene pergjegjes, duke lene menjane ikjen e paburrerishme ndaj detyres per te cilen ishin betuar.

    Persa i perket kontributit te klerit shqiptar (me ate katolik ne krye), i shtrire pothuajse ne te gjitha aktivitetet jetike dhe qe mundesuan per deri ne egzistencen e kombit dhe te gjuhes se tij, eshte absolutisht qesharake te merresh me Xhufin, sepse pa punen e tyre, vendimtare per ate kohe, as vete Xhufi nuk ka kapacitet imagjinoje se c’identiteti dhe gjuhe do i perkiste. Ne kete drejtim, Xhufi, jo vetem nuk eshte profesor i nderuar, por nje manipulator i pa maskuar. Mjafton te krahasosh fjalen e mbajtur nga Fishta ne Paris me ate te Hoxhes, per te kuptuar cilesite perkatese te tyre.

    Per me teper, sot po ndodh nje tjeter anomali; Ne nje parlament dhe qeveri te mbushur me kelyshe dhe lakejte e Ramizit dhe Nexhmies per zgjedhjen e personave per t’u nderuar, na e bekan klasat e permbysura qe, cuditerisht “nuk kerkuan te gjykohej kriminaliteti i pashembullt i Enverit dhe Nexhmijes me kompani, gje qe e ka cuar vendin ne nje kaos total, ku gjithcka merr vlere, pervec njeriut, por nderimi i disa personave qe nuk i heqin nje qime te keqes.

    Kjo strategji teper inteligjente u perdor per t’i shpetuar gjykimit te drejtesise se vertete, duke ja arritur me sukses qellimit dhe duke na e bere perseri politiken ne forma te kamufluara. Por brenda ketij kuadri, Dom Gjergjit, si analist i paanshem dhe per te ju kundevene Xhufit ne menyre praktike, do te ishte shume interesante te bente nje studim analitik dhe me metoda krahasimore periudhen 25 vjet pa fe dhe me ate te 20 vjeteve me fe.

    Persa i perket egoizmit, kohet treguan, se jo vetem klasat e deklasuara ne kohen kur ata ishin ne fuqi, por edhe klasa e re u gjend ne varken e pa asgjesueshme te egoizmit, e cila po lundron ne mijevjecare pa ju trembur asnje lloj dallgeje.

    Zakonisht, ne profanet e historise, guxojme te japim edhe perkufizime ne lidhje me zhvillimet historike te njerezimit. Sidoqofte, per aq sa me lejon kultura personale dhe eksperienca e drejte per drejte, marr guximin te pohoj, se, kristianizmi dhe komunizmi nuk kane egzistuar ndonjehere ne formen e tyre origjinale. Me sa duket, degjenerimi i species tone, lejon shtremberimin e te se vertetes dhe per me teper shtremberimin e kthejne ne te vertete duke e transformuar ne ligj dhe rregull jete. Kam pershtypjen, se keshtu ka ndodhur respektivisht me Krishtin dhe me Marksin. Kam bindje, se vetem koha do te na ndihmoje te gjejme te verteten, duke shpresuar ne proverbin tone: “E verteta vonon por nuk harron”

    Me respekt Shkoder Locja

Comments are closed.