TemA, 11 Tetor 2013
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, jo vetëm është i bindur që Katovica është zbatuar në Shqipëri, por thotë se ka dokumente sekrete për këtë çështje.
Ai e zbuloi një dokument të vitit 1989 në emisionin “Debat” në Channel One.
“Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri. Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87. Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë. Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete. Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji. Dokumenti që po ju tregoj është një faksimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike,” tha Pëllumbi.
“Ky dokument është shtruar në Byronë Politike dhe ndër të tjera unë po citoj disa pjesë. Ramiz Alia është mbështetur në materialin e Gorbaçovit dhe thotë: “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”.
Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.
Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.
Momenti i dytë është ai i përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.
Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”.
Dhe moment tjetër. “Çdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë”. Dhe përfundimi është ky: “Me këtë strategji brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.
Ndër të tjera, Ramiz Alia thotë se këtë material kam dy vjet që po e studioj. I ka ardhur në 1987-n dhe në tetor të viti 1989 ai e bëri publik në Byronë Politike si strategji të kalimit të Shqipërisë në demokraci. Dhe kujdestarët që do zbatonin këtë strategji i ka zgjedhur Ramiz Alia. Ka 23 vjet edhe çështja e të përndjekurve politikë nuk është zgjidhur, çështja e pronës po ashtu. Kush ka qenë në krye të vendit? 15 vjet Sali Berisha dhe 8 vjet Fatos Nano”./ep