Nga Bledi Mane
Retro
Shpesh rri e vras mendjen,bluaj në kokë si mullinjtë e vjetër kafenë turke, pyetjen misterioze pse Kryeministri im ka kaq shumë debolesë për këtë Fahriun e 55-ës?
Gërvisht paksa kujtesën në memorien time dhe kujtoj se ish gazetari i vjetër i “Zërit të Popullit” nuk ka qenë ndër të parët intelektualë apo themelues të opozitës së 1991-shit. As pjesë e redaksisë a gazetarëve të parë të RD-së, as kandidat apo deputet në zgjedhjet e para pluraliste. Aty nga fillimi i vitit 1992 kur u duk ashiqare që fitorja po i trokiste në derë opozitës antikomuniste të Tiranës, aty diku 2-3 javë para zgjedhjeve të 22 marsit mbaj mend se Fahri Balliu botoi një letër të hapur ku protestonte fuqishëm dhe largohej publikisht nga Partia ish Komuniste, tashmë Socialiste. Si i regjur me kulisat e pushtetit, e kishte nuhatur nga po anohej pushteti dhe pa cipë e pa përtesë ia behu andej nga fundi i rrugës së Kavajës, atje ku ishte selia e demokratëve dhe ku kishte filluar ndarja e llokmave dhe përfitimeve të qeverisjes.
Aty nga dhjetori i 1997, në një nga udhëtimet e mia me “mision” drejt Kanadasë së bashku me njerëzit që i ndihmoja të emigronin ilegalisht, mora si zakonisht gazetat e pafund që ke në bordin e aeroplanit edhe librin “Berisha përmes kasandrave”, blerë në një nga të paktat kioska që shisnin libra aso kohe në Tiranë. I shkruar nga zoti Balliu, ky libër edhe pse është ribotuar sërish me disa korrigjime dhe kopertinë (jo më kuq e zi) blu, ma neveriti biografikisht dhe publicikisht me atë lloj servilizmi dhe patosi të frustruar që përshkruhej. Nuk po zgjatem duke komentuar pse botimi i parë ishte “sponsorizuar gjithë dëshirë” nga Familja rentiere lushnjare e Xhaferrajve, nuk dua tu lodh me ndonjë recension, nuk ua sugjeroj ta blini & lexoni, por thjesht edhe kësaj here çuditem si i pranon Berisha këto lloj servilizmash orientale të pështira?
Shpesh dëgjon nëpër Tiranë se miqësia e tropojanit Berishë dhe elbasanasit Balliu është disi e vjetër dhe daton diku nga fillimi i viteve ’80. Më duket paksa e pabesueshme që Sala ta ketë ruajtur kaq gjatë shoqërinë me të e ndërkohë kujton se miqtë e vjetër të Doktorit ose kanë vdekur aksidentalisht, ose janë vrarë, ose janë përzënë me dhunë, ose kanë gjetur një qoshe të qetë ku pleqërojnë e vegjetojnë me gojën mbyllur hapur vetëm kur ushqehen.
I bukur dhe për marshallaaaaah
Nuk e gjej dot se me çfarë arsyesh a shkaqesh e atrakton Sali Berishën ky Fahriu i 55-ës. Unë i shkreti jam anëtar më i vjetër i PD-së sesa Fahriu dhe deri tani nuk i kam rënë në sy Doktorit. Fahriu hapet bythësh nëpër Tiranë me një fuoristradë Audi Q7, e cila kushton 80 mijë euro dhuratë nga Mihal Delijorgji, ndërsa mua nuk më ka falur askush asnjëherë ndonjë abone Unaze, linjë me të cilën udhëtoj shpesh. Fahri Balliu nuk di të përdorë as tastierën e kompjuterit dhe më çudit ku i gjen paratë që boton gazetën “55” që s’ia blen kush e i del me humbje financiare, ndërsa unë me një qerre arsimim e gjuhë të huaja jetoj mes sakrificash me honorare artikujsh e përkthime të ndryshme.
Kam më shumë nam të keq e nam të mirë se Fahriu e përsëri jam pa miq në qeveri a parti. Kur shfaqem unë në televizione e debatoj lirshëm e sillem pa pordhë, kam më shumë audiencë sesa kur del Fahriu dhe gjindja edhe pa folur e dinë se çfarë broçkullash do të nxjerrë nga goja. Unë jam 1.90 i gjatë, elegant e bukurosh, me numrin e këmbës 46, me penis 20 cm dhe doktori as nuk ma vërshëllen fare e përsëri ka mik dhe ndihmon pa kushte Fahriun pa flokë, të shëmtuar e të gjatë 169cm. Kam 1400 miq në Facebook, kam jetë seksuale aktive, numër celulari Vodafone Club, josh femra e meshkuj, çupërina e mami të martuara, ndërsa Fahriut nuk ia var më as gruaja dhe as pastruesja e redaksisë së tij, por aman Berisha ia var.
Unë kam udhëtuar tmerrësisht shumë, kam lexuar dhe lexoj që nga fëmijëria e deri tani, në bibliotekë a wc, në burg a aeroplan, në fakultet a kafene dhe nuk bëj dot rolin e sipërmarrësit. Ndërsa Fahriu megjithëse edhe sms-të nuk i lexon e as nuk i dërgon dot nga celulari është në gjendje të ngrejë kompani ndërtimi fantazmë si “Alpin” e të përlajë 300 milionë euro njëherësh për të ndërtuar rrugë si ajo Levan-Vlorë apo segmente të veçanta të rrugës Levan-Tepelenë. Fahriu merr paratë e taksapaguesve, nuk i ndërton rrugët fare ose i vonon dhe nuk ndjen as përgjegjësi morale e ligjore dhe për këtë nuk paska as prokurori e as gjykatë ta hetojë a dënojë?
Mua të shkretin më kanë burgosur pa fund e madje më kanë gjobitur 1 milionë lekë pse më rrahën jo 1 a 2, por pesë policë të Rajonit 1. Unë jam besnik me miqtë e vjetër a të rinj dhe po kanë nevojë për ndihmën time bëhem copë që t’i ndihmoj. Pardje takova rastësisht Nikoletën, transeksualin e parë shqiptar të cil(ë)in e njoh nga koha kur vuanim te 313-a, ndava me të paketën e cigareve e i dhashë 2 mijë lekë të vjetra. Më dhimbset se është i braktisur e i paragjykuar deri në kockë, ndërsa Fahri Balliu mikun e tij të vjetër Ismail Kadare e bëri dalje me njëherë pse ky i fundit i shkruajti letër publike Lul Bashës në qershor.
Fahriu guxoi tepër frikshëm duke sulmuar si sovjetik i pareformuar stalinist një nga të paktat “beautiful mind of Albania”, ndërsa Berisha e kundron qetësisht dhe ende e mban afër Fahriun. Unë përpëlitem e tmerrohem dhe kurrë nuk e paguaj në kohë qeranë e banesës ku jetoj sepse me vështirësi kursej ato pak para që fitoj, ndërsa Fahriut i kanë falur zyra të reja luksoze për redaksinë e gazetës e madje ka në pronësi edhe një shtëpi botuese, nga e cila nuk fiton asgjë, por vetëm humb miliarda. Sa me fat mor burrë që është ky ish komunisti elbasanas i reformuar vonë, me fat vetëm e vetëm se ka nam dhe hiqet si është mik i ngushtë i kryeministrit.
Eureka!
I dashur Berishë, më duket se lodhem kot duke vrarë mendjen pse ti ose pse prej teje fiton kaq abuzueshëm ky Fahri Balliu? Si çakall i vjetër pa dhëmbë, por eunuk pushteti që je, ti nuk ke nevojë për këshillat e tij. Nuk ka mes opinionit publik ndonjë impakt impresionues për Fahri Balliun e ti të përfitoje dhunshëm nga ky impakt, nuk të shtohet nuri e rinohesh nëse fytyrën pllaqi të Fahriut e mban afër, nuk e ke Fahriun ndonjë menaxher të mirë a largpamës që të këshillonte Argitën a Shkëlzenin si Nostradamus të bizneseve apo karrierës së familjarëve të tu, as Liria jote nuk ka nevojë të mësojë prej tij receta gatimi a garderobe se Fahriu vetëm vezë di të ziejë.
Ti Doktor e di, unë e di, Fahriu vetë e di, të gjithë njerëzit e këtij vendi e dinë: nuk ka asgjë të fshehtë pse Fahri Balliu përfiton çdo minutë nga regjimi yt kusar. Ti e di, bashkë me ty dhe ne e dimë, edhe Ina Rama dhe Shpresa Beçaj e dinë. Fahri Balliu ka marrë peng tët bir, Fahri Balliu me vajzën e tij dhe Mihal Delijorgjin futën në vallen e vrasjeve të Gërdecit Shkëlzenin tënd. Fabrika e demontimit gjatë marsit të tragjedisë më 2008 kur plasi korrupsioni dhe tritoli i qeverisjes tënde të pangopur, zyrtarisht kanë pasur për pronarë shtetasit Mihal Kristo Delijorgji, Henris Fahri Balliu dhe Shkëlzen Sali Berisha. E dimë or Doktor e dimë, por a ia mban bytha ndonjë gjykatësi model gjingjon, sashenk, a tomndrec t’i dënojë këta të dy të fundit?
Unë zyrtarisht ndjehem dyfish më i bukur e më i qetë se Fahri Balliu. Natën nuk më shfaqen në gjumë të vdekurit e pa kallur të Gërdecit!
*facebook.com/bledi.mane







