Bledar H. Prifti
Faktorët politikë të cilët do të ndryshojnë totalisht ambjentin politik në të ardhmen e afërt do të jenë kandidatura e Fatos Nanos për President të Republikës, përplasjet brënda opozitës dhe LSI-së, dhe kualicioni PD-LSI. Së pari, për vite me radhë, kandidatura e Fatos Nanos dhe ambicja e tij për postin e presidentit janë përdorur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta si oportunitet për të mbajtur të përcarë dhe në kaos të përhershëm Partinë Socialiste (PS) dhe të majtën. Fatmirësisht, kësaj epoke po i vjen fundi. Pazarit Berisha-Nano po i vjen fundi, dhe Nano po pret që Berisha ta bëjë atë president.
Bërja ose mosbërja e Nanos President do të ndikojë në një ndryshim të konsiderueshëm të ambjentit politik Shqiptar. E gjendur përballë këtij fakti, Unë mendoj se PS e Edi Ramës duhet të bëjë zgjedhjen e saj nëse do të mbështesë ose jo këtë kandidaturë. Partia Socialiste DUHET të pranojë dhe të mbështesë kandidaturën e vetshpallur të Fatos Nanos për faktin se tashmë Nano është më shumë problem i Berishës dhe Partisë Demokratike (PD) sesa i Ramës dhe PS. Duke pranuar dhe mbështetur kandidaturën e Nanos, PS dhe Rama ia lënë problemin në derë Berishës dhe PD-së, ose e thënë popullorce, ia lënë dobiçin në derë. Nëse PS mbështet kandidaturën e Nanos për president, të gjithë skenarët e nxjerrin PS fituese nga ana politike.
Skenari 1—PS mbështet kandidaturën e Nanos me qëllimin për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme nëse parlamenti nuk arrin të zgjedhë presidentin në raundin e katërt ose të pestë. Pakënaqësitë brenda PD gjatë procesit të votimit dhe një bllof i PS në votim mund të shkatonin zgjedhje të parakohshme.
Skenari 2—Edhe nëse Nano zgjidhet president për një arsye apo tjetrën (gjë që ka pak gjasa të ndodhë), PS përsëri do të shkaktojë një tërmet politik tek e djathta, dhe Bamir Topi do ketë të gjitha mundësitë për të krijuar një parti që do ta përcante seriozisht të djathtën. Urrejtja e bazës demokrate për zgjedhjen e Nanos president dhe urrejtja e Topit për dëbim nga posti i presidentit do e bëntë përcarjen të pa evitueshme. Nano President dhe Meta e LSI me 20%-in në qeveri dhe administratë do të demoralizojnë në kulm elektoratin e djathtë dhe do e portretizojnë PD si një forcë politike e cila i shërben vetëm ardhjes në pushtet të familjes Berisha-Nano-Meta dhe jo të demokratëve të thjeshtë.
Kjo situatë brënda së djathtës do të bëhet edhe me alarmante në prag të zgjedhjeve të 2013-ës kur LSI do të kërkojë një numër të konsiderueshëm deputetësh në listat e deputeteve të kualicionit nëse do të vendosin të garojnë së bashku. Nga ana tjetër, PS nuk humbet asgjë më shumë nga ajo që ka humbur nga bashkpunimi i deritanishëm i Nanos me Berishën apo nga “të mirat” që Topi president i ka bërë PS dhe opozitës.
Skenari 3—Nëse Nano nuk zgjidhet president (më e mundshmja), atherë Nano do të krijojë një urretje patetike përkundrejt Berishës dhe Metës. Ka shumë gjasa që këto shtërngimet e sotme të duarve midis Nanos dhe Berishës të shndërrohen në grushta dhe kacafytje histerikësh që do t’i kujtojnë Shqiptarëve dyshen Nano-Berisha gjatë qeverisjes socialiste. I bindur se Berisha “ia drodhi”, Nano do të kuptojë së ai gjatë gjithë këtyre viteve ka qënë një lolo dhe kukull e Berishës dhe Metës.
Portretizimi dhe perceptimi politik i Nanos si një lolo dhe kukull e shpërfytyruar nga ana e Berishës dhe i Metës nuk do të kapërdihet lehtë as nga Nano dhe as nga agjentët e tij tek e majta. Ata tipa që sot japin dhjetë sharje për Ed Ramën, dhe që e mbyllin tinëzisht me një sharje për Berishën, nesër do të bëhen anti-Berishian të tërbuar si Ilir Meta dhe Artur Zheji qëmoti. Rrjedhimisht, të gjithë figurat e opozitës do të kthehen nga Edi Rama pasi Nano kurrsesi nuk mund të ketë fytyrë për tu dalë para socialistëve. Turpërimi i Nanos do të bashkojë me hir dhe pahir të gjitha figurat opozitare.
Pavarësisht faktit nëse Nano zgjidhet ose jo President i Republikës, përcarjet brenda opozitës së majtë do të limitohen ndjeshëm për shkak të pamundësisë së Berishës dhe Metës për të blerë dhe shpërblyer ata që synojnë shkatërrimin politik të Ramës dhe PS-ës. Mungesa e kockave brënda oborrit të pushtetit do të bëjë që të larguarit nga PS drejt LSI të jargosen dhe të shqyhen me njëri tjetrin më herët nga cfarë mund të imagjinohet (imagjinoni konfliktin Meta-Prifti). Për shembull, Ylli Manjani (dhe të tjerë si ai) u largua nga PS drejt LSI sepse Ed Rama nuk e bëri deputet. Këtu lind pyetja: A mund të durojë Manjani (dhe të tjerë si ai) të vazhdojë të jargoset për postin e deputetit apo ministrit edhe pas zgjedhjeve të 2013-ës? Është e vështirë që Manjani të kapërdijë këtë fakt të së nesërmes. Imagjinoni gjithashtu kur Vangjel Tavos t’i bashkohet Kastriot Islami dhe ndonjë tjetër. Jargët do të pëlcasin kudo brënda LSI. Kë do bëjë deputet më parë Berisha dhe Meta në 2013-ën: Metën, Haxhinasen, Naqen, Vasilin, Koken, Islamin, Manjanin, Tavën, apo Tigrin?
Të ndodhurit përpara një situate të tillë brenda LSI do të bëjë që shumë bashkpuntorë të Metës dhe Nanos në PS të friksohen dhe të ndryshojnë qëndrimet e tyre politike. Rama duhet ta kuptojë këtë situatë dhe të tregohet realist duke shkatërruar këdo që kërkon të shkatërrojë atë dhe PS. Tufa e hienave duhet ose të shkatërrohet ose të shndërrohet në një tufë delesh produktive për PS-në. Në të vërtetë, kjo nuk duhet të jetë zgjedhja e Ramës por zgjedhja e palës kundërshtare. Pragmatizmit dhe realizmit i duhet përgjigjur me të njëjtën monedhë. Mos tingëllon pak si e vrazhëd? Nuk e besoj! Është thjeshtë cështje e zgjedhjes racionale, sidomos kur pabesia dhe “tradhëtia” janë shndërruar në vlera të pranueshme nga shoqëria dhe politika.
Faktori i tretë që do të ndryshojë thelbësisht situatën politikë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë ngritja e kualicionit parazgjedhor midis PD dhe LSI. PD dhe LSI mund të zgjedhin të hyjnë në zgjedhje të vecuar, por kjo lëvizje do të ishte e rrezikshme për të dy forcat politike. Nëse kjo ndodh, atherë të dyja forcat do të humbisnin mandate deputetësh dhe do t’i trëmbeshin daljes së PS si forcë fituese e cila do të kishte të drejtën për të formuar kualicionin qeverisës (nëse nuk do të kishte mandatet për të qeverisur e vetme). LSI do t’i frikësohej skenarit nëse PS do të vendoste të qeveriste me PD në një qeveri të përbashkët rotacioni që do të fokusohej tek reformat, përfshirë këtu edhe kodin zgjedhor. Nga ana tjetër, PD do t’i trëmbej skenarit nëse PS vendoste të qeveriste me LSI. Gjithashtu, LSI dhe PD do të kuptojnë se së bashku ato maksimizojnë numrin e mandateve. Por hyrja në një kualicion parazgjedhor do të kishte problemet e veta në ndarjen e numrit të deputetëve për secilën parti.
Sa deputetë do t’i falte Berisha Metës dhe LSI-së? A mundet që ai numër deputetësh të kënaqë Metën, Haxhinasen, Naqen, Vasilin, Koken, Islamin, Manjanin, Mejdanin, Tavën, apo Tigrin? Si do të vepronte Meta nëse nuk do t’i përmbusheshin dëshirat për numrin e deputetëve? Kush e garanton Berishën se Meta nuk do të kërkojë postin e Kryeministrit ose nuk do të bëjë kualicion paszgjedhor me PS me Metën kryeministër? Nëse Nano do të zgjidhej president, a do të votonte baza demokrate edhe për deputetët e mësipërm, p.sh për Islamin dhe Tavon? Sa do të ndikonte në formimin e kualicionit moszgjedhja e Nanos president? A nuk do të duket vërtetë sikur edhe në këtë rast Berishës dhe Metës iu ka ngelur dobici në derë?