DO TA THELLOJË PUSHTETI KONTROLLIN MBI INSTITUCIONET?

0
39

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Është momenti i një numri të madh emërimesh në Gjykatën e Lartë e në atë Kushtetuese, anëtarët e së cilës qëndrojnë në atë detyrë për nëntë vjet me radhë. Është mandati kushtetues më i gjatë në kohë. Në fakt, në rrethana të caktuara politike, nëntë vjet mund të duken sa një përjetësi. Por nuk është vetëm kjo arsyeja që përgjegjësia e anëtarit të këtyre gjykatave është një nga më të rëndësishmet e republikës.

Këto gjykata – përveç të tjerash – vigjilojnë në mbrojtje të ligjit e të Kushtetutës, e luajnë funksionin e kundërpeshave në ekuilibrin ndërinstitucional. Gjykata jonë Kushtetuese e ka luajtur këtë rol në të shumtën e kohës gjatë dekadës së fundit. Kanë qenë gjyqtarët e kësaj gjykate, me zotësitë e tyre profesionale e me integritetin e tyre moral, që e kanë shndërruar këtë institucion në një gardian të rendit kushtetues e republikan.
Javët e fundit e pamë të merrte dhe rolin atipik të gardianit të territorit.

Të gjithë pushtetet ekzekutive bëjnë çmos t’i kenë me vete e për vete këto gjykata, dhe kjo është arsyeja që në emërimin e anëtarëve të tyre futet në lojë më shumë se sa një institucion; kjo është arsyeja, gjithashtu, që mandatet e tyre janë të koracuar (ata shkarkohen me shumicë të cilësuar veç në rrethana të një pamundësie evidente për të kryer funksionin e në rrethana të një krimi spektakolar të kryer prej tyre).

Interpretimi sipas germës i Kushtetutës sonë na fut në kokë idenë fikse, se zgjedhja e anëtarëve të këtyre dy gjykatave është në dorë të Presidentit e të Parlamentit. Por fryma e saj kërkon pjesëmarrjen në këtë lojë edhe të opozitës. Përndryshe, njëra prej palëve, qoftë kjo në mazhorancë apo në opozitë, do të kish motive për t’i parë këto gjykata si institucione armiqësore, gjë që nuk do t’i shërbente stabilitetit e shëndetit institucional të republikës. Me fjalë të tjera, megjithëse germa e Kushtetutës thotë se në të tilla raste mjafton një shumicë e thjeshtë, do të ishte e udhës që të ndiqeshin udhëzimet e frymës së të njëjtës Kushtetutë e të kërkoheshin shumica të cilësuara, nëpërmjet të cilave do të tërhiqej në valle edhe opozita.

Do të ndodhë kjo? Në fakt, mazhoranca mezi e ka pritur këtë moment për ta thelluar kontrollin mbi të gjitha institucionet.

E megjithatë, Berisha i sotëm ka takat më pak se sa duket e më pak se sa do donte. Në këtë kuptim, opozita bën mirë ta rrisë presionin që ka zënë të ushtrojë, me synimin për ta shndërruar këtë moment në një kauzë të saj. Nuk duhen lënë gjykatat të bien nën hyqmin e pushtetit ekzekutiv. Dhe kjo nuk realizohet duke këmbëngulur, që atje të emërohen gjyqtarë “socialistë”. Jo, kjo realizohet duke penguar një trade off të ndyrë, i cili po përflitet prej kohësh, e më pas duke këmbëngulur, që atje të emërohen gjyqtarët më të mirë të vendit.