Nga Edi Rama
Nesër në orën 4 ne do të jemi në bulevard me këdo që dëshiron të demonstrojë paqësisht, por vendosmërisht për largimin e Saliut dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme. Do të jemi në bulevard për këdo që sot nuk e shtyn dot me jetën e përditshme për shkak të vuajtjeve e vështirësive të pafundme që regjimi vrastar i kusarisë shton përditë mbi kurrizin e shqiptarëve të zakonshëm.
Me këdo e për këdo që sot nuk përballon dot më çmimet e ushqimit të përditshëm. Të cilat rriten përditë sepse ata që vodhën zgjedhjet po e vjedhin përditë Shqipërinë duke zbrazur xhepat e familjeve të zakonshme të këtij vendi dhe duke vrarë edhe te ardhmen e këtij vendi.
Nesër në 4 në bulevard me këdo e për këdo që sot nuk duron dot më të jetë i papunë dhe të shohë sesi qeveria grabit me një dorë 1280 pasuri të këtij populli. Të cilat janë 1280 episode si ai i videokusarisë që llahtarisi të madh e të vogël dhe duhen ndaluar me forcën e protestës popullore kundër kusarisë. Kjo kusari në pushtet s’ka parti, s’ka fe, s’ka atdhe. I grabit të gjithë njësoj, socialistët e demokratët e zakonshëm.
Nesër në 4 në bulevard me këdo e për këdo që sot nuk e sheh dot më si të veten këtë qeveri përgjegjëse për katër vrasjet makabër dhe për të gjitha plagosjet me arme zjarri në mes të Tiranës. Të cilat u shkrepën mbi popullin nga regjimi i kusarisë që vrau për të vazhduar të vjedhë. Nuk u vranë socialistët, u vranë të gjithë, u vra liria dhe dinjiteti i katër shqiptarëve, prindër të papunë fëmijësh që u bënë jetimët e regjimit të kusarisë.
Nesër në 4 në bulevard me këdo e për këdo që nuk e pranon më padrejtësinë si normë dhe drejtësinë si nj aspiratë të parealizueshme as kur vriten njerëz, 4 demonstrues si në 21 janar, 26 skllevër si në Gërdec, një deputet si para zgjedhjeve të shkuara, një kryekomunar si pak kohë më parë. Të cilët janë viktimat njerëzore të padrejtësisë që vret çdo ditë ëndrra, shpresa, të drejta, duke dëshpëruar përditë shqiptarë të pafajshëm që s’gjejnë dot të drejtën e punës, të drejtën e pronës, të drejtën e të jetuarit denjësisht në atdheun e tyre, për shkak se Shqipëria është marrë peng nga një regjim vrastar kusarësh.
Nesër në 4 në bulevard për këdo që sot nuk i dëgjon dot më gënjeshtrat e përditshme të Saliut. I cili duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të krizës duke i rikthyer përfundimisht këtij populli të drejtën që të zgjedhë lirisht qeverinë e vet dhe lirinë që të mos jetë më vartës po gjykatës i qeverisë që zgjedh.