DJE, SOT DHE KRYEPOLITIKANI QE RIDHUNON HISTORINE

0
67

Nga Falma Fshazi

«Çdo budalla mund të bëjë histori, por duhet një gjeni që t’a shkruajë atë.» thotë Oscar Wilde, ky mendimi i të cilit të ushton në veshë ndërsa dëgjon sugjerimet e politikanëve mbi mënyrën e trajtimit të historisë dhe analizat e tyre historike. Ka dy momente bashkohore në lidhje me politikën e historinë në të cilat dua të ndalem, por më përpara se të analizoj ato dua të qartësoj mendimin tim në lidhje me gjendjen e histori bërjes në Shqipëri duke u mbështetur padyshim në formacionin tim, historiografik. E kam pasqyruar këtë botëkuptim timin në dy artikuj të mëpërparshëm (Gazeta Shekulli, Eshtrat e një mbreti dhe Historitë Paralele, Dhjetor 2010 dhe Gazeta Panorama, Shkencat Sociale në Shqipëri dhe libri i Clayer,’ 1.12.2009). Gjithsesi e ndjej se ka disa gjëra që nuk duhet reshtur së thënuri, jo për t’i imponuar, por për hir të një integriteti profesional e ndjeshmërie qoftë intelektuale e qoftë qytetare. E padyshim, në një moment revolte personale për atë ç’ka shof e dëgjoj për e mbi historinë veçanërisht këto ditë.

Duke qënë se ofron baza për vetë kënaqësi të përbashkëta social-kulturore aq sa dhe të bën të harrosh situata bashkohore socio-ekonomike, historia ka qënë përherë një strehë fort e dashur për politikanët. Percepsionet mbi të shkuarën që i nevojiteshin fort shtet-kombeve, natyrshëm kanë bërë që historia të jetë dhe ajo degë e shkencës sociale mbi të cilën politikanët janë mbështetur përherë për të deklaruar e vërtetuar legjitimitetin e tyre dhe aksionin e tyre politik. Gjithsesi, sa më tepër shoqëri të ndryshme kanë përparuar në standartet e jetesës së individëve/grupeve aq më shumë historia është ç’vlerësuar si mjet suksesi politik, ndërsa kanë marrë përparësi zhvillimet konkrete e imediate. Sa më shumë këto zhvillime konkrete e imediate janë reflektuar në fushën kulturore e sociale aq më shumë shoqëritë e ndryshme kanë bazuar krenarinë e tyre kollektive në vlera e përparime bashkohore, e aq më pak në disa fitore historike. Në këtë linjë dhe si rrjedhojë e përpjekjeve të mëndjeve fort të ndritura intelektuale historia, në këto shoqëri ka ardhur duke u çliruar nga kthetrat e përdorimit politik ndërsa i dorëzohej përherë e më shumë, asaj që i takon, shkencës.

Dihet se dhe në vendet e zhvilluara akoma ka debate e probleme me versionin zyrtar të historisë dhe historinë në tektet shkollore. Por, padyshim në këto vende ka shkencëtarë socialë të cilët historinë e kanë profesion, e zhvillojnë si të tillë në institucione shkencore dhe politika nuk ka asnjë tagër ndërhyrjeje në brendësinë e punës së tyre. Ata nuk janë të detyruar të punojnë për bërje historie kombëtare e as për zbardhjen kësaj apo asaj historie që vendos ky apo ai grup deputetësh. Ata punojnë të analizojnë dinamikat socio-kulturore e politike në kohë e hapsira të caktura. Në këtë kuptim ato nuk kanë qëllime të paracaktuara për të përmbushur, por kërkojnë për të kuptuar në shumësinë e tyre ndërlidhjen e dinamikave të shoqërisë njerëzore. Ajo çfarë ato shkruajnë, nuk është në shërbim të atij apo këtij shteti, a grupimi politik, por në shërbim të punës kërkimore e mendimit shkencor në një institucion a vënd të caktuar aq sa dhe në hapësirën ndër e transkombëtare të shkences sociale. Në këtë kuptim në ka një burim mburrje kollektive në punën e tyre, nuk është ajo e heronjve kombëtar apo popujve heroik, por e punës së bërë mirë e shumë mirë, e detajeve që nuk janë anashkaluar dhe rigorozitetit e disiplinës shkencore.

Ndryshe, gjithë kjo do të thotë që drejtorët e institucioneve shkencore nuk janë robër të shërbimeve politike e as të prodhimit të lëvdatave kollektive për kënaqësinë e bashkështetasve a më tej, bashkombasve. Më përtej, ata janë zërat më të respektuar e me të frikshëm të kritikës socio-kulturore, politiko ekonomike. Krejt e kundërta e kësaj, janë tipikisht diktaturat në të cilat historianët, në fakt, si shumica e shtetasve janë robër politiko-ekonomik dhe eproveta kulturore. Siç, veçanërisht historianët, me ose pahir, bëhen laborantët që mbushin, testojnë, ngjyrosin këto eproveta. Diktaturat nacional-komuniste të luftës së ftohtë ishin, njëra më pak e tjetra më shumë, të tilla në lidhje me historinë. Rrjedhimisht, pamvarësisht punës hulumtuese me vlerë veçanërisht teknike të disa historianëve ato histori dhe ai botkuptim historie duhet riparë tërësisht.

Në këtë moment, jam dakort si me Ministrin e Jashtëm Turk që i sugjeroi kosovarëve të mos riprodhojnë historinë e Enverit apo Titos, ashtu dhe me kryeministrin shqiptar që insiston në rishikimin e historisë. Por, dakortësia ime me këta të dy në këtë çështje është vetëm në këtë moment e ndoshta në këtë fjali, jo më tej. Problemi i parë është se asnjë nga këto, qofshin dhe prof. doktorë nuk janë historianë profesionistë dhe askush nuk mund të thotë se analiza e tyre historike në momentin kur janë politikanë ka lidhje me historinë më shumë se me interesin politik, cilido qoftë ky. Gjithsesi, do të lë mënjanë rastin turko-kosovar i cili kërkon dhe një analizë të marrëdhnieve të dy vendeve, duke u ndalur te politika e brëndëshme shqiptare dhe historia të cilën këto ditë e ka kthyer në pasionin më të fundit të z. Berisha.

Zoti kryeministër do të rishikojë historinë shqiptare e cila ka në thelb problemin e politizimin dhe pafuqinë e daljes nga detyra e heroicizimit të kombit a popullit duke riprodhuar të dyja këto, por me një version që i pëlqen politikanit aktiv. E në fakt, këtu rigjenerohet, riforcohet e riprodhohet përdhunimi i historisë, kur ky historian amator me aktivitet politikan e me ndjeshmërinë e natyrshme për të legjitimuar politikat e veta na jep në vazhdimsi leksione historie. Por, përdhunimi i shkencës, nuk fillon as mbaron këtu. Në vazhdën e një administrate politike – shëmbulli më madhor i të cilës është goditja në zyrë e punonjësve të bashkisë për arësye politike – kemi të bëjmë dhe me historianë që prodhojnë histori sipas pushtetit. Shëmbujt e kësaj janë versionet e historisë të viteve ’97 të disa teksteve shkollore dhe përdorimi i romaneve historike për analizë historike, të dyja këto fenomene të problematizuara sa në shtypin e shkruar aq dhe në programe televizive. Historianët që prodhojnë këto lloj historirash, nuk performojnë veç në tekste, por shpesh i gjen drejtues institucionesh shkencore ku historia, nën pretekstin e rishikimit, bëhet me orientim politik, duke ndryshuar veç të mirët me të këqinjtë sipas llogjikës nacional-komuniste.

Në këtë llogjikë, simbolizuar në ligjërimin historik të kryeministrit, ne patriotët, nacionalistët, atdhedashësit e pasardhësit e heronjve madhështor, ngihemi me histori ndërsa kryeministri mund të shesë e blejë çdo gjë të tundëshme e patundëshme në vend. Përsëri ne, që kryeministrin e kemi aq të ditur e ndritur sa na flet gjere e gjatë për histori, nuk prodhojmë dot shkencë e institucione shkencore që të jenë referencë shkencore ndërkombëtare përtej referencës teknike ose dhënies si shëmbull. Prap ne, që kryeministrin e lejojmë të na tregojë kush futet e kush hiqet nga historia, cili muze bëhet e cili nuk bëhet, e çfarë duhet të ketë në muze, nuk kemi një muze që të jetë reference ndërkombëtare qofte dhe në shkallë rajonale. Veçanërisht ne, që i vumë kazmën varrit të diktatorit, durojmë çdo ditë një kryeministër i cili krejt si diktatori na mëson, ku e si duhet të punojnë historianët dhe ka versione personale për pjesë të historisë shqiptare. Ndërsa ky, po siç «shoku» Enver, ka bërë Shqipërinë shëmbull suksesi ndërkombëtar e këtë si «shokun» Enver e kanë rrethuar armiqtë e popullit, që mund të jenë – këtë herë jo diversantë, spiunë e bashkëpuntorë, por – pengues të zhvillimit, mosdashës të integrimit, lavire, horrë, të përdalë, drogaci, a aktive në shtrat deshërish.

Në këtë vazhdë ndërsa të gjithë u bëmë çamçakizë në gojën e kryeministrit e Shqipëria flluskë sapuni në sytë e të shumtëve, mbysja në vete dhjetra rrebelime, por s’munda të hesht për përdhunimin e radhës, atë të historisë. Nuk kisha si mos t’a rishihja të fyer intelligjencën shoqërore, kollektive, individuale, kur nuk kemi pamvarësi institucionesh shkencore e s’dihet se si merren liçencat për atë apo këtë aktivitet në arsim, por kryeministri na bën histori. E, kjo nuk është as historia e katedrës së kardeologjisë, apo vajtjeve në Paris në kohën e diktaturës me bursë të shtetit të «shokut Enver», por bash historia socio-politike e një shoqërie të tërë. S’kam dyshim që kjo nuk është gjëja e fundit e as e parë që dhunohet në Shqipëri, qoftë në rang vlerash, njerëzish, grupesh, ndjeshmërish, hapsirash, shkencash, profesionesh e aspiratash, por kjo këto ditë është më e dendur ndërsa ka mote që vazhdon. Nuk heshta dot kur kryeministri i cili bash si «shoku» Enver kish vendosur e vulosur vetë si duhet të trajtohet korrupsioni që nuk u dashka bërë vegël e politikës duke u valvitur dosjet andej këndej, rivalvit në publik sipas qejfit dosjet historike. E kuptoj mirë, se krejt si në kohën e shokut Enver, dosjet bëhen e ç’bëhen sipas interesit të kryministrit, por ndryshe nga koha e shokut Enver, tash kryeministri duhet t’a ridëgjojë publikisht se ligjërimi i tij e ka një binjak më plak që fatkeqësisht e njohëm mirë dhe se botëkuptimi i tij historik është i skaduar, aq sa dhe dhunues i shkencës së historisë.