Nga Kimete Berisha, 3 Gusht 2013
“Muzika është e poshtër. Me të kënaqet shejtani. Nuk kënaqet Allahu. Nuk ka hajr n’të. M’i fal pesë kohë namaz e me dëgju’ muzikë nuk është në rregull. Duhet m’u pendu te Zoti e me ra istikfa”.
Kjo është përgjigja e shkurtër e Dr. Shefqet Krasniqit, që ia jep një djali që e ka pyetur se “a është haram të dëgjoj muzikë”!
Dr. Krasniqi nuk e ka hetuar se përgjigja e tij në video e postuar fillon me muzikë.
Veshi është organi i parë që krijohet në trupin e njeriut. Dhe është organi i fundit që vdes. Njeriu edhe në shtrat të vdekjes, të dëgjon çfarë i thua.
Njeriu nuk mund të zgjedhë çfarë do që të dëgjojë. Kur e shajnë, kur e ofendojnë, kur i lëshojnë muzikë të padëshiruar në autobus, në zyrë, në shtëpi, në rrugë.
Njeriu që dëgjon, nuk e mbyll dot veshin e tij për ta ruajtur nga fjalët dhe mesazhet e padëshiruara.
Studiuesit islamë gjithkund në botë janë të ndarë rreth muzikës së ndaluar (apo të pandaluar) me Kur’an.
Disa shkollarë islamë mendojnë se muzika është e lejuar, dhe e përmendin këtë shembullin e Ibn ‘Abbas:
“Aishah ia ka dhënë për martesë një qytetari të Medinës (Ansar) një të afërme të saj. Profeti (paqja qoftë mbi të) ka ardhë dhe i ka thënë, ‘A e kë dërguar së bashku me vajzën edhe një këngëtar?’ ‘Jo’ ka thënë ‘Aishah. I dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të) më pas i ka thënë. Ansarët janë njerëz që e duan poezinë. Është dashur ta dërgosh edhe dikë që do të këndonte, ‘erdhëm, te ju po vijmë, na përshëndesni, ashtu siç ju përshëndesim ne juve’” (e thënë nga Ibn Majah).
Kategorik shfaqet edhe kur përgjigjet në pyetjen se “a është haram që të ngjyrosen flokët”. Ai thotë që mashkulli bën t’i ngjyrosë flokët e mjekrën me kanë, ndërsa kolegët e tij arabë të profesionit thonë se nuk janë të lejuara të gjitha ngjyrat për flokë, për shembull ngjyrën e zezë e ka ndaluar pejgamberi e mos të flasim për ngjyrën pembe, apo ngjyra të tjera jonatyrore.
Duke dëgjuar përgjigjen e Dr. Krasniqit për muzikën “haram” u luta që të gjendet një Eminem që t’ia bëjë përgjigjen varg për këngë!
Mendova për kërkesën e tij që feja të bëhet lëndë mësimore në shkollat e Kosovës.
Në shkollat e Kosovës është e lejuar muzika. Si është e mundur që në njërën orë të mësimit nxënësit të mësojnë për instrumentet muzikore (që islami i konsideron haram), ndërsa në orën pasuese të mësoj për Tchaikovsky-n!
Nxënësi që në njërën orë e mëson artin figurativ dhe pikturën e skulpturën, mëson për Rembrandt dhe Michelangelo, ndërsa në orën tjetër e mëson se feja islame i ndalon rreptësisht figurat, shtatoret, përmendoret, pikturat, fotografitë, etiketat e ngjitura nëpër bluza e në fustane.
Paramendoje jetën pa muzikë. Martesën pa muzikë. Festën pa muzikë! Jeta pa muzikë është shtrat i vdekjes. Është protestë ndaj dashurisë së Zotit. Vetëm kush mban zi, nuk dëgjon muzikë. Ai që na fton të mos dëgjojmë muzikë- na fton të mbajmë zi për Diellin.
Jeta pa muzikë është dashuri ndaj vdekjes dhe vuajtjes.
Çdo njeri në botë është këngëtar. Sa herë që fishkëllen këngën, këndon këngën, belbëzon këngën, njeriu i shpall botës dhe Zotit dashurinë.
Muzika na gëzon edhe kur na pikëllon. Na vë në një dimension tjetër. Muzika të bën udhëtar. Ta rikujton se vetëm dashuria dhe e mira janë me rëndësi në këtë botë.
Disa studiues arabë konsiderojnë se muzika nuk është e ndaluar, por është e ndaluar të dëgjohen këngë që ftojnë njerëzit të pinë raki, të çoroditen, të bëjnë punë të këqija. Muzika bën të dëgjohet (sipas tyre), në festa, në dasma, kur lind fëmiu dhe kur nga rruga kthehet udhëtari.
Muzika është dashuria që kurrë nuk realizohet. Prandaj, këngët që ftojnë për punë të këqija janë këngë që nuk dëgjohen dhe nuk këndohen, prandaj harrohen.
Si lajmërohen këta njerëz, kur secili telefon e ka një zile që të thërret t’i përgjigjesh, e secila zile është tingull, tingulli krijohet nga instrumenti, e instrumenti muzikor është haram (i ndaluar)!
Nuk ka këngëtar shqiptar mysliman që nuk i këndon verës së kuqe, e sidomos rakisë. Nuk ka shqiptar që nuk dëgjon muzikë.
A dëshmon kjo se shqiptarët myslimanë të Kosovës e kanë adaptuar islamizmin sipas nevojave të tyre, dhe kanë bërë reformat të pashkruara.
Dëgjojnë muzikë- që ua ndalon feja, vishen me rrobe me fytyrë të Che Guevares- që ua ndalon feja, blejnë piktura, bëhen piktorë, blejnë mini-skulptura e bëhen skulptorë, anipse ua ndalon feja!
Në web-faqen e Bashkësisë Islame e gjeta këngën e Violetë Kukaj, e njohur për këngët e saj të dashurisë e rakisë, e cila në një rast vargjet e imamit Sabri Bajgora nën titullin “O Allah”, i ka bërë këngë me daulle.
Kënga e Violeta Kukajt këndohet me instrumente muzikore, me def e me tupanë, ndërsa është e xhiruar në ambientet e xhamive ekskluzive.
Nëse kënga është “e djallëzuar”, a është këngëtari “djall”?. Pse pra Bashkësia Islame e lejoi “një djall” që t’i këndojë Zotit!
Duke shfletuar në departamentin e grave islame (BI), gjeta fotot e këngëtareve të tjera kryeshtruar (pa shamia), që këndojnë ekskluzivisht për dashurinë.
Shyhrete Behluli, Teuta Kurti, Violetë Kukaj i argëtojnë me ilahi gratë myslimane të cilave Bashkësia Islame u ka shtruar një iftar më 2009-n.
E qysh bën që këto këngëtare që bëjnë muzikë (të ndaluar sipas Dr.Krasniqit), të jenë legale brenda ambienteve të Bashkësisë Islame!
Të jenë në rregull kur këndojnë ilahi, dhe të jenë jonormale kur këndojnë për dashuri e për raki.
“Mjerë ai i mjeri që flet në emër të Zotit”, këtë e kam lexuar vet në Kur’an. Mjerë ai i mjeri që shkruan fiksion dhe në fund thotë që “Zoti i ka pëshpëritur në vesh”.
Si shkollarët arabë, edhe unë mendoj se Pejgamberi kurrë nuk ka thënë që muzika është e ndaluar (haram).
Kimete, a mendon se po ia mbush mendjen Dr. Hajvan Krasniqit, që merresh me të, apo si? Po ti duhet me e ditë se feja islame është e tillë, ajo të çon drejt shtratit të vdekjes, asgjë më shumë! Atëherë pse habitesh me Dr. Hajvan Krasniqin?
Comments are closed.