Arjan Th. Kallço
Këto ditë shtatori janë të mbushura me disa data të rëndësishme për të gjithë ne, veçanërisht për njerëzit e dijes që nga Dita botërore e Gjuhëve të huja, të Ditës botërore të Ndërveprimit kulturor e deri tek Ditët e shkencës. Disa prej tyre festohen edhe tek ne, sidomos ajo e gjuhëve të huaja me veprimtari të shumta dhe larmishme në të gjithë vendin. Ndoshta dita e Ndërveprimit kulturor deri më sot mund të jetë një risi që duhet të na nxitë të mendojmë thellë për mundësitë e projekteve rajonale kulturore dhe veçanërisht me fqinjët.
Këto ditë po zhvillohet në Korçë festivali i Monodramës që tashmë është kthyer në një traditë të bukur ku marrin pjesë aktorë të shumtë nga ballkani dhe Europa. Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërballkanik pikërisht në këto ditë festimesh botërore. Nëse krijohen mundësitë bashkëpunimi mund të shtrihet edhe më gjerë, por kjo kushtëzohet shumë nga buxheti që qeveria, bashkitë i akordojnë kulturës. Në këtë vit jubilar ka shuëm zëra që shprehin indinjatën e tyre lidhur me sasinë dhe cilësinë e veprimtarive; janë të pakta dhe shumë bëhen sa për të kaluar rradhën.
Nëse do të futnim edhe veprimtari të tjera, besoj se nuk do ta merrnin viston e financimit që është momenti më i rëndësishëm i një veprimtarie, pasi dihet se edhe tek ne shkurtimet ka ndeshur në gërshërën e politikës, që vazhdimisht shëndetësinë, arsimin dhe kulturën përpiqen t’i trajtojnë si sekondare. Të dhënat vetëm të këtij viti flasin për reforma, të paktën shkurtimet kanë marrë statusin e refaormave, dhe shkurtime të buxhetit, por asnjëherë nuk ka prekur buxhetin e parazitëve, të politikanëve.
Këto ditë pata fatin të merrja pjesë në një Konferencë Ndërkombëtare në Kraiovë të Rumanisë dhe tematika lidhej me identitetin e shprehur tek gjuha dhe kultura italiane, për më tepër që këtë veprimtari e organizoi Universiteti i Kraiovës dhe me mbështetjen e Ambasadës, Konsullatës apo shoqatave të ndryshme që operojnë në Rumani. Kjo temë është më shumë se kurrë aktuale edhe tek ne, pasi po kërkohet statusi i vendit kandidat për në Europë dhe pikërisht kur veprimtaritë duhet ta mbushnin boshllëkun, ato skartohen apo nuk realizohen për mungesë fondesh.
Ndoshta shumë pak njerëz tek ne e dinë se në Europë ka ditë të caktuara që lidhen me kërkimet shkencore dhe vetë shkencën. Ose kjo datë është anashkaluar nga institucionet tona të shkencës, ose trullosja “demokratike” edhe proklamat se ritmet tona të zhvillimit janë nga më të lartat në Europë, na kanë dehur dhe vetkënaqur, saqë nuk kemi nevojë t’ia bëjmë të ditura botës. Po atëhere ku është shkenca shqiptare? Dihet në nivelet më të ulta të Europës, pasi edhe klasifikimi më i fundit i universiteteve, nuk e përmend fare Shqiëprinë. Për më tepër që edhe liberalizimi barbar i universiteteve nuk prodhoi asgjë të mirë, veç prapambetje.
Në një artikull të disa ditëve më parë theksova se duhet një reformë serioze deri në fillim të vitit akademik, tani po e them me bindje se duhet të konsiderohet një emergjencë. Në Rumani në bisedat me kolegë mësova se edhe zgjedhjet në universitete kishin ndryshuar, duke i hequr karakterin masidh dhe në dukje demokratik. Vetëm stafi akademik votonte për rektorin dhe askush tjetër, jo më studentët, dhe më pas rektori në bazë të meritokracisë emëronte dekanët dhe këta të fundit zv.dekanët, duke patur një lloj decentralizimi në institucionet më të rëndësishme të shkencës. Ka ardhur koha që edhe tek ne të ndryshojë gjithçka, duke filluar që nga zgjedhjet.
Por përvoja europiane tregon se në lëvizjen e madhe shkencore, nuk përfshihen vetëm universitetet, si bërthamat kryesore ku duhet të bëhet shkencë, shoqata shkencëtarësh, por më i interesuari që ta promovojë dhe financojë është biznesi. Ky koncept tek ne as që është menduar ndonjëherë dhe jo më të ketë patur nisma që të organizohen kërkime dhe studime shkencore nga vetë bizneset dhe organizatat e ndryshme që lidhen me prodhimin. Jemi të destinuar me politikat e deritanishme që vetëm të thithim dhe të mos prodhojmë shkencë. Të bën përshtypje një fakt në Itali, ku një shoqatë shkencore Fraskati, i kushton ditë të caktuara përhapjes së zhvillimit të energjisë së pastër, pikërisht në prag të fillimit të vitit të ri akademik.
Qysh dje e deri më datën 28 që është caktuar si Nata europiane e studiuesve, do të organizohen një sërë veprimtarish si konferenca, prezantime të librave, eksperimente, biseda shkencore, shfaqje dhe shumë muze do të hapin dyert e tyre. Shoqata Fraskati – shkenca e kërkimeve lindi nga nevojat që njerëzit të ndajnë së bashku dhe të jenë pjesëmarrës në këtë trashëgimi të rëndësishme, duke promovuar edukimin për kërkimin shkencor dhe komunikimin me publikun e gjerë përmes veprimtarive përhapëse dhe rjeteve të komunikimit të qëndrueshëm midis studiuesve dhe qytetarëve.
Pas gati një muaji, më datën 10 nëntor, do të organizohet për të dymbëdhjetin vit radhazi Dita botërore e shkencës për paqen dhe zhvillimin. Kjo datë u shpall nga Unesko-ja në vitin 2001 në të gjithë botën dhe çdo vit theksohet impenjimi i Unesko-s në sektorin e shkencës, si dhe për të reflektuar mbi impaktin që shkenca ka në shoqëri. Ditët nuk mungojnë dhe të shpresojmë që edhe tek ne shteti dhe institucionet tona të shkencës të kenë guximin të organizojnë veprimtari të tilla, qoftë në fillim kujtesë dhe më vonë me karakter të vërtetë shkencor.
Arjan Th. Kallço
Pedagog i Gjuhës Italiane
Universiteti Fan S. Noli, Korçë







