DITA sot: Një llogaritje mbi deklarimet, fëmijët e kryeministrit fitojnë.. 3 milionë lekë në ditë

0
42

Aida Nako, 24 Dhjetor 2012

“Shumë shpejt do merren vesh arsyet pse e bëjnë. Kjo pastaj do jetë më ndryshe”. Kjo ishte përgjigja e Berishës disa ditë më parë për pyetjen e një gazetari se si i shpjegonte të ardhurat (të jashtëzakonshme si shifra edhe për vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria) të dy fëmijëve të tij, Shkëlzen dhe Argita Berisha. Në thelb kryeministri refuzoi përgjigjen për pyetjen e bërë nga reporteri.

Andrea Stefani thote: “Për një vend si Shqipëria, ndoshta më i varfëri në rajon, përfitime të tilla nuk mund të mos jenë sensacionale. Ndaj shumëkush pret që Kryeministri, aq më tepër kur në axhendën qeveritare po përflitet shumë për antikorrupsionin, të japë shpjegime mbi ligjshmërinë e këtyre përfitimeve. Por jo, Kryeministri nuk e kishte fare këtë mendje: “Shumë shpejt do të merren vesh arsyet se përse e bëjnë… ke dëgjuar ti reagim? Jo…

Se çfarë fshihet prapa këtyre klithmave, absolutisht shpejt do të merret vesh”. Një ligjërim hermetik, zhgënjyes për një politikan që 8 vjet më parë u ringjit në pushtet me flamurin e antikorrupsionit. Kujt i duhen arsyet se përse opozita ngre akuza të tilla? Kujt i duhen skenarët paranojakë me “grupe armiqësore” që Berisha e ka zakon t’i hedhë në publik sa herë ndihet ligsht? Ajo që do të dijë publiku, dhe mundësisht nga goja e Kryeministrit, është nëse ato janë përfitime të ligjshme. E nëse një Kryeministër nuk ka një përgjigje pozitive, ai nuk do të mund të vazhdonte qeverisjen në asnjë vend ku ekziston minimumi i shtetit ligjor. Dhe rezulton se Kryeministri Berisha nuk e ka një përgjigje të tillë…”

Sa fitojnë konkretisht? 3 milionë në ditë
Po sa fitojnë realisht fëmijët e kryeministrit të Shqipërisë? Në kakofoninë e zërave që krijohet rëndom pas çdo denoncimi në Shqipëri, për shkak të mediave përgjithësisht të blera, është e vështirë që qytetari të përqëndrohet. Megjithatë, me pak fjalë ajo që po ndodh është kjo: Prej disa ditësh, opozita me gojën e deputetit Taulant Balla po “lexon” deklaratat e pasurisë së Berishës dhe fëmijëve të tij. Veçanërisht këto të fundit janë mbresëlënëse. Në një vit të vetëm, të dy bashkë, Argita dhe Shkëlzeni kanë fituar 1 miliard e 34 milionë lekë. Uaauuu – do thoshte çdo llogaritar që do dëgjonte një shifër të tillë.

Dhe bëhet fjalë (për të qenë të saktë) vetëm për atë që ata vetë kanë deklaruar, askush nuk ve dot dorën në zjarr në një vend si Shqipëria se sa realisht pasuri kanë njerëzit me pushtet. Nëse këto fitime të deklaruara do të pjesëtoheshin me ditët e vitit (madje duke konsideruar që punojnë edhe të shtunë-të dielë), rezulton se Argita dhe Shkëlzeni fitojnë 2.9 milionë lekë në ditë, pra çdo natë kur venë kokën në jastëk për të fjetur ata janë minimalisht 3 milionë lekë më të pasur, një shifër kjo që (mënjanë retorika politike) është shokuese për Shqipërinë.

Është pak të thuash që kryeministri duhet t’i janë përgjigje opinionit publik për këto shifra. Dhe duhet të kemi parasysh që Shqipëria ka një kryeministër që i jep vetes të drejtë të merret me çdo vogëlsi, detaj apo jetë private të gjithkujt që është në opozitë me të. E ka dyfish detyrimin dhe pritshmërinë të flasë për këto shuma marramendëse që fitojnë fëmijët e tij.

“Berisha vetë merret edhe me kafet e të tjerëve”
“Shihet qartë se ai po bën një plan për t’u mbrojtur, – thotë një nga njohësit e tij më të mirë, gazetari Mero Baze. Dhe shton: “Por në këtë rast problemi është më delikat. E kam verifikuar me qytetarë të zakonshëm shqiptarë kur u thua se Familja ka fituar kaq milionë euro nga ky biznes dhe nuk u bën shumë përshtypja. Duket se Familja ka fituar imunitet dhe “të drejtën” për të fituar miliona me korrupsion. Por kam parë mijëra reagime shumë negative nga njerëz të zakonshëm për rrogat e bllokmenëve Jamarbër e Argita Berisha. Përveçse rrogat e tyre janë ta pajustifikueshme dhe fizikisht, ato janë të turpshme dhe sikur të ishin reale.

Në një vend ku qytetarët marrin bukë me lista dhe varfëria po dërrmon shpresën për të jetuar në këtë vend, karshillëku ndaj kësaj varfërie me rroga 17 milion në muaj nga familja e bllokmenit Sali Berisha, është gati racizëm ndaj shqiptarëve. Nuk ka gjë më të thjeshtë se të shpjegosh se sa e ke rrogën dhe kush ta jep. Sali Berisha i bën llogaritë çdo kundërshtari të tij në opozitë, biles i tregon dhe me kë pi kafe dhe çfarë bisedojnë kur pi kafe. Për vajzën dhe dhëndrin e vet e mbylli gojën dhe kërcënoi se do të shpjegonte një skenar përse e sulmojnë vajzën për këto rroga që merr… Lehtësia me të cilin Berisha akuzon kundërshtarët e vet, është në kontrast të thellë me mbylljen e gojës për të justifikuar paret e vajzës dhe dhëndrit të tij”.

Për mijëra dollarët e Argitës si pedagoge…
Sipas deklaratës së pasurisë së saj, Argita Berisha Malltezi përveç të tjerave fiton afërsisht 12 mijë dollarë në muaj vetëm nga mësimdhënia në universitete. Duhet të bëjmë disa llogari. Nëse Argita Berisha merr 12 mijë dollarë në muaj nga mësimdhënia në universitete private, ajo duhet të punojë afërsisht në 10 universitete. Sipas një vëzhgimi (duke pyetur pronarë universitetesh private), rezulton se paga më e lartë për një pedagog të brendshëm të rregullt, është maksimumi 2 mijë dollarë. (kjo është e ekzagjeruar, pasi në fakt janë nga 1 mijë deri 1.200 dollarë, por po marrim një maksimum). Por ngarkesa mësimore e një pedagogu të brendshëm është e tillë që ajo nuk mund të japë mësim më si pedagog i brendshëm në ndonjë universitet tjetër, dhe kjo gjë nuk lejohet as me ligj. Pra bie poshtë që punon njëherazi si e brendshme në 10 universitete njëherësh.

Kështu ngelet që këto mijëra dollarë në muaj t’i fitojë si pedagoge e jashtme. Një orë mësimi si pedagog i jashtëm në një universitet, shkon tek 30 deri 40 dollarë maksimumi. Një pedagog i jashtëm nuk jep kurrë më shumë se 4 deri 6 orë mësim në javë, pra afërsisht 250 dollarë në javë ose 1000 dollarë në muaj. Por sikur Argita të bënte një kombinim perfekt të orëve të mësimit, që të ishte gjithë javën e zënë dhe si e jashtme dhe si e brendshme, ajo nuk mund të bënte më shumë se 30 orë në javë, nga të cilat në maksimum ajo mund të mbulohej nga katër universitete.

Jemi gati ta konsiderojmë Argitën një heroinë që punon gjithë ditën, jep mësim çdo orë dhe paguhet nga 5 universitete, nga të cilët katër e paguajnë si të jashtme. Por edhe kështu kjo i jep asaj vetëm gjysmën e pagës që ka deklaruar si të ardhur nga universitetet, pra afërsisht 6 mijë dollarë në muaj. Gjashtë mijë dollarë të tjera nuk mbulohen askund. Dhe po flasim gjithmonë për ato që ka deklaruar vetë, jo për të ardhura të tjera që nuk gjenden nëpër deklarata personale pasurie.

Fëmijët dhe dhëndri i Berishës: “Pasurinë na i ka verifikuar ILDKP-ja. Me Ballën, në gjyq”
Pas disa ditë akuzash nga ana e Partisë Socialiste për të ardhurat e dy fëmijëve të kryeministrit Berisha, kanë reaguar këta të fundit dhe bashkëshorti i Argita Malltezit, Jamarbër Malltezi. Në një deklaratë shpërndarë për mediat thuhet se “në lidhje me spekulimet e fundit të zotit Balla, sqarojme se të ardhurat tona janë të gjitha nga burime të ligjshme dhe të deklaruara në organet përkatëse. Të gjitha të ardhurat janë derdhur në rrugë bankare dhe për to janë shlyer, po në rrugë bankare, të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

Sa më sipër vërtetohet lehtësisht nga deklarimet vjetore të pasurisë në ILDKP, institucion i cili hetoi dhe konstatoi vërtetësinë e deklarimit tonë të pasurisë ndër vite, por dhe deklarimet pranë organeve tatimore mbi të ardhurat personale vjetore. I kujtojmë zotit Balla, – thuhet në deklaratën e tyre, – se të ardhurat tona të deklaruara, të kontrolluara e të gjetura në rregull janë në dritë të diellit; ndryshe nga shefi i zotit Balla, i cili pasi betonoi Tiranën me miliona metër katrorë ndërtim dhe u akuzua publikisht nga ndërtuesit se u kish kërkuar miliona euro në shkëmbim të lejeve të ndërtimit, deklaron si kursime jete 3 mijë euro dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj tek mami meqë është i pastrehë”.

Në deklaratë thuhet edhe se “përsa i përket trillimeve të vazhdueshme të zotit Balla, kundër të cilit janë hapur nga persona të ndryshëm disa procese ligjore për shpifje, që prej një jave kemi pritur që ai të japë argumente për akrobacitë e tij spekulative. Meqë këtë ai nuk e bën, do t’i japim mundësinë të paraqesë argumentet e tij në gjykatë. E ftojmë të mos i shmanget si frikacak përballjes në gjyq”. Deklarata mban autorësinë e Argita e Jamarbër Malltezit, si dhe të Shkëlzen Berishës.