DITA E NJËZETETETËS
Nga LASGUSH PORADECI
Ardhi dit’ e shentëruar,
Dita e njëzetetetës
Me flamur të kuq në duar.
Iku dyke fluturuar
Nat’ e zisë-edh’e së metës-
Ardhi dit’ e shentëruar.
Shqipëtarët e gëzuar
Ndjejnë zërin e trumbetës
Dyk’ ushtuar e gjymuar.
Pa në Vlorën e dëgjuar
Mblidhen posi sgjoj i bletës
Shqipëtarët e gëzuar.
Do t’i falem pa pushuar
Ditës së njëzetetetës,
Kësaj ditës së shënuar.
Se kështu pat urdhëruar
Goj’ e artë-e Zotit-vetës:
Do t’i falem pa pushuar.
O! moj kohë që ke shkuar
Ku ndrin yll’ i së vërtetës,
Sesa jemi dëshëruar!
Dit’ e muajit Nëntuar
Të vështron me syrin pyetës,
O moj kohë që ke shkuar.
Kúsh e dha për të kremtuar
Ditën e njëzetetetës?
Këtë ditë të bekuar?
Po me gas në kraharuar
Të jam falë-o Zot i jetës!
Ti na dhé për të kremtuar
Ditën e njëzetetetës.