Arben Rrozhani, 09.12.2009
Arkitektët e monizmit duhet të jenë ndjerë krenarë mbrëmë. Ish-sekretari i partisë së tyre dje kishte mbledhur me kuç e me maç aq njerëz sa ata mblidhnin dikur nëpër kongrese madhështore, përvjetorë apo festime e parada. Sali Berisha nuk kish lënë autobusë e furgonë pa parkuar në rrugët e Tiranës, për ta shumëfishuar “gëzimin popullor” të 8 dhjetorit, të pagëzuar dita e rinisë dhe e pluralizmit.
Në atë shesh, ku në shkurt 1991, populli rrëzoi bustin e diktatorit të fundit komunist, një diktator i ri kish mbledhur për të kremtuar një datë që ai e ka përdhosur, mijëra njerëz ishin sjellë për të qenë dekori i një feste që sot mbjell vetëm trishtim. Ata dhjetëra mijëra buxhetorë ishin sjellë me dhunën e pushtetit, nga mbarë Shqipëria, e cila me pahir duhet bërë blu, si dikur socialiste, ndryshe u pritet bukë e gojës.
Arkitektët e monizmit duhet të jenë 100 herë më të lumtur pse edhe në këtë sistem të quajtur demokratik, qeveris ai që ka rrëmbyer pushtetin me zgjedhjet që numërohen nga parti-shtet dhe e feston me një luks të shfrenuar, si në kohën e fushatës elektorale, pushtetin e rrëmbyer pas zgjedhjeve të trukuara të 28 Qershorit 2009-të.
Dje, Sali Berishës i duhej festa e munguar e zgjedhjeve të humbura. Në 26 qershor 2009, në mitingun përmbyllës elektoral Sali Berisha u premtoi shqiptarëve se do t’i mblidhte sërish në shesh për të festuar fitoren e mandatit të dytë. Po ashtu, edhe LSI-ja nga i njëjti shesh, u kish premtuar shqiptarëve se do të festonin bashkë fitoren. Dhe gjetën të dy bashkë ditën e parë zyrtare të shkëndijës pluraliste për ta djegur përfundimisht imazhin e një dite që simbolizonte fillim i një stine lirie për shqiptarët.
Në ditën e pluralizmit në atë shesh ku u rrëzuan bustet, mitet dhe shteti totalitar, në podium, ishin ata që asnjë lidhje nuk kishin dhe nuk kanë me pluralizmin. Sali Berisha dje ishte një udhëheqës që nuk ka shokë në krah. Ishte vetëm në tribunë. Ashtu siç ëndërronte, ashtu siç është e shkruar edhe në faqen zyrtare të Partisë Demokratike (www.pd.al) ku nuk ka asnjë rresht për historikun, figurat dhe ngjarjet që çuan te lindja e të parës parti opozitare e bashkë me të edhe të pluralizmit. Mungesa e kujtesës është e justifikueshme. Ajo parti, 19 vite më pas, nuk ka asnjë lidhje me misionin, idealizmin dhe qëllimin e krijimit.
Nga ajo armatë liberatadorësh nuk ka mbetur asnjë shenjë dhe mbi kujtimin e tyre, ka ngritur kultin e tij si njeriu i orëve të para të demokracisë, Sali Berisha. Po kush ishte ai, 19 vite më parë? Pas takimit të 8 dhjetorit, duke folur nga sheshi “Demokracia” në qytetin “Studenti”, mjeku kardiolog i drejtohej studentëve: “Në këtë mes mirënjohja jonë e madhe, padyshim shkon së pari te presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili (fishkëllima nga turma) me një mençuri të madhe…me një guxim që udhëhoq, po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë….(fishkëllima dhe protesta na turma e studentëve)…në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë. (ndiq http://www.youtube.com/watch?v=WOpEaSF6yXk). Belbëzimet dhe ngatërrimet e fjalëve nuk e pengojnë Sali Berishën që të imponohet te turma e studentëve të paditur me makinacionet e shkollës komuniste, e më pas në partinë e parë opozitare, duke ndërtuar karrierën e tij mbi supet, e pse jo edhe mbi eshtrat e themeluesve të PD-së.
Arkitektët e monizmit do të ishin krenarë për podiumin e mbrëmshëm. Aty nuk kishte vend për firmëtarët e parë të PD-së. Munguan të flakurit Aleksandër Meksi, Preç Zogaj, apo Arben Meçe, të internuarit Eduard Selami, Shinasi Rama, Tefalin Malshyti apo Edmond Budina.
Nuk janë më në mesin tonë, Azem Hajdari, heroi i demokracisë, që ishte drejtuesi i protestës dhe të parës parti opozitare, i linçuar disa herë politikisht nga PD-ja e Berishës, që u ekzekutua pabesisht në oborrin e selisë dhe ditën e përcjelljes për në banesën e fundit, kryetari i opozitës së atëhershme do të hapte krahët : «varroseni!», në njërën anë varreza publike dhe në anën tjetër selia e kryeministrisë, të cilën turma do ta digjte nën udhëheqjen e tij.
Përballë tribunit të vetëm që nuk la shok e aleat pa përjashtuar nga partia, ishim me mijëra qytetarë të gjorë, të sjellë me përdhunë në festën që nuk është e tyrja. Ai është lideri absolut i një pushteti absolut. Gjithçka që bëhet sot, 19 vite pas shkëndijës së parë të pluralizmit, duhet bërë me lejen e tij. Nuk mund të bësh hajër në biznes, nuk mund të punësohesh në administratë, nuk mund të bësh aktivitet privat, nuk mund të protestosh, nuk mund të bësh me medie, nuk mund të jetosh, nëse nuk je në anën e tij.
Dje ishte një ditë e shënuar dhe e kremtuar nën hijen madhështore dhe të frikshme të të kaluarës, fatkeqësisht për Shqipërinë që po rrëshqet sërish në monizëm.