ResPublica.al, 8 korrik 2012
Srdja Popovic, themelues dhe udhëheqës i lëvizjes studentore serbe që rrëzoi Slobodan Millosheviçin në vitin 2000, në një intervistë në VOA News thotë se ka disa rregulla pa të cilat asnjë opozitë nuk fiton dot: “Për 8 vjet ne u përpoqëm të kuptonim se cilat ishin vlerat universale dhe arritëm në përfundimin që ishin tre të tilla: asnjë lëvizje opozitare nuk fiton dot pa unitet, planifikim dhe disiplinë paqësore”.
Popovic ka studiuar lëvizjet e fundit kundër regjimeve autoritare. Ai mendon se “teknikat paqësore” janë më efektive se dhuna. “Duket si e pabesueshme por beteja paqësore është efiçente në 56 për qind të rasteve krahasuar me 23 për qind të rasteve të dhunshme. Shkatërrimi i autoritetit me humor, ecja e ngadaltë, marshimi i ngadaltë me makina, përdorimi i ngjyrave, këngëve”.
Për Popoviçin protestat duhen drejtuar nga studentë dhe klasa e mesme: “Ata kanë elementët e entuziazmit dhe humorit, ata janë gjithashtu të lidhur me lirinë e votës, zgjedhjet e lira dhe të drejta”. (A.N)