Veton Surroi
Një OJQ për dasma: gjendja e komunikimit mes dy shteteve
1. Gjatë kësaj jave, disa qindra metra që duhej kaluar prej hotelit “Europa” deri në shatërvanin e Bashçarshisë – aty në Sarajevë, ku duhet të mbahet më 2 qershor mbledhja e nivelit ministror të ballkanasve me europianët – m’u dhanë dy shenja të dukshme të problemit të madh që ka Ballkani Perëndimor në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Europian. Në hyrje të xhamisë së Gazi Husrev Begut, aty ku janë të vendosura fletëmortet e njerëzve që “janë nisur për në Ahiret”, ishin dy që qenë nisur në atë drejtim para 18 vjetësh. Të nxjerrë tash nga një varrezë masive në Foqa, aty ku dikur kishte myslimanë, dy të rinj, njëri në të njëzetat dhe tjetri në të tridhjetat të vrarë më 1992, rivarroseshin tash në praninë e familjeve të tyre.
Boshnjakëve, në rrugëtimin e tyre europian, gjithnjë u thuhet se duhet të gjejnë rrugën e pajtimit ndëretnik. Madje çdo ditë ndonjë burokrat europian do t’u përsërisë se duhet marrë mësim prej Gjermanisë dhe Francës, duke harruar ndërkohë se për dallim prej atij shembulli, në Bosnjë nuk ka pasur palë të mundur ushtarakisht. Për më tepër, në rastin e Gjermanisë, palë e cila ishte agresore, nuk u shpërblye me një krijesë territoriale, që në rastin e Bosnjës quhet Republika Sërpska.
Por, po ashtu, ndoshta nuk kuptohet sa duhet se Bosnja (edhe Kosova, çdo herë kur hapet një varrezë masive si në Rashkë, apo kur ripërmendet numri i dy mijë të zhdukurve) në fakt gjendet nën një trysni të përhershme të pajtimit mes të kaluarës së saj shkatërruese dhe një ardhmërie ende të mjegullt europiane.
Boshnjakët dhe kosovarët, për dallim prej të tjerëve dhe pa faj të vetin, ende duhet të pajtohen me kohën, të identifikojnë se në cilën kohë jetojnë.
2. Në të dalë në Bashçarshi shkova te shenja e dytë, te kushërinjtë e nënës sime, që gjenden në këtë qytet mbi njëqind vjet. Në të gjitha gëzimet e pikëllimet kanë qenë në Kosovë – nuk ka kaluar dasmë e varrim pa praninë e tyre. Tash, dikur në një të ardhme të afërt, do të vijë koha për gëzim edhe në brezin e tretë të kësaj familjeje – njëri prej djemve do të martohet dhe siç e do adeti, do të ftohen kushërinjtë nga Kosova që ta ndajnë gëzimin.
Kushërinjtë nga Kosova do të kenë telashe të vijnë në Sarajevë me pasaportat e Republikës së Kosovës. Ardhja e kosovarëve bëhet, proceduralisht, me ftesë të një organizate joqeveritare të Bosnjë e Hercegovinë (apo të RCC, Këshillit për Bashkëpunim Regjional, trashëgimtarit të Paktit të Stabilitetit). Ftesa, me emrat dhe shënimet nga pasaportat, pastaj i dërgohet Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe Këshilli i Ministrave në njërën prej mbledhjeve të veta të rregullta e shqyrton së bashku me pikat e tjera të rendit të ditës (për shembull, rebalancin e buxhetit, përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO, apo të ngjashme) dhënien e vizave për kushërinjtë që shkojnë në dasmë, e zyrtarisht vijnë në një mbledhje joqeveritare. E njëjta procedurë, nëse do bëhet dasma në Sarajevë, do të duhet të ndiqet nga familja.
Dhe, nuk ka indikator më të mirë për gjendjen e “perspektivës europiane” se sa kjo. Në situatën ku duhet shpikur OJQ që të mund të marrë pjesë në dasmë, prej njërit në shtetin tjetër, shihet niveli i bashkëpunimit regjional. E nëse shtetet që dikur ishin të integruara në një tërësi mbikombëtare, siç ishte Jugosllavia, nuk kanë mundësi bashkëpunimi me respekt të ndërsjellë e kufij të hapur, si do të mund ta gjejnë veten nën një formë të organizimit mbikombëtar siç është Bashkimi Europian?
3. Bosnja e Hercegovina dhe Kosova janë në fakt pjesë të përplasjes së dy rrëfimeve paralele dhe kundërthënëse. Në njërën anë, boshnjakëve dhe kosovarëve u përsëritet se e kanë perspektivën europiane dhe se një ditë do të jenë në BE. Por, nga ana tjetër, si shtete të papërfunduara ato ballafaqohen me politikën e “krijimit të realiteteve të reja” në shtetet e tyre. Në rastin e Bosnjës, me një politikë të Republikës Sërpskës, që përpiqet ta imitojë atë të Malit të Zi në Federatën e Serbisë dhe Malit të Zi. Asokohe, Mali i Zi paralizonte çfarëdo vendimmarrje në Federatë, duke e forcuar vendimmarrjen në Podgoricë dhe duke e bërë kështu Federatën jofunksionale deri në vdekjen e saj.
Të njëjtën gjë e dëshiron Banja Lluka. Në rastin e Kosovës, “institucionet paralele” dhe mbajtja e konfliktit të ngrirë në veriun e vendit duhet të dëshmojnë jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës, gjegjësisht mospërmbylljen e çështjes së statusit të tij.
Në prapavijë të Bosnjës dhe Kosovës doemos gjendet Beogradi. Dhe nëse Bosnja e Kosova janë shtete të papërfunduara, e papërfunduar është edhe Serbia, e cila që në faqen e parë të pyetësorit të BE-së, kur ta fitojë statusin e kandidatit, duhet të saktësojë se sa është sipërfaqja e territorit të saj dhe numri i banorëve.
Rrugëtimi europian, gjegjësisht, perspektiva europiane i tërë këtij regjioni, përkundër deklarimeve në formë parullash, përfshi edhe të asaj që përgatitet prapë më 2 qershor, nuk është fare i sigurt. Serbia, me politikën e saj, po krijon dy efekte krejtësisht antieuropiane: nga njëra anë po e mban të hapur presionin për ndarje territoriale të Kosovës dhe Bosnjës dhe nga ana tjetër, duke i mbajtur nën presion po i kufizon këto shtete që të ecin më shpejt në transformimet e veta europiane. Këto shtete, të dobësuara nga luftërat, ndërlidhjen e krimit dhe politikës, mosefikasitetin e duhur të protektorëve ndërkombëtarë tash e sa kohë ballafaqohen edhe me një politikë aktive të Serbisë që do të krijojë avantazh të dukshëm integrues, avantazh që do ta fusë Beogradin në BE para fqinjëve.
4. Zgjidhja për të dalë nga ky trekëndësh vicioz i shtetësisë së papërfunduar nuk është e lehtë. Asnjë parullë mbi perspektivën europiane nuk do të hapë një proces pozitiv. Dhe, tashmë, nuk do të ndihmojë as qasja se “shtetet vetë duhet ta gjejnë rrugën e transformimit”. Për dallim prej shteteve të Europës Qendrore, në të cilat elitat politike u prinë transformimeve në tranzicion, me pak ndihmë nga jashtë, në Ballkanin Perëndimor ballafaqohemi me proces shtetndërtimi.
Dhe ky proces nuk është vetëm përgjegjësi e elitave politike të vendit. Ndonëse qe filluar si projekt i elitave politike vendore (të nacionalizmit, luftës, çintegrimit, demokracisë – sido që të quhen) projektet e shtetndërtimit në Ballkanin Perëndimor tashmë janë projekte të përbashkëta, ku BE-ja dhe NATO luajnë rolin e vet, qoftë edhe pa dëshirë.
Dhe ky projekt nuk mund të mbetet në gjysmë të rrugës. Drejtimi është i qartë në dy hapa historikë, që duhet të bëhen gjatë këtij dhjetëvjetëshi. Hapi i parë është përmbyllja e procesit shtetformues dhe i dyti, e i ndërlidhur ngushtë me të, është përgatitja e këtyre shteteve për të dhënë një pjesë të sovranitetit të tij jetës në një bashkësi mbikombëtare siç është BE-ja.
Tashmë ekziston një ndërvarësi: asnjëri proces nuk përfundon pa ndihmën e tjetrit. Bosnja e Kosova nuk bëhen shtete të BE-së pa përmbylljen e shtetësisë së tyre, por as përmbyllja e shtetësisë nuk është e mundur pa sigurinë e integrimit në BE, në të njëjtën kohë si edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
(Ky shkrim bazohet në fjalën e autorit gjatë konferencës për Ballkanin Perëndimor të Institutit Europian për Studime të Sigurisë dhe ato Ndërkombëtare – EUISS të mbajtur para disa ditësh në Sarajevë)