Disa përfundime nga biografia e manipuluar e presidentit

0
51

Nga Mero Baze, 24 Korrik 2012

Presidenti i sapobetuar, Bujar Nishani, ka publikuar një biografi zyrtare të tij ku ka fshehur elementët më kyç të jetës së tij politike, faktin që ka qenë komunist, faktin që është shkarkuar nga kryeministri Meksi në vitin 1997 si pjesë e ekipit të Safet Zhulalit për shkak të paaftësisë për të përballuar situatën dhe faktin që ka qenë për disa vite në punë të rëndomta si kamerier pas vitit 1997.

Në biografinë e një presidenti, manipulime të tilla më shumë se sa ruajnë figurën e presidentit, tregojnë pafuqinë e një njeriu për të qenë i lirë të tregojë kush është dhe nga vjen.

Pika e parë e tij, anëtarësimi në Partinë e Punës së Shqipërisë në fund të viteve ‘80-të, kur dhe vetë komunistët nuk besonin më tek ajo parti, tregon se më shumë se sa komunist, presidenti që kemi zgjedhur është një arrivist i paaftë që e shikon të qenit në një parti si një mënyrë për tu punësuar dhe për të ecur para në jetë. Ai është bërë komunist atëherë kur komunistët flaknin teserat me shpresë se ajo do t’i mundësonte emërimin në Tiranë, dhe e ka flakur teserën kur pa se busti i Enver Hoxhës u rrëzua me shpresë se partia e re do ta ripunësonte. Fshehja e teserës së parë dhe fokusimi tek tesera e dytë, ajo e PD-së, tregon qartazi mentalitetin e njeriut që kemi president, një njeri që është produkt i zvarritjes pas shërbimeve ndaj partisë.

Pika e dytë që Nishani fsheh në biografi është shkarkimi nga kryeministri i Partisë Demokratike në vitin 1997, si pjesë e kabinetit të Safet Zhulalit, për shkak të paaftësisë së tyre për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të shpëtuar dinjitetin e forcave të armatosura. Ky ne fakt k aqene pushimi i dyte qe i ka bere nga una Aleksander Meksi. heren e pare e ka pushuar ne vitin 1992 si pjese e klanit enverist te Shkolles se Bashkuar qe rrembyen armet per te mbrojtur Enver Hoxhen.

Nishani e injoron këtë pjesë në biografi dhe fokusohet tek një element qesharak kur thotë se pas vitit 1997 ka drejtuar Forumin e Ushtarakëve Euroatlantikë. Ky është një banalitet. Forumi për të cilën bëhet fjalë nuk është asgjë përveçse një listë ushtarakësh të ngelur pa punë pas vitit 1997. Pra, thjesht një listë që e përdorte PD ndonjëherë për konferenca për shtyp, por jo ndonjë forum që ka funksionuar në atë mënyrë që njeriu mund ta shënojë në CV. Kjo është sikur të thuash që nga viti 1997 deri më 2001 kam marrë pjesë si dëgjues në konferencat e shtypit të Edi Palokës në PD, por një forum i tillë që përshkruhet në biografinë e presidentit nuk ka ekzistuar.

Elementi i tretë që pason deformimin biografik të presidentit është fakti që ai nuk shënon se çfarë pune ka bërë nga viti 1997 deri në vitin 2001. Në fakt ai ka bërë punë të ndryshme të rëndomta për të cilat njeriu nuk duhet të qortohet. Ka punuar banakier, kamerier, furnitor dhe punëdhënësit gëzojnë respekt për të. Kjo është dhe periudha më e lirë e jetës së tij, kur për të nuk kishte nevojë asnjë parti. Por kjo periudhë tregon shumë për mundësitë reale të një njeriu dhe aftësitë e tij.

Një njeri që nëqoftëse nuk bëhet komunist ose anëtar i PD, vë në provë aftësitë e tij personale. Dhe aftësitë e tij personale janë deri aty. Ai mund të gjejë punë banakier, kamerier, furnitor apo diçka tjetër. Fakti që kur politika e merr këtë njeri si ushtar në shërbim të saj, e çon deri president dhe ia fsheh aftësinë e tij reale dhe periudhën e tij më të vërtetë të jetës së tij, është një ilustrim i qartë sa shumë e kemi deformuar sistemin e vlerave dhe sa shumë pak dinjitet i kemi dhënë edhe Presidentit të Republikës, edhe njeriut që e kemi përdhunuar duke e bërë president.

Për ta kuptuar më mirë këtë mjaftonte të dëgjoje fjalimin e tij, pa ngjyrë, pa ide, pa fjalor, pa përmbajtje, pa dinjitet dhe pa moral për të qenë fjalim i një presidenti. Me një gjuhë të drunjtë mediokre, me një servilizëm në neveri ndaj kryeministrit dhe shumicës në pushtet dhe pamje të sforcuar për të komanduar muskujt e fytyrës për tu dukur si njeri normal, pamja e tij duke mbajtur fjalimin e presidentit ishte një tablo reale e gjymtimit dhe deformimit të madh të shoqërisë së sotme shqiptare dhe pushtetit në veçanti. Ishte një shembull i shkëlqyer i mungesës së vlerave, manipulimit të historisë dhe perspektivës putiniste të Shqipërisë. Zoti na ndihmoftë ne në vend të Presidentit Nishani! Atij që po e le të lirë gjen punë kamerier, dhe po e fute në parti, gjen punë president!