Diplomati i BE: Pas vrasjeve të 21 janarit, asnjë lider nuk pranon ta takojë Berishën

0
67

TemA, 29 Qershor 2012

Diplomati i BE thotë se Shqipëria u pranua në NATO për shkak të pozicionit strategjik dhe jo se kishte plotësuar ndonjë standard. Sa për statusin e kandidatit, nuk ka asnjë dritë në horizont

Kryeministri Sali Berisha ishte para dy ditësh në Samitin e PPE. Kryeministri ofroi një njoftim të thatë, duke theksuar vetëm se kush ishte në takim. Në sitin zyrtar u publikua një foto ku duket vetëm shpina e Berishës në një tryezë.

Por një diplomat i BE, që ka folur në kushte anonimati, ka zbuluar se askush nuk do ta takojë Berishën pas vrasjeve të 21 janarit.

Portali Transitions Online ka publikuar një reportazh të gjatë për Shqipërinë, përgatitur nga gazetari polak Witold Szabłowski. Reportazhi është publikuar edhe nga gazeta e njohur polake Wyborcza.

Në qendër të reportazhit është kriza greke dhe ndikimi i saj në Shqipëri. Gazetari ka udhëtuar për në Konispol dhe ka folur me disa zyrtarë e gazetarë shqiptarë. Ai shkruan se që nga nisja e krizës, 70 mijë shqiptarë janë kthyer nga Greqia në Shqipëri. Pak a shumë 15 përqind e atyre që ishin atje. Florion Mima, ish- zëvendësministër thotë se ata kanë sjellë rreth 2 milion dollarë në Shqipëri.

Gazetari ka biseduar edhe me kreun e PS, Edi Rama si dhe me një diplomat të BE, i cili flet në kushtet e anonimatit. Ai i ka zbuluar gazetarit se shanset që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit janë të largëta. Sipas tij, askush në BE nuk do ta takojë Berishën pas vrasjeve të 21 janarit.

“Që pas vrasjeve Berisha është bojkotuar nga liderët e unionit. Për më shumë se një vit e ca, askush përveç kryeministrit hungarez, Viktor Orban, nuk ka pasur dëshirë ta takonte. Është vështirë të bësh negociata të ndjeshme në këto rrethana,” thotë diplomati.

“Vendi është bashkuar me NATO, edhe pse nuk u plotësuan kushtet. Megjithatë aleanca mendoi se pozicioni strategjik i Shqipërisë ishte i rëndësishëm dhe mbyllën një sy. Por nuk mendoj se do ia dalin kësaj here. Shqipëria është shumë larg standardeve të BE dhe Europa- pas krizës në Greqi, është duke u bërë më parimore për këto gjëra. Unioni është duke i siguruar që të bëjë gjestet e duhura, Shqipëria tani udhëton pa viza në Shengen dhe ka një marrëveshje të mirë të tregtisë. Por deri në momentin që qeveria të nisë të ndryshojë vendin, nuk bëhet fjalë për të nisur negociatat,” deklaroi diplomati.

Gazetari thekson edhe një detaj tjetër nga politikani Berisha: aftësinë e tij për të tërhequr vëmendjen nga problemet. Ai thotë se si ai hapi debatin e martesave të homoseksualëve në një moment problematik për të, edhe pse partia e tij është konservatore dhe ai vetë pranë organizatave islamike. Po ashtu gazetari thotë se kur opozita nisi protestat, Berisha nxori në dritë një tjetër budallallëk, kërkesën për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës. Gjithçka për të tërhequr vëmendjen nga problemet.