ANDREA STEFANI, TCH 13/11/2014
Në korrik 1946, Enver Hoxha, atëmot Kryeministri i Shqipërisë, fluturonte në Beograd për t’u takuar me Josip Broz Titon edhe për problemin e Kosovës.
Rreth 70 vjet më vonë, Edi Rama, Kryeministër i shtetit të Shqipërisë, ia hipi avionit për në Beograd për dialog me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku çështja e Kosovës do të ishte përsëri prezente. Gjë që dëshmon se realitetet e ngurta e statike bëjnë që historia të përsëritet. Gjithsesi, me ato veçori, thelbësore ose jo, që imponojnë rrjedhat e kohës. Për shembull, nëse rezultatet e bisedimeve Enver-Tito janë pranuar pa debate nga opinionet e të dyja shteteve, një veçori e kohës së sotme është formulimi i lirë i opinioneve nëse bëri mirë apo keq Rama që e përmendi nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia? Apo nëse i ka shërbyer një gjë e tillë shkrirjes së akujve në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë apo ka ndjellë të kundërtën?
***
Por më shumë se rrethanat, janë qëndrimet e njerëzve ato që përcaktojnë se në çfarë mase historia, për të mirë apo për të keq, do të përsërisë vetveten. Në vitin 1946, Enver Hoxha i tha Titos, të paktën kështu shkruan ai në kujtimet e veta, se shqiptarët kishin luftuar për një Shqipëri të lirë e sovrane, pjesë e së cilës duhet të ishin edhe Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët. “Ka ardhur koha që ky problem nacional të zgjidhet drejt nga dy partitë tona” – citon veten Hoxha në kujtimet e tij. E vërteta ishte se gjatë Luftës së Dytë Botërore, partitë komuniste në të gjithë vendet e pushtuara nga fuqitë e Boshtit, ndërsa luftonin për çlirim kombëtar kishin premtuar edhe zgjidhjen e çështjeve nacionale të trashëguara në përputhje me parimin e vetëvendosjes së kombeve. Në përputhje me këtë premtim, popullsisë në Kosovë, por edhe në vise të tjera të banuara nga shqiptarët, duhet t’i jepej e drejta e vetëvendosjes. Po si u përgjigj Tito ndaj kërkesës së Hoxhës? “Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë” – shkruan Hoxha, një përgjigje që përputhet edhe me ato që raportohen nga dokumente të tjera historike. Enver Hoxhës i përkiste që të këmbëngulte për zbatimin e parimit të vetëvendosjes. Në fund të fundit, edhe ai mund ta kundërshtonte Titon me të njëjtin argument: në rast se ju nuk ju kuptojnë tash për tash serbët, po ne si do të na kuptojnë shqiptarët?! Enver Hoxha nuk e bëri një gjë të tillë, sepse ishte i dobët para Titos dhe e dinte se një këmbëngulje për Kosovën do të thoshte të rrezikonte seriozisht pushtetin. Enveri preferoi të mos e rrezikojë pushtetin, duke braktisur çështjen e Kosovës dhe viseve shqiptare në Jugosllavi. Ai heshti, nuk protestoi askund, pranoi. Sa për shqiptarët, ata heshtën bashkë me të, sepse ai dinte t’i bënte të heshtnin.
***
Rreth 70 vjet më vonë, para dilemës nëse duhet të flasë për Kosovën apo jo, ndodhet një tjetër Kryeministër shqiptar. Duhet të flasë përsëri për Kosovën, sepse heshtja e mbajtur nga brezat e mëparshëm të politikanëve, bëri që ajo të gangrenizohet për dekada të tëra duke e trashur të keqen. Prandaj edhe të gjejë më në fund zgjidhje vetëm kur kosovarët pas një gandizmi shumëvjeçar, por të shpërfillur rugovian, “folën” me grykën e pushkës me anë të UÇK-së. Kjo përpjekje dhe luftë për çlirim përballë një reagimi kriminal të regjimit të Millosheviçit, krijuan premisat dhe justifikimin historik të ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, pa të cilën Kosova, edhe sot e kësaj dite, nuk do të qe e pavarur. Mësimi i historisë në këtë rast është se të heshtësh për “diplomaci” kur ka ardhur momenti i përballjes me të vërtetën, nuk ndihmon aspak. Enver Hoxha heshti ku i tha Titoja se nuk do ta kuptonin serbët, por kanë kaluar rreth 70 vjet dhe serbët përsëri nuk e kanë kuptuar se Kosova e meriton lirinë dhe pavarësinë e saj. Prandaj dhe Edi Rama nuk heshti për Kosovën. Edhe pse në vend të Titos kishte përballë Kryeministrin Vuçiç, që për të njëjtin shkak “se serbët nuk do ta kuptonin”, do të kish preferuar që Rama të heshtte për Kosovën. Dhe mendoj se ata që sot e kritikojnë Edi Ramën se foli më shumë dhe më fort nga ç’duhet në Beograd, do ta kritikonin se nuk foli fort dhe sa duhet po të kish dëgjuar këshillat e vonuara që ata japin sot. Ndaj mendoj se bëri mirë që tha një të vërtetë. Është e qartë se shumë janë hidhëruar nga kjo e vërtetë në Beograd, por a nuk thonë amerikanët se e vërteta është një pilulë e hidhur që shëron?! Serbët do të shërohen nga nostalgjitë e sundimit dhe gjakimet nacionaliste ndaj Kosovës vetëm duke u përballur me të vërtetën e pavarësisë së saj dhe jo me heshtjen. Një realitet i hidhur nuk zhduket duke mos folur për të. Aq sa zhduket bota duke mbyllur sytë. Akoma më pak duke detyruar edhe të tjerët të mbyllin sytë, të mos flasin për të.
***
Dialog konstruktiv do të thotë, mbi të gjitha, të flasim për ato që nuk biem dakord. Se për ato që biem dakord nuk ka nevojë të tjerrim shumë. Ndërkaq, sikundër thoshte Rusoi, të vërtetat e pathëna prodhojnë helme vdekjeprurëse për një shoqëri. Dhe a nuk prodhuan të vërtetat e pathëna apo të neglizhuara për dekada me radhë për Kosovën, luftën? Shqipëria ka një objektiv, atë të integrimit, të Europës së Madhe, që u jep zgjidhjen me koeficientin maksimal të lirisë dhe të paqes të gjitha ngatërresave etnike ne Ballkan. Në funksion të kësaj aspirate dhe aspak nga ndonjë gjakim nacionalist, Shqipëria është e interesuar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse një gjë e tillë do të jetë kriter themelor që do të vlerësojë europianizimin e politikës serbe dhe shoqërisë serbe. Rama nuk mund të heshtte për këtë të vërtetë sado të hidhur, por shëruese. Nuk mund të respektonte një tabu që i ka rrënjët në justifikimin tradicional të politikanëve serbë se “nuk do na kuptojnë serbët”. Vetëm e vërteta që vjen nga liria e të thënit të çon te liria dhe të shëron nga nacionalizmi. Diplomacia e të pathënave, e respektit të tabuve të nacionalizmit etnik nuk ka ndihmuar dhe nuk do ta ndihmojë kurrë shërimin dhe lirinë!