MOIKOM ZEQO, 05.12.2009
515 vjet më parë, në 1494 mbylli sytë Piko Della Mirandola, një nga kontestatorët viganë të Rilindjes…Evropiane, humanist dhe filozof italian (lindur në vitin 1463). Të jetosh vetëm 31 vjet dhe të bësh kaq shumë për kulturën dhe qytetërimin botëror si Mirandola është një mrekulli, është një nga provat më të pabesueshme të shpirtit të njeriut të lirë, që synon infinitin, koeficientin maksimal të inteligjencës. I takoi qerthullit të Akademisë së Re të Platonit, themeluar nga Mediçët në Firence. Piko Della Mirandola me jetën dhe veprën e tij paraqet në vetvete sintezën e një kulture njerëzore ku ndikimi i Platonit, Aristotelit, e rigjeneruar në një neoplatonizëm intelektual, jo pa pika takimi dhe me teoritë hebraike të Kabalës, konstruktohet si një Humanizëm i Ri.
Ai shtjellon tezën se njeriu është një mikrokozmos, që rri ndaj makrokozmosit, pa e humbur identitetin e veçantë. Sipas këtij mësimi, njeriu ka liri të plotë për t’u përcaktuar ndërmjet tri llojeve të qenieve botërore, që janë dhe te njeriu, materiale, shtazore dhe qiellore. Këto koordinata nuk e humbasin esencën njerëzore. E afirmojnë. Mirandola duke besuar tek arsyeja dhe dija, te plotfuqishmëria e mendimit luftoi me sarkazëm ideologjinë mistike të astrologjisë, që kishte paralizuar lirinë e mendimit dhe nismat ambicioze të dijes, të kulturës dhe të artit. Në 1476 apelon botërisht, hedh sfidën e tij madhështore, i fton tërë dijetarët e kohës për të diskutuar për 900 teza filozofike dhe humaniste (nga të cilat 55 e kanë burimin nga Prokli). Kisha e Romës e ndalon këtë diskutim të rrezikshëm duke e blasfemuar dhe përjashtuar filozofin rebel dhe dyshimtar dhe nga vetë kisha.
Nga vepra e Proklit “Mbi lirinë” është frymëzuar Mirandola për të argumentuar qenien etike si qenie të lirisë së brendshme. Në 1486, në moshën 26-vjeçare Mirandola botoi kryeveprën e tij “De dignitate hominis” (“Mbi dinjitetin njerëzor”). Tezat e Mirandolës ngrenë lart autonominë e njeriut si individ. Dinjiteti i tij përcaktohet deri në fund nga liria e tij. Nëse cenohet liria vetvetiu kemi frakturën e qenies njerëzore dhe shkatërrimin në rrafsh politik, ku shteti koncentron të “drejta” që nuk i takojnë nga natyra dhe nga Krijuesi. Nuk mund të mos bindesh për saktësinë e këtij mendimi, kur shekuj më vonë Loku dhe Monteskje arrijnë në të njëjtën tezë, që përbën pikën gravitacionale të kodit të sotëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Sipas Mirandolës askush nuk ka targ dhe fuqi ekzekutive për të prekur integritetin e qenies njerëzore, prandaj pushteti gjyqësor dhe ligjet e mbrapshta, kur veprojnë në kundërshtim me të drejtat e vetëkuptueshme të qenies njerëzore bëjnë dhunimin e historisë së individit dhe të shoqërisë. Dinjiteti i njeriut si teori është përsosja e tij.
Eshtë kërkesa e pashtershme për afirmim ndaj forcave negative dhe subjekteve të nihilizuara. Në këtë hulli, Mirandola mbështet dhe mendimin e një filozofi tjetër rebel, tepër radikal, Savonarolës, (1452 1498), që duke u shtjelluar teoritë etiko politike, aristoteliane akuiniste shpalli se funksioni i qenësishëm i shtetit është realizimi i virtytit. Kur shteti realizon të kundërtën, antivirtytin, atëherë vihet në dyshim karakteri logjik i jetës së individit e shoqërisë. Nuk është pa vend të shtojmë se intelektualët dhe artistët gjenialë të Firences si Mikelanxheloja dhe Botiçelli ishin të impresionuar nga mendime të tilla dhe të ndikuar fuqishëm, duke qenë edhe ata kontestatorë të lindur. 515 vjetori jubilar i Piko Della Mirandolas është një rast i përshtatshëm ekzorcizmi dhe reflektimi, duke bërë ballafaqime horizontale dhe vertikale në shoqërinë shqiptare. Për të besuar dhe për të bërë dinjitetin e njeriut, një apoteozë të demokracisë e jo një apendiks të shtetit. Një aktualitet të madh ka dhe teza e Mirandolës se edhe një njeri i vetëm të preket në dinjitetin e tij padrejtësisht është i prekur secili nga ne, pavarësisht nga aspekti juridik.
Liria e individit është integrale vetëm kur ky integralitet nuk cenohet dhe preket edhe te të tjerët. S’ke ç’i thua: një mendim i plotfuqishëm! Nuk mund të mohohet as të harrohet në shekuj. Nëse politika vizionare bëhet matrica e dinjitetit të njeriut kjo nuk është thjesht një aspiratë apo strukturë hipotetike. Është një synim që sjell zhvillimin. Për fat të keq, e them me trishtim dhe brengë këtë gjë, politika shqiptare është retrograde, primitive dhe kanunore. Dinjiteti i njeriut nëpërkëmbet mizorisht. Kryetarët e partive të mëdha nuk dalin nga skema e armiqve personalë. Është e papranueshme që shefi i qeverisë zëvendëson argumentin politik me përgojimin më të skajshëm ndaj shefit të opozitës. Në të vërtetë kjo përbën një vetëvrasje publike, sepse reagimi i kundërt është kundër denoncuesit shumë më i madh sesa ndaj të denoncuarit. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se Njëshi i Ekzekutivit ka mandatin e kryeadministratorit publik. Ai nuk ka mandat për të bërë prokurorin, hetuesin dhe gjykatësin.
Pushteti ekzekutiv është i ndarë nga pushteti gjyqësor me kushtetutë. Kjo e strukturon rolin e Njëshit të ekzekutivit në një mënyrë të tillë që nuk e lejon derisa ka këtë mandat qeverisës të bëjë kapërcime që në thelb mohojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Madje mandati i kryeadministratorit publik e bën atë të kufizueshëm në aspektin e luftës mediatike politike. Pse? Sepse përcaktimi kushtetues i Njëshit të ekzekutivit përfshin detyrimisht të gjithë shtetasit, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive partiake. Kjo pikë inkandeshente nuk është kuptuar asnjëherë seriozisht në Shqipëri. Përkundrazi, tregon primitivitet.
Qeniet njerëzore nuk janë të përsosura por ato karakterizohen siç thotë Hanah Arend (po kush pyet për Hanah Arendin në Shqipëri!) nga sensi i zhvillimit drejt përsosjes. Kjo është e pandalshme. Askush nuk ka të drejtë, as partia qeverisëse dhe as partia opozitare ta injorojë këtë thelb të jetës. Nëse kundërshtarët politikë përbalten atëherë ka vdekur toleranca dhe kriza është kërcënuese.
Kryetarët e partive janë institucione shumë më tepër sesa janë njerëz. Ky konvencionalitet duhet respektuar detyrimisht nga të dyja anët. Demokracia bazohet në ruajtjen e dinjitetit njerëzor, totalitarizmi e manipulonte. Në demokraci ajo që thuhet si metaforë mediatike si diktatura e ligjit në fakt është logjika e ligjit. Kjo do të thotë që legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, duke përfshirë edhe pushtetin e katërt që përbëhet nga mediat dhe shtypi, ruajnë pavarësinë e tyre diçka që i bashkon në një ide unike. Në dinjitetin njerëzor të individëve, që përbën emancipimin dhe kulturën superiore të shoqërisë. Sa pak, sa në mënyrë konfuze kuptohet kjo gjë nga klasa politike shqiptare. Flitet për integrimin me botën dhe krijohet shkatërrimi i këtij integrimi brenda për brenda. Kjo duket shumë e thjeshtë por ja që në Shqipëri vështirësia është apokaliptike. Dinjiteti njerëzor krijon fuqi shpirtërore dhe emancipim të pandërprerë.
Lufta politike e sotme është kapërcimi i së drejtës. Ka tërbim dhe mungesë vizioni. Nëse politikanët janë thjesht gladiatorë, ne duhet të shmangim idenë e publikut të amfiteatrove romake, për të reflektuar dhe për të arritur tek ideja e një populli të vërtetë. Pa dinjitet njerëzor të çdo lloj qenieje, qoftë dhe të atij që duket më i parëndësishmi në shoqëri, është prova e emancipimit dhe qytetërimit demokratik, nuk ka politikë serioze dhe institucionale por dilentatizëm marramendës të politikës. Unë nuk dua të shpjegoj, unë nuk besoj se të gjitha mendjet janë të politizuara me absurditet. Dhuna verbale është primitivitet i papranueshëm më. Përjetojmë një situatë që kërkon gjakftohtësi dhe mbi të gjitha tolerancë si dhe kompromise të dyanshme për të shmangur më lehtë krizën ekonomike që po afrohet dhe që mund të shkaktojë probleme të mëdha sociale.
Politika është për t’i shërbyer njerëzve, jo aq krerëve të partive, madje as ngushtësisht maxhorancës qeverisëse dhe opozitës institucionale sesa krejt popullit shqiptar, madje më e rëndësishme është të kuptohet se shtresat më të varfra dhe më të pambrojtura kërkojnë atë që është kurora e dinjitetit njerëzor, mundësinë e punësimit dhe të jetesës me djersën e ballit, një e drejtë kjo thelbësisht natyrore sa është e drejta e jetës shumë e rëndësishme sesa të drejtat konvencionale që quhen të drejta politike.