Dinjitet, jo grekofobi

0
43

Ermal Hasimja

Ermal Hasimja, 29.03.2010

Në çdo klub apo restorant të parët që do të dëgjosh janë të dehurit. Dhe natyrisht, qetësia nuk vendoset duke ulëritur më tepër se ata. Marrëdhëniet Shqipëri – Greqi janë shpesh viktimë e përpjekjeve për pengmarrje nga ana e individëve, grupeve apo edhe organizatave. Kjo përpjekje lehtësohet nga tundimi për të bërë të njëjtën gjë, ose më keq sesa shovinisti, racisti apo ksenofobi i fqinjit. Por çfarë e dallon ksenofobin grek nga ksenofobi shqiptar? Asgjë. Ne akuzojmë grekët se i shohin shqiptarët përmes stereotipeve: mafiozë, keqbërës, etj. A nuk është edhe ky një stereotip? Por i yni ama! A nuk është një stereotip ai i “grekut që përdor stereotipe”? A nuk i shohim edhe ne grekët përmes stereotipeve tona (racist, i pabesë, etj.)? A janë të gjithë grekët të tillë?

Natyrisht, jo. Njoh pak grekë, por asnjë prej tyre nuk përfaqësohet prej ushtarëve grekë që pamë në televizione këto ditë. Nuk kam konstatuar se miqtë e mi grekë do të donin të vishnin lëkurën time prej shqiptari e as të ngrinin dolli me gjakun tim. Njësoj njoh plot shqiptarë që nuk i shohin grekët përmes stereotipeve. A përfaqësohen shqiptarët nga një grup njerëzit që djegin një flamur grek, apo grekët nga një grup njerëzit që këndojnë këngë patetike nacionaliste? A mund t’ia lejojmë vetes ta njohim njeri-tjetrin përmes stereotipeve? Dhe meqenëse po shkruaj në një gazetë shqiptare, më duhet të pyes në radhë të parë bashkëkombësit e mi? A kemi të drejtë të presim nga grekët diçka që nuk kemi ndër mend t’ua japim vetë? Çfarë na jep të drejtën të mendojmë se “ata e nisën të parët”? A jemi vërtet të sigurt se mekanizmi nacionalist i interpretimit të historisë është “objektiv” vetëm te shqiptarët, ndërsa “subjektiv” te të gjithë të tjerët? Mos ndoshta një pjesë e jona po sillet si ata fëmijët e vegjël, që impresionojnë shokët me histori me fantazma dhe pastaj nuk i zë gjumi natën nga frika e fantazmave, që i kanë krijuar vetë?

Argumenti kundër kësaj është se ksenofobia greke shprehet në forma zyrtare (p.sh. parada ushtarake). Atëherë përse këto forma përgënjeshtrohen nga qeveria greke dhe ambasada e saj në Shqipëri? Si e ndjen veten ambasadori grek, teksa i duhet t’u kërkojë ndjesë zyrtarisht dhe publikisht shqiptarëve, për aktin e turpshëm të një toge ushtarësh të vendit të tij? Unë besoj se ambasadori grek, ministri i tij i Mbrojtjes, qeveria greke, por edhe shumica dërrmuese e grekëve do të kishin dashur t’ia kursenin vetes këtë.

Është e qartë se stereotipet dhe fryma e të dehurit janë goxha të suksesshme mes grekëve dhe shqiptarëve. Kjo është meritë edhe e mediave tona përkatëse, të cilat në mërzinë e madhe të politikës vendore kanë nevojë të krijojnë stuhi në gota uji. Është meritë edhe e grupeve, që synojnë të krijojnë mbështetje publike, duke shfrytëzuar ngjarje të tilla. As mediat e as këto organizata nuk e vrasin mendjen se çfarë pasojash ka kjo. Ndryshe nga sa duket, qëllimi i tyre nuk është luftimi i ksenofobisë dhe nacionalizmit, por nxitja e tyre. Prej tyre kanë përfituar gjithmonë njerëz të paaftë për t’u bërë protagonistë në mënyrë normale. Mjafton të kalojmë kufijtë e Shqipërisë dhe të shohim pasojat që ka lënë ksenofobia dhe nacionalizmi të nxitura nga “patriotët” si Milosheviçi. Edhe pse nuk bëhet fjalë për Milosheviçë grekë apo shqiptarë, përsëri problemi mbetet i njëjtë në thelb: marrëdhëniet mes shumicës së grekëve dhe shumicës së shqiptarëve fatkeqësisht ndoten nga akte ksenofobie dhe përgjigje ksenofobe ndaj këtyre akteve.

Kjo logjikë nuk duhet pranuar. Për këtë arsye, ky shkrim mban këtë titull. Ai nuk u drejtohet as ushtarëve grekë, që risollën Mesjetën në kujtesën tonë kolektive dhe as tundimit të disa shqiptarëve për t’u përgjigjur në të njëjtë mënyrë. Ky titull u drejtohet grekëve dhe shqiptarëve, të cilët nuk e gjejnë veten të përfaqësuar prej ksenofobëve në vendet përkatëse. Janë këta shqiptarë dhe grekë, që duhet të bëhen protagonistë të asaj çfarë ne njohim për marrëdhëniet mes nesh.

Natyrisht, nuk bëhet fjalë për të pranuar fyerje e as për të kthyer faqen tjetër pas shuplakës. Por as për t’i riprodhuar ato. Po: qeveria shqiptare duhet të mbrojë dinjitetin kombëtar përmes mekanizmave diplomatikë, gjë që u bë menjëherë. Jo: shoqëria shqiptare nuk duhet të përgjigjet me të njëjtën monedhë ndaj fyerjeve. Reagimi i njëjtë nuk na bën më të mirë se ata ushtarë që na fyen publikisht.
Po: qeveria shqiptare duhet të mbrojë interesat e vendit tonë dhe qytetarëve të tij. Jo: interesat e Shqipërisë nuk janë domosdoshmërish në kundërshtim me ato të Greqisë. Mirëqenia e Greqisë është edhe mirëqenia e Shqipërisë dhe në radhë të parë, e atyre mijëra shqiptarëve që jetojnë atje. Rrjedhimisht problemi nuk është si të jemi po aq (ose më) ksenofobë sa ajo togë ushtarësh grekë, por si të mos bëhemi edhe ne si ata, grekë dhe shqiptarë bashkë.