Nga Mero Baze, 10 Shtator 2012
Sali Berishës për momentin i duhen lekët e Albpetrolit, mandatet e Ilir Metës dhe mbështetja amerikane, dhe problemi që duket se i është krijuar është se ato nuk kombinohen bashkë në një vend, tek shitja e Albpetrolit. Procesi zyrtar i shitjes u varfërua shumë në alternativa duke lënë në lojë një ofertë me çmim fantastik, por me paqartësi rreth aksionarëve dhe një ofertë të Bankers, e cila është tërësisht në konflikt interesi dhe me një çmim tri herë më të ulët se oferta e parë. Lajmet që dalin nga komisioni i shitjes së Albpetrolit flasin dhe për një siguri oferte edhe më të ulët të Bankers, por kjo ngelet të shihet në vazhdim.
Problemi i parë që ka Berisha është se i duhen shumë ato 1 miliard dollarët e ofruar. Në pamje të parë hezitimi i Sali Berishës duket se ka të bëjë me paqartësinë e atyre që janë blerës. Shihet qartë se ata janë investitorë që fillojnë nga Singapori, Azerbajxhani, SHBA dhe përfundojnë në Ballkan e Shqipëri tek Rezart Taçi. Kjo dilemë e mundon shumë Berishën jo aq për origjinën e pareve apo fuqinë investuese të tyre, por mbi të gjitha për faktin se oferta është arrogante, tej parashikimeve të tij dhe mbi të gjitha jashtë kontrollit të tij.
Me të drejtat sovrane që i ka dhënë blerësit të Albpetrolit, Berisha në të vërtetë nuk është duke shitur Albpetrolin, por një institucion që fare mirë mund të quhet Ministria e Naftës dhe Gazit në Shqipëri, pasi ky institucion sot e tutje do të ketë gjithë të drejtat mbi naftën dhe gazin shqiptar. Duke i dhënë kaq shumë të drejta me idenë që ta kishte të vetën, Berisha është hutuar shumë nga fakti që janë ofruar aq shumë para për ta blerë, por pa leje të tij. Në krizën ku gjendet dhe hallin që ka me mungesë rrogash e pensionesh, dieta dhe benzinë për makinat, është gati ta japë dhe të bëjë sikur gëzohet siç u gëzuan ditën e parë njerëzit e afërt të tij, pa e pyetur atë në telefon. Por kur mendon se ato pare janë jashtë kontrollit të tij, dhe të drejtat e “një shteti më vete” që i kanë dhënë do t’i përkasin dikujt që ai nuk e ka nën kontroll, e frenojnë të gëzohet dhe të flasë.
Ka shumë burime të besueshme që thonë se segmente të caktuara të administratës amerikane dhe lobistë afër tij i kanë sugjeruar ta pranojë ofertën dhe ta shesë. Por ata që e njohin afër, e dinë se pikërisht kjo është një torturë më vete, pasi ia rrit paranojën që pas kësaj historie mund të ketë dhe amerikanë të rëndësishëm që nesër mund t’ia përdorin kundër, nëse ai del nga kontrolli. Rri e mendon se nëse këto janë pare të pastra dhe i ka dikush jashtë kontrollit të tij ia përdor kundër. Pastaj nëse nuk janë të pastra dhe ai e pranon, do t’i thonë ke pastruar para. Pastaj nëse ato vijnë në kanale të pastra bankare, pavarësisht origjinës, do ta kapë paranoja për fuqinë e atyre që po e blejnë. Pra, e gjitha çfarë Berishën e torturon në këtë mes nuk është çështje parash, por çështje pushteti, dashuria e tij e vetme, e cila fare papritur është bërë shkrumb e hi në shkëmbim të ca milionëve më shumë.
Por përsëri kur rri e mendon që nuk ka pare, që financat publike janë shkatërruar dhe rreth 300 milionë euro ua ka borxh kompanive private në vend që po falimentojnë, thotë me vete se ndoshta duhet pranuar. Por papritur i del përpara aleati më i rëndësishëm në qeveri, i përfshirë në një pazar me ofertën e dytë, tri herë më të ulët, që i bën presion. Harrohet për një moment premtimi për prokurorinë, premtimi për KQZ, premtimi për referendum dhe gjithçka ngushtohet tek premtimi për Albpetrolin. Sërish në dilemë dhe në llogari për mbajtje pushteti. Nëse ia jep Metës këtë favor, ai përsëri forcohet, bën pare, blen vota, rrit deputetët dhe më e keqja e të këqijave ikën me Edi Ramën.
E ka sërish dilemë se nuk i duhet dhënë as atyre. Atëherë mbetet të anulohet tenderi dhe të rrisë shanset që atë ta shesë një vit më pas kundërshtari i tij. Rikthehet sërish tek oferta e parë, çmimi i lartë, interesi i dikujt në Uashington, vizitë e dikujt në zyrë, sërish dilemat për faktin se “kush janë këta që po e blejnë”, si po e blejnë pa leje të tij, dhe kështu në pafundësi ai është duke përjetuar jo aq shumë dramën e pareve të ofruar si një ëndërr, por dramën e një pushteti të ri që po tenton të lindë pa lejen e tij. Kjo është në fakt e vetmja dramë që ky njeri përjeton, pasi më shumë se lekët aq shumë të dëshiruara për momentin, ai vuan idenë se këto lekë vijnë nga një pushtet jashtë kontrollit të tij.







