Nga Etleva Bisha, 26 Janar 2012
“Ju kërkoj ndjesë paraprakisht për ndjesinë që do ndaj me ju, por nuk rri dot pa thënë se çdo ditë e më shumë Shqipëria po i ngjan një pacienti të sëmurë me kancer. Tentakulat e qelizave malinje po i pushtojnë trupin dhe “mjekët” shqiptarë e të huaj po dështojnë seriozisht në trajtimin e sëmundjes. Qeliza malinje lindi brenda trupit të saj dhe filloi ta pushtonte gradualisht, në fillim pa dhembje, tani është faza e dhimbjeve të rënda e të pakthyeshme. Ajo QELIZË MALINJE ka PUSHTETIN tani mbi trupin e Shqipërisë dhe kthimin mbrapsht të sëmundjes vetëm një mrekulli e bën të mundur!”
I vendosa mes thonjëzave këto rreshta, sepse në fakt ato ia drejtova miqve të mi në një prej rrjeteve sociale, në përpjekjen për të ndarë me ta ndjesinë që ka kohë që më shoqëron. Nuk mendoja ta ktheja në një shkrim, por reagimet që morra më nxitën të shkoj më tej. Një prej miqve të mi shkroi në përgjigje se “nuk është koha për doktorë, është koha të gjejmë vetveten. Të fikim televizorin kur dalin ATA dhe të mos u japim votën”. Për fat të keq ka shumë nga ata që të lodhur nga politika e luftës për të mbajtur pushtetin dhe jo e shërbimit në të mirë të shqiptarëve, gjejnë zgjidhjen më të lehtë: mbyllin sytë e veshët për të minimizuar të paktën stresin e përditshëm që na vjen nga gam-gamet e politikës (!).
Vështirë t’i gjykosh në pikën ku ka arritur Shqipëria, sepse në fakt kemi arritur në pikën ekstreme ku Kryeministri nuk është kryeministër por i Gjithëpushtetshmi. Ai gëzon të drejtën e sharjes, kërcënimit, gjykimit, shpalljes fajtor, amnistisë së ish-kundërshtarëve dhe atyre që u ka thënë njëmijë e një të zeza. Ai gëzon çdo të drejtë, madje edhe ato të drejta që nuk i takojnë.
Kush akuzon atë apo ata që i shërbejnë apo frymëzohen prej tij janë armiq të demokracisë që duhen ndëshkuar, pavarësisht se si: me denigrim, me sharje, me rrahje deri një vit më parë, por edhe me vrasje, si një vit më parë! Kush guxon t’i drejtohet drejtësisë për të gjetur të drejtën përballë të Gjithëpushtetshmit apo atyre që ka ai përreth merr mësimin e radhës: drejtësia i shërben jo të vërtetës dhe të drejtës, por imunizimit të të Gjithëpushtetshmit dhe atyre që ka përreth, që lundrojnë në detin e bollëkut të krijuar me mekanizma “demokratike”.
Nuk e them me ironi, e ripërsëris: Bollëk me mekanizma demokratike! Nuk është vota, një mekanizëm demokratik? Është, por për vende demokratike ama. E kemi mësuar tashmë të gjithë se demokracia zë fill tek demokracia elektorale, që i jep të drejtën çdo shtetasi të shprehet me votë se nga kush dhe se si do të qeveriset. Po kur e sheh se ajo votë nuk ka vlerë apo tjetërsohet ç’kuptim ka të marrësh mundimin e të shkosh tek kutia e votimit? I Gjithëpushtetshmi ta ka dhënë leksionin në çdo palë zgjedhje: vota jote hyn në kuti kundër tij dhe del nga kutia pro-tij! Shko prapë tek kutia e votimit po deshe…
Kështu, jemi katandisur në pikën ku politika është kthyer në mjetin që ka pasuruar të Gjithëpushtetshmin e politikës dhe oborrin e tij, duke humbur misionin e saj themelor (për vende demokratike kuptohet): ti shërbejë shqiptarëve! Më keq akoma: në vend të shërbimit i ka ofruar modelin e urrejtjes ndaj kundërshtarit politik, modelin e konfliktit, e padrejtësisë, e mosndëshkimit, të nënshtrimit ndaj realitetit dhe indiferentizmit ndaj asaj çfarë bën e prodhon qeveria.