Egon Gjadri / INTERVISTE, 09.01.2010
Një nga projektuesit kryesorë të hidrocentraleve të Shqipërisë, inxhinieri i njohur Egon Gjadri thotë ne intervisten e meposhtme per Zerin e Amerikes, se siguria e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin është absolute. Zoti Gjadri, i cili për shumë vite ishte drejtues i Institutit të Projektimeve, pohon se diga e hidrocentralit të Fierzës mund të përballojë pesëfishin e ujërave që po mblidhen aktualisht në atë liqen. “Por regullorja duhet të zbatohet me elasticitet duke gjykuar rast pas rasti në mënyrë që edhe ana energjitke të plotësohet në maksimum, pra të prodhohet sa më shumë, por pa cënuar sigurinë e veprave” – thote ai.
Projektues i disa dhjetëra veprave energjitike, ai theksoi se tërësia ujore e Shkodrës duhet ri-studiuar, dhe institucionet shkencore të kësaj fushe duhen riorganizuar.
Profesor Gjadri! Këto ditët e fundit të përmbytjeve në veriperëndim të Shqipërisë, krahas shqetësimit të madh për shpërnguljen e mijëra banorëve , po zhvillohen debate të shumta edhe mbi sigurinë e veprave hidro-energjitike mbi lumin Drin. Çfarë mund të na thoni ju mbi këtë çështje shqetësuese për opinionin publik, si njëri nga projektuesit kryesorë të hidrocentraleve të vendit?
Egon Gjadri: Veprat janë të siguruara për kalimin e një plote me përsëritje një herë në dhjetëmijë vjet, pra për një prurje shumë të rrallë. Kjo është me një probabilitet përsëritje një herë në dhjetë mijë vjet. Në Fierzë kjo plotë është 9 mijë e 600 metra kub ujë në sekondë. Duke qenë kuota e kurorës së digës në 312 metra në Fierzë, aktualisht sasia e ujit atje është 292 metra lartësi, atëherë niveli i liqenit në Fierzë është rreth 20 metra më poshtë se kuota e kurorës së digës. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Pra, projekti ka tolerancat me plus-minuset e veta. A mund të manovrohet edhe në lartësi mbi 290 metra?
Egon Gjadri: Edhe nëse vjen kjo plotë e madhe që thamë 9 mijë e 600 metra kub ujë në sekondë niveli i ujit në liqen mbërrin rreth kuotës 300 metra. Nga 290 metra shkon në kuotën 300 metra. Por ngelet gjithmonë 12 metra poshtë kreut të digës. Nga ana tjetër projekti ka parashikuar edhe një rast rezervë. Qysh atëherë e kemi në pjesën e parë të regullores në përshkrimin e veprave që, në rast se për një arësye ose për një tjetërbllokohet tuneli numër 3 në kuotën 222 metra, që ka një portë 7 metra me 7, atëherë plota e madhe e supozuar 9 mijë e 600 metra kub në sekondë kalon vetëm me tunelin numër 4, që shkarkon edhe aktualisht maksimum 1 mijë metër kub, me 4 turbinat në punë që janë 500 metra kub me nivel uji maksimum 306,5 metra.
Profesor! Po thoni që edhe nëse porta numër 3 nuk do të funksionojë, projekti ka parshikuar shkarkimin deri në 306 metra?
Egon Gjadri: Po, po, është parashikuar në projekt. Kjo është një llogaritje maksimale, nëse vjen plota 10 mijë vjecare me 9 mijë e 600 metra kub, dhe jo më pastaj këto plota me 1 mijë e 500 metra 2 mijë metra kub në sekondë që janë aktualisht. Këto janë parashikuar në projekt dhe janë zbatuar me ndërtim në terren.
Sapo hyri viti i ri befas koinciduan disa plota të njëpasnjëshme. Si do t’i vlerësoni kolegët tuaj më të rinj që menaxhojnë tani KESH-in, që hapin dhe mbyllin portat, ose koordinojnë prodhimin me shkarkimet?
Egon Gjadri: Punonjësit e KESH-it kanë një përvojë mjaft të gjatë. Dhe kjo përvojë është transmetuar nga brezi në brez. Rregulloret janë të sakta dhe nuk kanë pse të ndryshohen, sepse as në natyrë dhe as në hidrocentral nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Regullorja duhet të zbatohet me elasticitet duke gjykuar rast pas rasti në mënyrë që edhe ana energjitke të plotësohet në maksimum, pra të prodhohet sa më shumë, por pa cënuar sigurinë e veprave.
Çfarë do të rekomandonit për tërësinë ujore të zonës së Shkodrës?
Egon Gjadri: Tërësia ujore e Shkodrës, ndoshta me introduktimin e hidrocentralit të Bushatit, ka nevojë për një studim më të gjerë. Duhet përfshirë edhe pjesa poshtë e Lezhës, përveç argjinaturave dhe kullimeve, stacioneve të pompimit, dhe shumë punime janë bërë atje. Duhet përfshirë edhe ajo ardhja e jashtëzakonshme të e ujit të detit për herë të parë, se ndoshta ka të bëjë me ndryshimin e klimës, nevojitet pra, një kuadër më i gjerë studimi i asaj zone.
Ju lutem, në fund, cilat janë disa rekomandime tuaja lidhur me mirëmenaxhimin e sistemit hidroenergjitik të Shqipërisë dhe funksionimin e institucioneve shkencore të kësaj fushe, të cilat gjatë tranzicionit janë trazuar dhe janë zvogëluar shumë?
Egon Gjadri: Është e nevojshme ekzistenca e një instituti të vogël, apo e një bërthame shkencore, jo projektuese por së paku studimore teknike. Duhet kjo për të pasur një pikë referimi të gjithë; qeveria, KESH-i për diçka madhore që mund të ndërmerret. Këtu mund të ishin grumbulluar një pjesë e njerëzve që jetojnë ende, apo që janë shpërndarë në punë të ndryshme. Kjo qendër duhet për të bërë vlerësime mbi gjendjen dhe projektet në perspektivë, dhe kjo nuk i kushton shtetit shumë sesa do t’i jetë fature shtetit kjo katastrofe sot.
*********************************
FARUDIN HOXHA:
TIRANË – Megjithëse është një ndër projektuesit e veprave hidrike më të mëdha në vend, dhe për vite të tëra ka qenë në krye të institucioneve të rëndësishme të vendit, Farudin Hoxha thotë me plot gojën se po përjeton situatën më të vështirë në jetën e tij. Niveli i basenit të Fierzës ka kapur kuota të frikshme dhe sipas tij, qoftë dhe gabimi më i vogël në menaxhimin e kësaj situate na çon drejt katastrofës së pashmangshme.
Ish-projektuesi i kaskadës së Drinit i ka bërë thirrje, njerëzve të politikës dhe drejtuesve të ekzekutivitsShqiptar që të mos ushtrojnë presion ndaj ekspertëve që për të shpëtuar nga përmbytjet në zonë e Nënshkodrës dhe Lezhës të luajnë me nivelin e kuotave të përcaktuar në rregulloren e kaskadës së Drinit.
Zbatimi i rregullores së shkarkimit të kaskadës së Drinit dhe mos ndërhyrja në punën e ekspertëve në menaxhimin e kësaj situate, sipas Farudin Hoxhës, janë dy nga kushtet kryesore për të përballuar këtë situatë. “Për mendimin tim situata është më e rënda që unë njoh deri më sot në Shqipëri. Prurjet janë nga më të jashtëzakonshmet por unë si një nga projektuesit e kësaj kaskade kam besim se kjo vepër do t’i rezistojnë këtyre plotave kaq të mëdha që po vijnë në lumin e Drinit. Por është shumë e rëndësishme zbatimi me përpikëri të lartë i rregullores së shkarkimit të kaskadave”- ka deklaruar dje Farudin Hoxha.
Ish-projektuesi i Digave, pohon se nga grupi i menaxhimit të kësaj vepre ka pasur shkelje të rregullores së shkarkimit, dhe kjo shkelje është pikërisht mos hapja e portave të shkarkimit në kohën e duhur. “Disa shkarkime të bëheshin edhe më parë por ndikimi i tyre nuk është kaq katastrofik. Por ajo që është më e rëndë janë urdhrat që lëshohen nga njerëzit e politikës dhe të ekzekutivit për të ndaluar apo dhe shtuar shkarkimet në kaskadën e Drinit. Ndërkohë që për shkarkimet në kaskadën e Drinit ka një rregullore dhe në këtë rast duhet të veprohet në përpikëri të lartë të zbatimit të saj. Ndaj dhe apeli im është që tu lihet në dorë specialistëve dhe teknikëve për vendosjen e hapjes apo mbylljes së portave, të cilët ligj të vetëm kanë zbatimin e kësaj rregulloreje”- tha dje Farudin Hoxha. Sipas tij, zbatimi i kësaj rregulloreje mund të na shpëtojë edhe nga çarja e digave të hidrocentralit të Fierzës.
“Çarja e digave mund të ndodhë vetën në qoftë se uji kalon mbi to. Por e përsëris nëse respektohet rregullorja që unë fola më sipër, të jeni të sigurt që asgjë nuk mund të ndodhë”,- deklaroi dje Farudin Hoxha, duke kërkuar me forcë që njerëzit e vetëm që duhet të menaxhojnë dhe të vendosin mbi shkarkimet e portave të kaskadës së Drinit duhet të jenë vetëm specialistët dhe ekspertët e hidroenergjitikës.
Sasia e ujit që mbajnë tri HEC-et kryesore, problematike gjatë këtyre ditëve, është tejet e lartë. Rekordi mbahet nga Komani, rezervuari i të cilit, mban plot 2.7 miliardë metra kub ujë. Tri hidrocentralet, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës, kane ne rezervuaret e tyre rreth 3.9 miliarde metra kub uje. Më poshtë janë disa shifra:
– Hidrocentrali i Fierzës (dikur quhej Drita e Partisë) është ndërtuar mbi Drin në afërsi të fshatit Fierzë. Filloi të ndërtohej në nëntor 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Ka një digë me gurë, zhavorr dhe bërthamë deltine të lartë 160 m. Diga krijon një rezervuar, (Liqenin e Fierzës) me vëllim, siç e thamë më lart, 2,7 miliardë metra kub ujë.
– Hidrocentrali i Komanit (dikur quhej Enver Hoxha) nisi të ndërtohej më 1979. Më 1985 u vunë në shfrytëzim dy turbinat e para dhe më 1986 dy të tjerat. Diga është me gurë dhe ekran prej betoni të armuar. Krijon një rezervuar, liqen artificial, me sipërfaqe rreth 12 km katror dhe vëllim rreth 450 milionë metër kub ujë.
– Hidrocentrali i Vaut të Dejës nisi të ndërtohej më 1967 dhe u vu në shfrytëzim më tetor 1971. Ka digën e Zadrejës dhe një në Qyrsaq. Këto diga krijojnë një rezervuar, (Liqenin e Vaut të Dejës) me vëllim 580 milionë metër kub ujë.