Diferenca mes Berishës dhe Gjukanoviçit

0
86


Mero Baze, 22.12.2010

Rrëzimi i kompromisit të fundit të ofruar nga opozita rreth hetimit të zgjedhjeve, i bën përfundimisht të lodhshme dhe pa perspektivë negociatat e opozitës me Sali Berishën. Përveç logjikës ligjore dhe mbështetjes nga faktori perëndimor për propozimin e opozitës, nuk kemi asnjë argument tjetër me se të bindim shumicën t’i japë fund kësaj rezistence për transparencën e zgjedhjeve.

I vetmi interes më madhor se sa kaq, ishte pranimi nga ana e Bashkimit Europian i kërkesës së Shqipërisë për të qenë kandidate për anëtare në Bashkimin Europian. Ky ishte një interes madhor, mbi të cilën opozita bëri llogaritë gabim duke e llogaritur Berishën si një njeri që e ka seriozisht aspiratën e integrimit europian të Shqipërisë.

Kur Bashkimi Europian po hamendej për të pranuar kërkesën e Shqipërisë dhe Malit të Zi, në tryezën e tij ishin dy pikëpyetje të mëdha, Sali Berisha dhe kriza me opozitën për zgjedhjet, dhe Milo Gjukanoviçi dhe privatizimi i pushtetit në Mal të Zi prej tij. Të dyve iu bë nga një ofertë e thjeshtë publike dhe jopublike.

Shqipëria duhet të zgjidhte krizën dhe duhet të hapte kutitë, Mali i Zi duhet t’i hapte rrugë ndryshimit të lidershipit. Sali Berisha i tha “Jo” me qetësi ofertës europiane të Shqipërisë, kurse Milo Gjukanoviçi vuri interesat e vendit të tij të vogël mbi interesat e pushtetit të tij dhe i tha “Po” ofertës europiane, duke lënë në hije Shqipërinë dhe duke u bërë sot një vend shumë më afër Bashkimit Europian se sa Shqipëria.

Nëse krahason këto dy shembuj dhe mënyrën se si kanë reaguar dy kryeministra ndaj nevojës së vendit të tyre për të qenë pjesë e Europës, e kupton se më afër Perëndimit është në mendësi sllavi Milo Gjukanoviç se sa “patrioti” shqiptar Sali Berisha.

Po t’i hysh pastaj në detaje dhe cilësisë së kushteve për të dy liderët, ata janë ta pakrahasueshëm. Kërkesa që i bëhej Berishës ishte një kërkesë normale që bazohet në standardet që duhet të plotësojë çdo vend demokratik.

Transparenca e zgjedhjeve dhe fundi i krizës me opozitën, më shumë se sa tekë e opozitës, janë trill i Sali Berishës për të mbajtur opozitën të mbërthyer tek një krizë, e cila i jep atij dorë të lirë ta mbajë atë larg qeverisjes së vendit dhe larg fokusimit tek skandalet financiare dhe privatizimin e Shqipërisë nga familja e Sali Berishës dhe sekserë të saj. Kërkesa ndaj Gjukanoviçit, nga ana tjetër është shumë më personale, më radikale dhe më e egër.

Ajo i ngjan kërkesës që Perëndimi i bëri Berishës në vitin 1997, kryesisht përmes diplomacisë amerikane, që i kushtoi këtij vendi mbi 3 mijë të vrarë dhe një krizë, e cila u desh të zgjidhej me ndërhyrje të forcave ndërkombëtare, të cilët morën praktikisht sovranitetin e vendit deri më 29 qershor 1997.

Është pikërisht kjo sjellje e provuar e Berishës që e bën tashmë Perëndimin të jetë i kufizuar në presionet personale mbi të dhe t’i spostojë ato tek presionet dhe ndëshkimet e Shqipërisë me qëllim që ta konvertojë mosaprovimin e saj në gjeste politike të shqiptarëve kundër tij. Por kjo është një gjuhë shumë e vështirë për t’u kuptuar nga shoqëria shqiptare.

Ne jemi sot para një fakti mbresëlënës, kur kryeministri i Malit të Zi, sapo u bë e vlefshme kërkesa e vendit të tij për t’u bërë kandidat për në BE jep dorëheqje pa shumë komente nga detyra, duke u lënë qytetarëve të vet një shtet në dyert e Bashkimit Europian, një shtet të pavarur dhe pa asnjë konflikt serioz me fqinjët apo bashkësinë ndërkombëtare.

Ai është shumë më i ri nga Sali Berisha në moshë, shumë më me merita bile, gati me merita personale për çdo arritje të vendit të vet dhe shumë i përgjegjshëm për të ardhmen e atij vendi.

Në ndryshim me të, ne kemi një kryeministër që është peng i familjes së tij në pushtet, e cila ka instaluar në vend gjithë mafien ish-jugosllave, ka faktorizuar në bregdetin shqiptar, bile në një nga vendet më strategjike të së ardhmes energjetike të Shqipërisë, mafien ruse përmes sekserit serbo-boshnjak të familjes tij dhe është tërësisht nën presionin e tyre për të mos lënë asnjë hapësirë pushteti, jo vetëm për opozitën, por për askënd dhe brenda shumicës që nuk është në një gjatësi vale me bizneset dhe linjat e pushtetit që dikton Familja.

Kjo e bën Sali Berishën të pafuqishëm për t’i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë, pasi një perspektivë e tillë, do të ç’montonte këto linja mafioze të ish-Jugosllavisë që kanë gjetur një parajsë fiskale në Shqipëri dhe po diktojnë të ardhmen, jo vetëm ekonomike, por dhe politike të këtij vendi.

Është e trishtuar ta themi, por një nga liderët më populist e nacionalist të Malit të Zi, siç ka qenë Lazareviçi, sot s’ka më vend në Mal të Zi dhe bizneset e tij kryesore i ka në Porto Romano dhe Tiranë me partnerë njeriun e familjes Berisha, Damir Fazlliç.

Kjo është arsyeja përse Milo Gjukanoviç ikën i qetë nga pushteti dhe lë një vend të lirë dhe dinjitoz për të qenë pjesë e BE-së, dhe kryeministri ynë nuk e ka veten në dorë, as t’i hapë rrugë Perëndimit në Shqipëri as të lërë rrugëve trafikantët e ish-Jugosllavisë që janë bërë zot në shtëpinë tonë.