Die Welt: Simboli i problemeve të Shqipërisë? Prodhimi industrial ra me 19.6% në një tremujor

0
47

TemA, 24 Korrik 2012

BERZH: Ekonomia shqiptare pati rënie 1.4%, jo 0.2%, siç raportoi INSTAT-i

Gazeta e njohur gjermane, Die Welt, ka marrë në analizë në një shkrim të saj situatën ekonomike në vendet e rajonit. Prej disa ditësh mediat gjermane raportojnë se Sllovenia do jetë viktima e radhës e krizës së eurozonës. Por gazetari Thomas Roser thotë se të gjitha vendet e Ballkanit janë goditur rëndë nga kriza.

Në pjesën për Shqipërinë, autori thotë se vendi është i varur nga Greqia. “Ajo që ndodh në Greqi, ka ndikim direkt në Shqipëri. Të paktën për këtë gjë ankohet Mustafa Devolli, kreu i dhomës së tregtisë në Gjirokastrën jugore. Ai e di këtë nga përvoja e hidhur personale. Kompania e tij me 60 punëtorë përgatiste uniforma për ushtrinë greke. Për shkak se tani nuk ka më tendera në Greqi sepse po ndiqet kursi i shkurtimit të shpenzimeve, ndërmarrja e tij, e themeluar në vitin 1993, ka mbetur pa punë,” shkruan Roser.

Por gazetari thotë se nëse ka një simbol domethënës të krizës në Shqipëri, është fakti se prodhimi industrial në tre muaj është ulur me 19 përqind. Dhe kjo ndodh në një vend që është gjithsesi shumë i varfër, shkruan ai.

Ndërkohë Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim ka deklaruar se ecuria e ekonomisë shqiptare në tremujorin e parë të këtij viti ka qenë shumë më e keqe seç ajo kishte parashikuar – Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr 1.4% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që ky institucion kishte parashikuar një rritje në masën 0.4%. Dhe kjo shifër është shumë më negative se sa ajo që është servirur së fundi nga INSTAT-i, sipas të cilit tkurrja e ekonomisë në tremujorin e parë ka qenë vetëm 0.2%.

Edhe tremujori i dytë duket se do të vazhdojë prirjen negative të të parit sepse ai përfundoi me një bilanc shumë negativ në realizimin e zërave të buxhetit të shtetit. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave për periudhën janar-qershor, këtë vit të ardhurat janë afro 85 milionë dollarë më të ulëta se ajo që parashikohej, me një rënie 5.4 për qind.