„Die Welt“: Kosova – liria e një shteti të dështuar

1
67

Është mashtrim të besohet se një territor dikur i përfshirë nga lufta është shndërruar në shtet stabil dhe prosperues. Por për këtë problem përgjegjësit në Prishtinë nuk bëhen merak. Elita politike e vendit, e prirë nga ish-lideri i UÇK-së dhe kryeministri i tanishëm Hashim Thaçi, tani e tutje mund të pasurohet edhe më shumë nga ato pak gjëra që ka Kosova dhe për këtë ajo (elita) do të kalojë edhe më tutje pa u dënuar

Stefanie Bolzen, 10 Shtator 2012

Nën hijen e krizës së euros, pothuaj pavërejtur, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ranë kambanat e orës historike. Parlamenti i ish-protektoratit të OKB-së festoi kalimin në sovranitet të plotë. Që nga përfundimi i luftës në verën e vitit 1999 ekspertët e huaj dhe ushtarakët përcaktonin fatet e ish-krahinës jugosllave. Në të ardhmen, së paku zyrtarisht, nuk do të përzihen më teknokratë të dërguar nga bashkësia ndërkombëtare, kur shteti i vogël do të vendosë për të ardhmen e tij.

Projekt i dështuar

Sikur Bashkimi Europian të merrte guximin të bënte një analizë të ndershme në këtë ditë historike, atëherë do të duhej të arrinte në përfundimin se projekti i quajtur Kosovë ka prodhuar në pjesën më të madhe një shtet të dështuar (“failed state”) – përkundër 3,3 miliardë eurove, të cilat janë derdhur në Ballkan nga të gjithë qypat e BE-së.

Përkundër angazhimit të dhjetëra-mijëra ushtarëve, të cilët atje kanë garantuar paqen. Përkundër konferencave të panumërte dhe artit diplomatik të Brukselit për t’i mbajtur nën kontroll me karotë e shkop serbët, të cilët këmbëngulin në pushtetin e tyre.

Është mashtrim të besohet se një territor dikur i përfshirë nga lufta e ka bërë hapin e parë drejt një shteti stabil apo madje prosperues. Ende gati çdo i dyti është i papunë, një e treta e njerëzve atje jeton nën pragun e varfërisë.

Barrierat e zhvillimit

Veriu i vendit mbetet fuçi baruti, edhe 13 vjet pas mbarimit të luftës atje kontrollin e kanë në dorë serbët. Rajoni është jostabil, sepse u shërben bandave që operojnë ndërkombëtarisht si qendër për kontrabandë drejt BE-së.

Peshë edhe më të rëndë ka fakti se elita politike e vendit, e prirë nga ish-lideri i UÇK-së dhe kryeministri i tanishëm Hashim Thaçi, tani e tutje mund të pasurohet nga ato pak gjëra që ka Kosova dhe për këtë ajo (elita) do të kalojë edhe më tutje pa u dënuar. Aq më tepër që shteti (i Kosovës) nuk pranohet nga pesë vende të BE-së dhe nuk është anëtar i OKB-së – një pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik.

Përgjegjësit në Prishtinë nuk bëhen merak për këtë pengesë. Kështu ata mund t’ia hedhin fajin bashkësisë ndërkombëtare për mjerimin.

Perktheu Enver Robelli