‘Dialog serioz ose populli do rimarrë fuqinë në dorë’

0
43

Edi Rama

Edi Rama, INTERVISTE – 02.02.2010

INTERVISTE – ‘…Unë jam shprehur qartë pa asnjë ekuivok se jam i gatshëm të ulem në tryezën për dialog që do zgjidhë krizën politike. Ndërkohë që nga ana e palës tjetër nuk ka asnjë sinjal të qartë publik për dialogun…‘ – thote ne kete interviste lideri i opozites Edi Rama. ‘Në momentin kur vota e humbet fuqinë e saj për shkak të marrjes peng të procesit zgjedhor, popullit i takon të rimarrë fuqinë në dorë‘ – shton ai.

Presidenti Bamir Topi është shprehur pro negociatave, ndërkohë që ju i qëndroni idesë për hapjen e kutive dhe Berisha në anën tjetër e ka dhënë qëndrimin mbi këtë kërkesë. A janë këto negociata të dështuara që pa filluar ende?

Unë jam shprehur qartë pa asnjë ekuivok se jam i gatshëm të ulem në tryezën për dialog që do zgjidhë krizën politike. Ndërkohë që nga ana e palës tjetër nuk ka asnjë sinjal të qartë publik për dialogun, por vetëm fjalë dhe fjalë. Të cilat synojnë nga njëra anë të krijojnë idenë e gatishmërisë për dialog dhe nga ana tjetër fshehin pavendosmërinë e plotë, mungesën e qartë të vullnetit, për të hapur një dialog dhe për të zgjidhur këtë krizë politike. Unë uroj që ta zgjidhim përmes forcës së arsyes. Jam i bindur se populli i opozitës do ta zgjidhë me apo pa Sali Berishën.

Kryeministri kërkon respektimin e vendimit të gjykatës, ndërkohë që ju thoni se me kërkesën tuaj nuk e prekni këtë vendim. Si qëndron e vërteta?

Sali Berisha është njeriu i fundit në Shqipëri që duhet të flasë për Kushtetutën, pasi e ka shkelur atë 30 herë dhe 16 shkelje të tij janë provuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në fakt janë 16 atentate që janë anuluar nga kjo gjykatë. Nga ana tjetër kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me vendimin e saj, të cilit i referohet në mënyrë spekulative dhe të gënjeshtërt Sali Berisha, por ka të bëjë me të drejtën kushtetuese dhe ligjore të parlamentit për të hetuar çdo çështje të veçantë. Dhe kjo është një çështje e një rëndësie kombëtare, e një rëndësie strategjike e një rëndësie atdhetare. Është çështja e lirisë dhe ndershmërisë së zgjedhjeve, të cilën parlamenti mund ta hetojë jo për të përmbysur pushtetin në tavolinën e hetimit, por për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral, për të çuar përpara drejtësisë, të gjitha ata që fusin duart në procesin elektoral, në rast se kjo vërtetohet nga hetimi. Nga ana tjetër, për të bërë ndryshimet e nevojshme legjislative, të cilat do të burojnë drejtpërdrejtë nga një analizë e thellë, që do të vijë si pasojë e hetimit. T’i lëmë spekulimet, të ulemi për të zgjedhur krizën, t’i hapim kutitë, t’i japim fund një epokë të shëmtuar, që na mban të ndarë jo vetëm nga Europa, por dhe nga rajoni ku jetojmë ku askush nuk bën zgjedhje të tilla të turpshme dhe të hapim bashkë një epokë të re, epokën e Shqipërisë evropiane, duke filluar nga procesi i lirë dhe i ndershëm zgjedhor, ku populli voton, numëron dhe gjykon sesi ky proces është zhvilluar.

A mund të përfshijë kompromisi edhe zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe ata të Gjykatës Kushtetuese që u mbaron mandati tani apo do të fokusoheni vetëm tek zgjedhjet?

Në mënyrë që këto detyrime të zbatohen në funksion të interesit të vendit është e domosdoshme të çmontohet mekanizmi keqbërës i zgjedhjeve në Shqipëri dhe t’i hapet rrugë një procesi demokratik, i cili padyshim zhvillohet në parlament, por duke konsideruar faktin e thjeshtë se parlamenti vlen si një ballafaqim mes forcave të ndryshme përfaqësuese të popullit, për aq kohë sa vota e popullit që i shikon shfaqjet demokratike të parlamentit nuk e ka humbur fuqinë e saj. Në momentin kur vota e humbet fuqinë e saj për shkak të marrjes peng të procesit zgjedhor, popullit i takon të rimarrë fuqinë në dorë.

Ka disa deputetë të PS-së që kanë kërkuar të bëjnë një aksion politik duke iu kundërvënë linjës zyrtare…

Nuk besoj se ka sot ndonjë qytetar të këtij vendi, aq më pak ndonjë opozitar, që të ketë nevojë për shpjegime në këtë pikë. Rruga e tyre nuk përputhet gjëkundi me të PS-së dhe për fat të keq konvergon plotësisht me rrugën e Sali Berishës dhe këtij pushteti, që ka grabitur zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë.