Dhurata e parë e opozitarit Berisha, për Ramën

0
31

(Ose si po nxit Berisha mbështetje të tepruar ndaj qeverisë së re)

Nga Mero Baze, 2 Gusht 2013

Ka një problem që opozitës së re po ia krijon Sali Berisha. I futur në makthet e së ardhmes së tij politike, ai po përpiqet të nxitojë të jetë zëri i parë opozitar me deklaratat e tij halucinante, duke tërhequr zvarrë opozitën e re në një rrugë pa krye. Ai shfaqet dy herë në ditë në media, lëshon akuza që dëshmojnë një gjendje të rënd mendore dhe ka imponuar në njëfarë mënyre një gjuhë të ngjashme tek kryetari i ri formal i PD, Lulëzim Basha.

Po cili është efekti i parë i kësaj lloj opozite?

Nëse i hedhim një sy qeverisë së re dhe përbërjes së saj, ka plot vend për entuziazëm dhe kritika. Ka vend për entuziazëm për shkak se është një ekip i ri, pa begraund të së shkuarës, dhe të mirëshkolluar, ashtu siç ka vend për kritika se është një qeveri që nuk përfaqëson shumë traditën e së majtës, dhe është e ndarë mes dy kryeministrave, Rama dhe Meta.

Por ajo që po ndodh është se vlerësimet agresive të Berishës dhe vlerësimet qesharake të Bashës (ky i fundit duhet njoftuar që ka vdekur Ramiz Alia) kanë bërë që jo vetëm brenda të mos ketë debat për qeverinë, por ajo të marrë një mbështetje maksimale ndërkombëtare.

Deklarata e SHBA, e publikuar sot, ishte një gjest i pazakontë mbështetje, që nuk ishte bërë më parë ndaj ndonjë qeverie në formim e sipër. Zakonisht flitet pas formimit të qeverisë apo kur ajo shkon në Kuvend, por një muaj para, me kaq shumë vlerësime pozitive për një qeveri, nuk kish ndodhur. Unë mendoj se një arsye e fortë është opozita e sotme. Mënyra se si ajo kërkon të çirret e ulërasë për ikjen nga pushteti, dhe akuzat tërësisht haluçinante ndaj ministrave të rinj, kanë nxitur mes të tjerash SHBA të bëjë atë vlerësim aq pozitiv për qeverinë Rama. Kjo është dhurata e parë që opozitari Berisha i bën kryeministrit Rama.

Me gjuhën e tij agresive, me mungesën e logjikës, me broçkulla folklorike dhe fakte të prodhuara nga një mendje e sëmurë, Berisha duket se është marrë më seriozisht i çmendur nga ndërkombëtarët se sa nga shqiptarët, dhe ka nxitur një valë mbështetje për qeverinë e re.

Po ashtu ka një ngërç në mënyrën se si po ambientohen ministrat e rinj me detyrën, apo ata që kanë marrë detyra të rëndësishme në administratë. Fjala vjen janë naive, për të mos thënë më shumë, fushatat për të marrë “mendimin e popullit” për qeverisjen e ardhshme. Kërkesat që njerëzit t’u japin ide ministrave apo nëpunësve janë po ashtu një atavizëm e revolucionit kulturor kinez dhe mund të përbënte objekt qortimesh për djemtë e rinj që po marrin zyra shteti. Por fat i tyre duket se është Sali Berisha. Ai i zë me radhë duke i sharë me nënë e babë si në rastin e Saimirit, Ditmirit, dhe deri në stërgjyshe kur është fjala për Milenën, dhe kësisoj të gjithë janë të prirur t’i shikojnë ministrat e rinj si viktima të një të marri dhe jo si njerëz që duhet të maten mirë kur flasin dhe komunikojnë me publikun.

Sali Berisha është një dhuratë e mirë për ta këtë sezon vere, por ata duhet të kuptojnë se nuk e kanë betejën me Berishën, por me veten dhe mbështetësit e tyre, të cilët duan një qeverisje serioze.

Këtë verë të bëjnë si të bëjnë, të thonë çfarë të thonë, të jenë kush të jenë, e kanë të sigurt mbështetjen se ua garanton opozitari Berisha me diarrenë e tij politike, që ka dalë jashtë çdo kontrolli mjekësor.

Partia Demokratike tani është në opozitë dhe nuk ka çfarë humbet më. Brenda saj ka plot njerëz të ditur dhe me një barrë mend, të cilët, nëse duan të bëjnë opozitë, duhet të sfumojnë këtë të çmendur, dhe të bëhen një zë i besueshëm për shqiptarët, të cilët kanë nevojë reale të dëgjojnë çfarë thotë opozita.

Botova sot me qejf një letër të ish- kryetarit të PD në Fier, që i bën thirrje Berishës të lërë Lulëzim Bashën të drejtojë opozitën. Unë do ta shtyja më tej. Ai duhet të lërë gjithë PD-në të bëjë opozitë, të thotë gjëra të mençura dhe racionale dhe të ringjallë besimin e shqiptarëve tek ajo forcë politike. Diarreja e tij politike, vajtimi i tij pse humbi pushtetin në mënyrë plebishitare, dhe çjerrjet e një plaku nga frëngjia e kryeministrisë, të krijojnë idenë se selia e re e opozitës do jetë një çmendinë. Kjo është një fatkeqësi kombëtare, pasi do na heqë të drejtën të shikojmë një shpresë, kur qeveria e re të gabojë. Dhe më keq akoma, do t’i japë kësaj qeverie mbështetje të sforcuar edhe kur ajo nuk e meriton aq shumë. Siç po ndodh tani realisht. Lexoni ç’thotë SHBA dhe ç’thotë Sali Berisha për qeverinë, të bindeni për këtë!