Dhuna është dhunë, por të vrarët janë të vrarë

0
29


Mustafa Nano

Protestues pa çadraDuket sikur i jam qepur me bukë në torbë ambasadorit amerikan (është e disata herë që e përmend në shkrimet e mia; po se mos vetëm unë!), por në fakt është ai që na është qepur e bërë rrodhe të gjithëve. Ambasadori amerikan ka dalë sot në një konferencë të përbashkët për shtypin me kreun e policisë së shtetit. Doli në fillim me kryeprokuroren, dhe tani me kryepolicin. Kështu si e ka nisur, nesër do të dalë me drejtorin e TVSH-së, me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me drejtoreshën e institutit të statistikave, me pronarin e gazetës 55, dhe në fund fare, me gardistët e arrestuar. Për t’i balancuar pakëz çalltisjet publike, po gjeti kohë mund të bëjë edhe një vizitë në shtëpinë e ndonjërit prej viktimave. Po luan rolin e babait putativ të kombit, pa e ftuar njeri që ta luajë këtë rol. E kur e luan këtë rol pa ta kërkuar kush, bëhesh i bezdisshëm. Shpresoj që ta kuptojë.

Me siguri, e dini ç’tha në takimin e sotëm me Burgajn. Po përsëris do pasazhe të marra nga site-i www.balkanweb.com, ora 17.00, të cilat na bëjnë me dije, se ky njeri gabon sa herë që hap gojën. Pasazhi i parë: “Hetimi duhet të përfshijë të gjitha fazat, duke filluar nga organizatorët, protestuesit, si edhe ata që qëlluan duke çuar në vdekjen e 4 demonstruesve (shikoni ndjeshmërinë e ambasadorit; e ka ndjeshmëri kronologjike; e fillon me organizatorët, pastaj vijon me protestuesit, e pastaj e mbyll me ata që qëlluan duke çuar në vdekjen e katër demonstruesve, por duke shtuar frazën ndërlidhëse ‘si edhe’, që ne të tjerëve na shërben sa herë që duam të shtojmë në fund të një fjalie enumerative diçka pa shumë vlerë).

Arvizu i dorëzoi kryepolicit një raport nga ekspertët (nuk del shumë e qartë, por duhet të jenë ekspertë amerikanë, që kanë hetuar ngjarjen) që shqyrtojnë rrethanat e demonstratës së 21 Janarit. Raporti – po vijoj me raportimin e balkanweb-it – merret në mënyrë specifike me përgatitjet dhe qëndrimin e Policisë së Shtetit gjatë demonstratës së 21 Janarit. Në një moment, ambasadori amerikan tha se “policia e shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për një demonstratë që do zhvillohej dhe ekzekutuan planin operacional më së miri”. Ç’është ky? Si i lejon vetës të japë konsiderata të tilla mbi një operacion konkret të policisë sonë? Me ç’të drejtë na çaprashit gjëra të tilla?

Një dreq e di. Por kjo s’e ka penguar që të vijojë duke thënë: “Gjatë dhunës ekstreme [të protestuesve] Burgaj inicjoi masa të jashtëzakonshme që të mbante në kontroll situatën, duke pasur parasysh burimet shumë të kufizuara. Policia në pjesën më të madhe ishte e pambrojtur. Ata qëndruan pa lëvizur duke u goditur nga gurë, shkopinj e bomba molotov. Ata qëndruan përballë këtyre sulmeve duke zbatuar urdhrat.” Dhe këtë vrull ligjërimor e mbyll me frazën: “Dhe nuk u hakmorën kur u sulmuan”. Nuk u hakmorën?

Ç’do të thotë të marrësh hak në një rrethanë të tillë? Nëse s’është punë përkthimi, duhet thënë se ky njeri nuk është në vete, më duket. Nuk është në vete edhe për një arsye tepër të thjeshtë: Pas protestës, policë e gardistë (nuk merrej vesh se ç’ishin) kanë ushtruar një dhunë kafshërore mbi këdo që gjetën afër e brenda kullave binjake (nëse s’ka parë gjë, le të shkojë tek Vizion Plusi, dhe të kërkojë pamjet e transmetuara nga Andi Bushati në programin Zonë e Ndaluar. Kur t’i shohë ato pamje, ka për t’i ardhur turp për fjalët që ka thënë sot).

A nuk është vendi për të pyetur veten, se mos i gjithë ky animozitet ndaj ambasadorit më vjen, ngaqë qëndrimet e tij bien ndesh me të miat? Jo, s’ka lidhje. Ky animozitet më vjen, ngaqë së pari ndihem i nëpërkëmbur dhe i përqeshur prej nakatosjes aspak elegante të një të huaji në punët e vendit tim. Të njëjtën gjë kam provuar edhe më parë përballë sjelljes publike të ambasadorëve të tjerë, amerikanë ose jo; dhe kam shkruar në të njëjtën mënyrë. Së dyti (po e harroj të parën e po e zë që Arvizu ka gjithë të drejtën e mundshme për të marrë pjesë në jetën politike e publike shqiptare), më duket se Arvizu nuk dëshiron të shohë e të kapë thelbin e asaj që ndodhi në 21 janar (dhe një dreq e di pse). Ta fillojmë në mënyrë kronologjike, bash si e ka qejf ai. Atje u ndesh një turmë e dhunshme njerëzish të paarmatosur e të pambrojtur me policinë. Përsëris: ishin të parmatosur e të pambrojtur, rrjedhimisht të parrezikshëm qoftë për rendin kushtetues, qoftë për integritetin fizik të ndokujt. Ishte hera e parë që ambasadori sheh protestues të dhunshëm të ndeshen me policinë? Nga vjen Arvizu-ja? Nga Koreja e Veriut?

Po faktin që ata njerëz ishin përqeshur prej kryeministrit e zëvendësit të tij, të cilët mohuan me arrogancë, pafytyrësi e faqe botës një sjellje korruptive të përjetësuar në celuloid, e merr në konsideratë ambasadori? Apo mendon se dhuna ishte e planifikuar? Po, jua them dhe unë, që dhuna ia bënte mu, se ishte e planifikuar. E pastaj? Ç’gjëmë ka në këtë mes? Ajo dhunë e planifikuar ishte më e pakta që duhej bërë disa ditë, pasi zv.kryeministri ishte kapur në flagrancë duke planifikuar (ky po, që është planifikim) plaçkitjen e pasurisë publike.

Dhe atë dhunë me çadra kineze e me listela që mbajnë sloganet e parrullat që u pa atë ditë, edhe unë do isha i gatshëm ta ushtroja mbi policët e skafandruar. Do ish si një valvulë shkarkimi e zemërimit prej korrupsionit të qeverisë, ndërsa policët nuk do t’i gjente asgjë. Siç nuk i gjeti. Kaq. A do duhej të ndiqesha penalisht për atë dhunë? Punë e madhe, le të ndiqesha. E në këtë kuptim, le të ndiqen penalisht dhe ata që e ushtruan! Le të burgosen (ca ditë apo javë burg për motive të tilla i bëjnë nder çdo qytetari në botë)!

Ah, sikur të ishte mbyllur me kaq! Dhe po të ishte për protestuesit, me kaq do ish mbyllur; dhe me kaq, në fakt, u mbyll. Nuk di se si do të rridhnin ngjarjet të nesërmen, por atë ditë u mbyll me aq. Kur krejt papritur morëm vesh në mbrëmje se gjatë protestës kish patur të vrarë. Mbetëm të topitur të gjithë. Katër vetë të vrarë. Të qëlluar nga garda e republikës, ndërsa ishin në bulevard. Të qëlluar pa asnjë arsye. Katër, zoti Arvizu. Nuk janë katër viza amerikane.

As katër takime tuajat me Berishën. As katër karafila, që ju i gjetët të nesërmen në bulevard. Janë katër shqiptarë, që u vranë sepse ishin opozitarë. Dhe që ju mezi ua nxë goja, Arvizu. E unë nuk e di pse. Është e vërtetë ajo që thotë Gary Younge në numrin e sotëm të the Guardian-it: Qëndrimi ndaj ngjarjeve ne Egjypt provoi se leader-ta tanë e shohin lirinë e demokracinë në vende të tjera si një çështje strategjie, e jo si një çështje parimi? Apo ka diçka më të ndyrë se sa Real-politika nën rrogoz?