Dhjetor ’90, si hyri mjeku Berisha në Lëvizjen Studentore

0
53

Shekulli, 11.12.2009

Eduard Zaloshnja është një ndër pedagogët që iu bashkua Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90. Në këtë përvjetor të ditëve të ndryshimit të madh ai hedh dritë si dëshmitar i disa prej momenteve më kyçe të asaj periudhe. Si erdhi Berisha dhe Pashko në lëvizjen studentore, përplasjet mes tyre dhe mes drejtuesve të studentëve Shinasi Rama dhe Asem Hajdari, ardhja e Edi Ramës, si u vendos që Partia të quhej Demokratike etj.

Dhjetor '90

Lëvizja studentore: Si u grindën për Sali Berishën, Azem Hajdari dhe Shinasi Rama

Z. Zaloshnja, ç’mund të na thoni për shkaqet e fillimit të saj dhe platformën që ajo kishte?

Zaloshnja: Lëvizja Studentore ishte një lëvizje spontane që filloi me kërkesën për drita e ujë dhe që eventualisht arriti deri në kërkesën për krijimin e një partie opozitare. Dhe e gjitha kjo ndodhi në harkun e katër ditëve.

Duke mos qenë frut i një disidence të organizuar, siç ishte disidenca çeke, p.sh., nuk mund të pritej që kjo lëvizje të kishte një platformë të qartë për të ardhmen.

Mos të harrojmë se vetëm një pakicë fare e vogël shqiptarësh në atë kohë kishin mundësinë të lexonin çka duhej për të krijuar një vizion të plotë rreth sistemit demokratik perëndimor.

Ndjekja e lajmeve të RAI-it ishte atëherë për shumë nga ne e vetmja dritare nga mund të shihej se si funksiononte bota demokratike. Dhe ajo dritare padyshim që nuk ishte e mjaftueshme për të krijuar një vizion të plotë.

Shekulli: Cilët ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore ju kanë lënë më shumë mbresë?

Zaloshnja: Ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, dy më të mëdhenjtë në moshë më kanë lënë mbresë të veçantë: Azem Hajdari, ndjesë pastë, dhe Shinasi Rama. I pari dallohej për një trimëri që Zoti e rezervon vetëm për heronjtë dhe i dyti dallohej për një nivel të lartë intelektual – Shinasiu po mbaronte fakultetin e dytë dhe përkthente nga disa gjuhë të huaja në atë kohë.

Shekulli: A kishte kontradikta midis tyre?

Zaloshnja: Kontradikta kryesore midis tyre ishte rreth Berishës dhe disa intelektualëve të tjerë që nuk iu bashkuan lëvizjes studentore që në fillim. Ndërkohë që Azemi e pranoi menjëherë futjen e Berishës dhe intelektualeve të tjerë në drejtimin e partisë që lindi nga Lëvizja Studentore, Shinasiu ishte i mendimit që të përfshiheshin në drejtimin e saj vetëm ata pedagogë që iu bashkuan studentëve para takimit me Ramiz Alinë në 11 dhjetor. Ishte pikërisht këmbëngulja e Shinasiut shkaku që, në Komisionin Nismëtar të partisë që u krijua nga ajo lëvizje, të futeshin gjashtë studentë e jo vetëm dy.

Eventualisht, Shinasiu e humbi duelin me Azemin, dhe pas një përplasje shumë të ashpër me Berishën në Komisionin Nismëtar, u largua nga partia. Me largimin e Shinasiut, dalëngadalë, Lëvizja Studentore u njëjësua me partinë që lindi prej saj.

Shekulli: Po ju kur iu bashkuat Lëvizjes Studentore, para apo pas takimit të studentëve me Ramiz Alinë?

Zaloshnja: Në datën 11 dhjetor 1990-të, studentët e Universitetit Bujqësor shpallën publikisht një peticion të ngjashëm me atë që shokët e tyre të Universitetit të Tiranës kishin shpallur një ditë më parë. Unë mbajta lidhje gjatë asaj dite me dy nga udhëheqësit studentorë, të cilët ishin studentë të mi.

Ndërsa në mbrëmje, shkova në “Qytetin Studenti”, ku ishin mbledhur me dhjetëra mijëra tiranas. Atje takova Gramoz Pashkon dhe Elsa Ballaurin, të cilët i kisha pas njohur më përpara. Bashkë me ta ishte edhe Sali Berisha e Besnik Mustafaj, të cilët i shihja për herë të parë.

Disa minuta pasi u takova me ta, u morr vesh lajmi se Ramiz Alia kishte vendosur të lejonte krijimin e një partie opozitare. Në atë moment, filluam të përqafojmë njëri-tjetrin si të marrë, ndërkohë që turma gjigante e mbledhur në shesh brohoriste “Fitore!”. Nga ai moment, praktikisht, unë u bëra pjesë e grupit drejtues të Lëvizjes Studentore.

Shekulli: Në lajmin e parë të ATSH-së rreth partisë opozitare, që lindi si rezultat i Lëvizjes Studentore, u përdor emri “Partia e Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj”. Pse dhe si ndryshoi ky emër?

Zaloshnja: Pasi ishte kthyer grupi i studentëve dhe pedagogëve nga takimi me Ramiz Alinë, në orët e vona të datës 11 dhjetor, u dëgjua nga të gjithë të pranishmit në “Qytetin Studenti” incizimi i plotë i bisedës me Presidentin.

Kur mbaroi dëgjimi i bisedës me Alinë, unë kapa flamurin që një student mbante në dorë dhe thirra: “Rroftë Partia Demokrate”. Në moment, Azemi ma mori flamurin nga dora dhe më tha se kishin dhënë fjalën që partia të quhej e studentëve dhe intelektualëve të rinj.

Pasi ora kishte kapërcyer 12-ën, pra kur kishte filluar dita e re, shumica e atyre që ishin takuar me Alinë, si edhe Berisha, Pashko, Mustafaj, Ballauri e unë, u futëm në Godinën 15. Gjëja e parë që diskutuam ishte se si do ta quanim partinë e re që Alia kishte lejuar të krijohej.

Berisha, i cili e hapi këtë diskutim, tha se emri që i ishte premtuar Alisë për partinë e re nuk e përfaqësonte as masën e njerëzve të mbledhur në “Qytetin Studenti” dhe as shumë të tjerë që do t’i bashkoheshin eventualisht asaj. Unë, duke i qëndruar idesë time fillestare, sugjerova emrin Partia Demokrate.

Por, Arben Imami më kundërshtoi me arsyetimin se një parti me të njëjtin emër ishte parti kryesore në SHBA. Në vend të emrit që unë sugjerova, Imami propozoi emrin Lidhja Demokratike.

Por, Berisha e kundërshtoi këtë emër me argumentin se mund të krijohej përshtypja në opinionin ndërkombëtar se partia jonë do të ishte një degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atëherë unë iu ktheva përsëri sugjerimit tim, por me një ndryshim të vogël – Partia Demokratike. Ballauri me shaka tha: “Pash Zotin, mos na kujto Frontin Demokratik!”.

Ndërkohë që të tjerët po qeshnin, Berisha rrinte i menduar. Pas disa çastesh, ai tha me seriozitet: “Partia Demokratike më duket emër i goditur. Do të ishte mirë që të mos ekzistonte Fronti Demokratik, sepse, në fakt, emri më përshtatshëm për partinë tonë do të ishte pikërisht Fronti Demokratik. Sidoqoftë, emri Partia Demokratike më duket se e përçon idenë se ajo do të jetë një parti e të gjithë atyre që duan një sistem demokratik në Shqipëri”.

Fjalët e Berishës i vunë vulën diskutimit mbi emrin e partisë. Pas emrit të partisë, diskutuam për programin e partisë, të cilin kishim premtuar se do ta shpallnim brenda ditës në “Qytetin Studenti”.