Dhjetor ’90, pse e çova Berishën te studentët

0
41

Ramiz Alia, 14.05.2010

Roli i ish-presidentit në ditët para nisjes zyrtare të pluralizmit politik dhe si u zhvilluan ngjarjet në presidencë dhe në qytetin Studenti

Sali Berisha e ka mohuar gjithnjë. Por edhe si në shumë dëshmi të tjera e vërteta është tjetër. Ai u dërgua të bisedonte me studentët, nga ish-presidenti Ramiz Alia, për vetë faktin se meqë në krye të protestave të studentëve në dhjetor ’90 ishin tre tropojanë, duhej një pedagog nga Tropoja që të bisedonte me ta.

Berisha në dhjetor '90
Sali Berisha dhe Eduard Zaloshnja mes studentëve në dhjetor 1990

Berisha e kreu detyrën e ngarkuar nga Alia dhe siç thotë vetë Alia, në kujtimet e përmbledhura në librin “Jeta ime” botuar nga “Toena”, ai mori drejtimin e lëvizjes studentore për të nisur karrierën në politikë.

Në gjendjen që përjetonte vendi në fund të vitit 1990, duke pasur parasysh se së shpejti do të zhvilloheshin edhe zgjedhjet për në Kuvendin Popullor, mendova se ishte rasti që, reformat që kishim bërë, të çoheshin më tej. Kështu, filloi përpunimi i Kushtetutës së re, në të cilën do të hidheshin idetë e një transformimi më rrënjësor të shoqërisë sonë.

Në Kushtetutën e re, do të njihej e drejta e pronës private, do të pranoheshin lidhjet ekonomike me botën e jashtme, marrja e kredive dhe krijimi i ndërmarrjeve të përbashkëta, do të sanksionohej liria e besimeve fetare, do të përcaktoheshin liria dhe të drejtat e individit, sipas normave të KSBE etj.

Ndërkohë, pa pritur miratimin e Kushtetutës së re, tashmë ishte e nevojshme të hidhej edhe hapi tjetër, ai që kishte të bënte me pluralizmin politik. Ky, fillimisht u mendua të zbatohej duke hequr tutelën e Partise mbi organizatat e masave dhe duke shpallur pavarësinë e tyre.

Duhet të pranoj se, zgjidhja që kërkova t’i jap çështjes së pluripartitizmit, duke shpallur pavarësinë e organizatave të masave nga Partia e Punës dhe duke i konsideruar ato si subjekte elektorale më vete në zgjedhjet parlamentare që po përgatiteshin, ishte një “modus vivendi”. Në këtë mënyrë, mendoja se do t’i hapej rrugë zhvillimit gradual të procesit drejt fazës finale, pluralizmit partiak, zhvillim që do të përjashtonte spontanitetin dhe ekseset.

Për mua, në të gjitha etapat, ato gjatë demokratizimit të jetës së vendit, të kalimit në pluralizmin politik dhe më pas, gjatë periudhës së parë të tranzicionit nga njëri sistem në tjetrin, themelore ka qenë mënjanimi i ekstremizmave, i konfrontimit të ashpër dhe sidomos, i përleshjeve vëllavrasëse. Evitimi i tyre, përbënte kredon e kohës. Kësaj i jam kushtuar me të gjitha forcat e mia, pa asnjë rezervë.

Por, ngjarjet që pasuan, treguan se tashmë duheshin hedhur hapa më të shpejtë, që domosdo do të preknin edhe vetë sistemin shoqëror që ekzistonte deri atëherë. Kështu, në procesin e përmbysjes së socializmit, po i vinte radha edhe “gurit të fundit të dominosë”, Shqipërisë.

Duhet theksuar se, ndryshimet që ndodhen në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore, u imponuan kryesisht nga ndërhyrja dhe presioni i gjithanshëm nga jashtë, nga zhvillimet në situatën ndërkombëtare. Ish-Sekretari i Shtetit të SHBA, Igellberger, gjatë vizitës në Shqipëri në vitin 1992, iu deklaroi studentëve të Universitetit të Tiranës se “ndihmë nga ana e SHBA, duhet konsideruar edhe ajo çka bëmë ne për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, gjë që krijoi kushtet për të shkatërruar komunizmin edhe tek ju”.

Në këtë kohë, erdhi në skenën politike shqiptare ajo që njihet si lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990.

Me lëvizjen e studentëve, për herë të parë që nga çlirimi, Shqipëria u ndesh me një fenomen të ri, me kundërshtimin e hapur të politikës së shtetit dhe të Partisë. Lëvizja e studentëve, filloi në Tiranë, pikërisht kur përpara nesh shtrohej dilema e mësipërme.

Manifestimi i studentëve, nisi natën e 9 dhjetorit të vitit 1990, duke marrë shkas nga disa të meta që viheshin re në kushtet e jetesës në konviktet e tyre. Por, nuk ishte e vështirë të kuptohej sfondi politik i këtij veprimi.

Diku nga ora 01. 00, më njoftuan se studentët kërkonin të takoheshin me mua. Megjithëse kishte kaluar mesi i natës, njoftova se mund të takohesha me një përfaqësi të studentëve në korpusin kryesor të Universitetit. Në orën 01. 30, më njoftuan se studentët ishin gati dhe kështu unë vajta në takim. Qëllimi im, ishte që të vendosja dialogun me studentët, në mënyrë që të evitohej çdo acarim i mëtejshëm.
U futëm në një nga sallat që gjetëm të hapur.

Ishin rreth 30 studentë. I pyeta menjëherë se çfarë kërkonin. M’u përgjigjën se kishin vetem një kërkesë: Të shkoja unë tek studentët, që të bisedoja me të gjithë masën e të rinjve, sepse e kishin humbur besimin se ndokush tjetër mund t’i zgjidhte problemet e tyre. U përpoqa të marr vesh çfarë i shqetësonte më tepër, përse nuk përdornin organizatën e rinisë për të formuluar kërkesat dhe për të kontrolluar zbatimin e tyre etj.

Nuk mora përgjigje të sakta. Por shkurt, më përsëritën se kushtet e jetesës në konvikte ishin të këqija, se mensat dhe organet e tregtisë që merreshin me to, nuk punonin mirë, se organizata e rinisë (BRPSH) nuk u përgjigjej interesave të tyre, bile as donin të dëgjonin për të, etj. Pra, e gjithë puna, ishte që të merrnin fjalën time se nesër unë vetë, do të shkoja në konviktet e studentëve për të dëgjuar drejtpërdrejt vërejtjet e tyre dhe për të biseduar me ta”.

Pasi u përpoqa t’i qetësoja, u dhashë fjalën se do të shkoja të nesërmen pasdite në klubin e tyre, për të biseduar me të gjithë studentët, por me kusht, që ata paradite të ndiqnin mësimet rregullisht. Edhe ata ranë dakord. Kështu, u ndamë. Natyrisht, unë isha i bindur se manifestimi i studentëve kishte synime politike.

Ana ekonomike, shërbente për të tërhequr pas vetes të gjithë masën e studentëve. Më pas mësova se, për të shtuar revoltën e konviktorëve, “dikush” kishte prerë kabllot elektrikë, kështu që organizatorët e manifestimit, e patën më të lehtë të bashkonin në protestë për kushtet e jetesës masën e të rinjve.

Të nesërmen, në vend që të shkonin në mësim, studentët vazhduan demonstratën e tyre, kësaj here ditën dhe duke u përpjekur që, nga konviktet, të dilnin në sheshet e qytetit.

Forcat e rendit nuk i lejuan dhe i detyruan me forcë të kthehen prapa, por kjo i acaroi më tepër studentët. Protesta e tyre, vazhdoi gjatë gjithë ditës, por brenda territorit të konvikteve.

Kështu, ra edhe mundësia e takimit tim të dytë me të gjithë studentët. Diten tjetër, gjendja u keqësua më tej. Kërkesat e studentëve, morën formën e një peticioni dhe po konkretizoheshin. U bë evidente se, tashmë, primare nuk ishin kërkesat për kushtet e jetesës.

Në krye dolën kërkesat politike, nga të cilat, kryesore ishte ligjërimi i lëvizjes studentore si forcë politike. Dhe ishte e qartë se studentët, ose më mirë ata që qëndronin pas tyre, nuk e kishin fjalën për një organizatë të rinisë studentore, por për një parti politike alternative.

Tani, sheshi tek konviktet e studentëve, filloi të vizitohej gjithnjë e më shumë nga njerëz të ndryshëm (jo studentë), nga punëtore, disa intelektualë etj. Edhe përfaqësues të ambasadave të huaja, sidomos të ambasadës franceze në Tiranë, ishin prezentë. Pasditen e vonë të dates 10 dhjetor, Xh. Gjoni, që atëherë kryente funksionin e Sekretarit të Partisë për Tiranën, më mori në telefon për të më njoftuar se kishte thirrur disa pedagogë të Universitetit që të shkonin tek studentët, për të biseduar me ta dhe për t’i qetësuar.

Midis të tjerëve, ai më përmendi emrin e dr. Sali Berishës. S. Berishën unë nuk e njihja mirë. Kontaktin e parë me të, unë e kam pasur, siç e thashë më lart, në spitalin e Parisit ku ai ndodhej me grupin e mjekëve të H. Kapos. Kohët e fundit, kisha lexuar një a dy artikuj të tij, të botuar në gazetën “Zëri i Popullit” dhe kisha dëgjuar mendimet që tha ai në takimin që bëra në gusht të vitit 1990 me intelektualët e Tiranës.

Duke ditur se në krye të grupit që takova natën vonë në sallën e Universitetit, tre studentë ishin nga Tropoja, mendova se Berisha, duke qenë edhe ai tropojan, mund të ishte një nga personat e përshtatshëm për të mbajtur gjallë dialogun me studentët, në mënyrë që të zgjidheshin kërkesa e tyre në qetësi.

Për këtë arsye, i thashë Xhelilit që t’i thoshte Berishës që, përpara se të shkonte tek studentët, të takohej me mua.
Ishte diku rreth orës 18. 00, 19. 00 ose aty rrotull, kur S. Berisha erdhi tek unë, në shtëpi. Hymë drejt e në temë.

Megjithëse ai e dinte gjendjen, unë e vura në dijeni për çfarë kishte ndodhur, për takimin që kisha bërë me studentët një natë më parë, për shkaqet që nuk u arrit të zhvillohej takimi i dytë (sepse ngjarjet precipituan dhe marrëveshja u shkel nga studentët). I thashë që t’iu thoshte studentëve, nga ana ime, se “takimin që kërkuan me mua, e prishën vetë, sepse nuk u kthyen në mësim, siç më kishin premtuar. Megjithatë, unë prapëseprapë isha gati për të biseduar me ta, por në qetësi”.

Saliu më tha se do të shkonte dhe do të bisedonte me studentët, “megjithëse atje nuk kishte studentë të tij (të mjekësisë)”, prandaj nuk njihte të tjerët. E vura në dijeni se, midis organizatorëve të manifestimit, sic më thanë kur takova përfaqësinë e tyre, ishin 2-3 studentë nga Tropoja, kështu që një pikë kontakti mund të gjendej, duke pasur parasysh se edhe vetë Saliu ishte nga Tropoja.

Iku. Bashkë me të, me studentët i vazhdonin bisedimet edhe ish-Ministri i Arsimit S. Gjinushi dhe ish-Sekretari i Parë i BRPSH-së L. Bashkurti.

Diku nga mesnata, Berisha u kthye përsëri tek unë. Ishte mjaft i shqetësuar (të paktën këtë përshtypje më la) dhe i lodhur. Më tha se kishte “biseduar gjatë me grupin udhëheqës të studentëve, por, sapo merrej vesh me një palë, vinte një tjetër dhe e prishte kontratën dhe kështu çdo gjë duhej të fillonte nga e para. ” Nga tropojanët, ai me tha se nuk njihte asnjërin. “Shkurt, -përfundoi Berisha,- është e pamundur të diskutohet normalisht me ata.

Ka çështje, sidomos të karakterit ekonomik, për të cilat ata kanë të drejtë, por kanë edhe kërkesa të tjera, që as vetë nuk dinë t’i formulojnë qartë. Me sa duket, ende nuk dinë se çfarë kërkojnë”.

Me kaq, mbaroi edhe takimi ynë. Ky është takimi i fundit që kam pasur me S. Berishën si ish-anëtar i Partisë së Punës. Jo më larg, por pas dy ditësh, ai hodhi tej teserën e PPSH, për të kaluar në radhët e opozitës, të Partisë Demokratike që u krijua më 12 dhjetor.

Ditën tjetër, gjendja u keqësua më tej. Kërkesat e studentëve, moren formën e një peticioni dhe po konkretizoheshin. Ishte evidente që, tashmë, primare nuk ishin kushtet materiale të jetesës. Lëvizja studentore synonte diçka tjetër. Konkretisht, kërkohej ligjërimi i organizimit të tyre si forcë politike alternative. Pra, shtrohej konkretisht problemi i pluralizmit partiak dhe ky kërkonte zgjidhje.

Ndërkohë, me lëvizjen studentore, u bashkuan edhe shumë njerëz nga qyteti i Tiranës. Bile, pati vizitorë edhe nga rrethet, si nga Shkodra e Kavaja. Studentët ngulnin këmbë që të takohesha përsëri me ta. Rashë dakord që do të takoja një përfaqësi të gjerë të tyre në datën 11 dhjetor, pasdite.