Dhjetë ‘urdhëresat’ e FMN-së

0
43

Adrian Civici

ADRIAN CIVICI, 01.07.2010

Shqetësimet dhe debatet për strategjitë dhe mënyrat më të mira për daljen e ekonomive dhe financave të pjesës dërrmuese të vendeve të botës nga kriza, vazhdojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm. Në nivelet më të larta të vendimmarrjes botërore në këtë fushë, siç ishte së fundi edhe samiti i G20 në Kanada, në politikat evropiane, apo edhe në politikat e mjaft vendeve të zhvilluara, apo në zhvillim, qëndrojnë pikëpyetje të mëdha që kërkojnë përgjigje urgjente.

Ky debat është shumë i mprehtë edhe në Shqipëri Përtej qëndrimeve të tipit “jemi shumë mirë me ekonominë dhe financat”, “kemi disa probleme me deficitin buxhetor, por do i korrigjojmë shpejt”, etj., apo “vendi është në kolaps të plotë”, “Shqipëria është e gjunjëzuar ekonomikisht”, “financat publike në prag krize totale”, etj., duket se kemi më shumë nevojë për politika konkrete, të shpejta, të menjëhershme dhe me një konsensus të gjerë politik. Po cilat janë ato?..dhe, a mund të fiksohen disa prej tyre?

Duket se përgjigjet nuk janë aq të lehta, apo akoma më keq, shpesh janë kontradiktore e të kundërta me njëra-tjetrën. Kujt duhet t’i referohemi, sidomos po të kemi parasysh se në politikat tona ekonomike e financiare ne vuajmë sistematikisht nga dy sindroma kronike. Së pari, vuajmë nga “sëmundja” e trajtimit me slogane dhe pothuajse vetëm në nivel politik e populist të shumë prej politikave e masave fondamentale ekonomike e financiare; së dyti, entuziazmohemi shpejt nga çdo arritje apo sukses i vendeve të veçanta, shpesh shumë të ndryshme nga Shqipëria, dhe ju referohemi pa hezitim shembullit dhe politikave të tyre.

Në këto momente të vështira për gjithë ekonominë dhe financat botërore, është FMN-ja ajo që hedh në qarkullim dhe rekomandon pasjen në konsideratë dhe vendimmarrjen e çdo qeverie në përputhje me një dekalog i servirur si “bibla” apo “kurani” aktual i politikave të zvogëlimit të deficitit buxhetor dhe rritjes ekonomike që duhet të ndërmarrin vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Jo pa qëllim, i gjithë shtypi i specializuar dhe ekspertët e fushës ekonomike e financiare po e trajtojnë këtë dokument si “dhjetë urdhëresat e….FMN-së”.

Në këtë moment të vështirë për të gjithë, FMN-ja kërkon të jetë në lartësinë e shpresave që shumë vende, qeveri e institucione kanë varur në kompetencat e saj, në vendin e duhur për objektivat dhe rolin shumë të rëndësishëm që i është dhënë me konsensus të gjerë ndërkombëtar, për të pilotuar daljen nga kriza dhe rikthimin e ekonomisë dhe financave botërore në rrugën e normalitetit. Sfida është e jashtëzakonshme. FMN-ja po tenton t’i orientojë vendet dhe qeveritë drejt “aplikimit të strategjive të axhustimit buxhetor…por pa vënë në rrezik rritjen ekonomike që akoma duket mjaft delikate”.

Problemi më i vështirë duket se është mungesa e konsensusit dhe këndvështrimet e ndryshme që ekzistojnë në lidhje me këtë çështje. Vendet europiane me në krye Gjermaninë dhe Bankën Qendrore Europiane privilegjojnë më shumë politikat e rigorozitetit buxhetor dhe shëndoshjen e financave publike, ndërkohë që SHBA është më në favor të “planeve mbështetëse e stimuluese në ekonomi, në mënyrë që të favorizohet rritja ekonomike”. “Bibla e FMN-së” duket se është një version politikash e masash që kryqëzon të dyja këto këndvështrime.

Ekonomistët e saj nënvizojnë se “reduktimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i deficiteve publike është çelësi për të pasur investime të rëndësishme private dhe për pasojë, rritje të qëndrueshme ekonomike”, por ata theksojnë gjithashtu se në këtë aspekt nuk duhet të shkohet në ekstrem, pasi “rigoroziteti i madh buxhetor mund të asfiksojë rritjen ekonomike”, duke shkaktuar kështu një dëm më të madh sesa avantazhet që përfitohen prej tij.

E gjithë kjo “filozofi e re” apo paketë masash që propozohet, sintetizohet në dhjetë “urdhëresa” ose vendime bazë në politikat ekonomike e financiare. Duke filluar nga janari i vitit 2009, Shqipëria është bërë më “institucionale” në marrëdhëniet e saj me FMN-në, duke bashkëpunuar në kuadrin e të famshmit “artikulli 4”, çka nënkupton një prezencë këshilluese, analizuese e rekomanduese të FMN në Shqipëri, por gjithsesi jo “detyruese dhe kushtëzuese”.

Në këtë këndvështrim, nisur nga situata jonë konkrete, problematike, në lidhje me efektet e krizës në ekonominë dhe financat tona, shqetësimet për deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm e të jashtëm mjaft të lartë, rritjen ekonomike modeste, etj., është shumë e rëndësishme që platforma e FMN-së të studiohet me kujdes dhe mbi të gjitha të aplikohet me rigorozitet. Një veprim i tillë, përveçse do “na fusë në shina” në lidhje me masat kryesore ekonomike e financiare që duhen ndërmarrë, do ta rrisë edhe besueshmërinë dhe vlerësimin në raport me institucionet vlerësuese ndërkombëtare dhe partnerët tanë publikë e privatë.

“Urdhëresa e parë”: “hartimi i një plani buxhetor të besueshëm afat-mesëm 3-4 vjeçar me objektiva dhe tregues të qartë e transparentë” për të gjithë afatin e realizimit të tij. Një masë e tillë do kërkonte veç të tjerave edhe një konsensus të gjerë politik. Ne flasim e diskutojmë shumë për uljen e shpenzimeve të buxhetit të vitit 2010, me 30 miliardë lekë, për arritjen e deficitit në nivelin 4%, uljen e shpenzimeve për investime me rreth 22%, etj., dhe të gjitha këto vetëm për 2010, ndërkohë që do të ishte efektive të hartohet e diskutohet mbi një plan buxhetor 3-4 vjeçar të qartë, transparent e lehtësisht të monitorueshëm.
Rregulli i dytë që sugjerohet nga FMN është që vendet dhe qeveritë duhet të aplikojnë masa graduale duke ju larguar zgjidhjeve drastike apo populiste.

Duhet evituar reagimi i tipit “ortodoks” që synon vendosjen e ekuilibrave në kohë rekord e me një goditje të vetme. Synimi nuk duhet të jetë detyrimisht rikthimi në shifrat dhe përqindjet e periudhës së para-krizës, pra asaj të viteve 2005-2007, por hartimi i një skenari të ri gradual, të përshtatur me situatat konkrete të çdo vendi. Rregulli i tretë që shkon në mbështetje të së dytit, kërkon që “objektivi më i rëndësishëm duhet të jetë zvogëlimi progresiv i madhësisë së borxhit publik në raport me PBB” dhe jo thjesht fiksimi mbas një niveli të caktuar.

“Urdhëresa e katërt” i fton të gjitha vendet që të fokusohen veçanërisht në reduktimin e shpenzimeve, por duke qenë shumë të kujdesshme me prekjen e investimeve publike që lidhen direkt me rritjen ekonomike dhe punësimin. Qeveritë duhet të jenë të qarta se “gërshërët” më të mëdha duhet të bien mbi shpenzimet jo-produktive, sidomos ato operative, etj. Kujdes special kërkohet me zërat dhe elementet që përbëjnë planin e të ardhurave buxhetore, duke mos prekur me taksa e tatime të reja, sidomos biznesin prodhues dhe atë të shërbimeve.

Rregulli i pestë që nënvizohet dukshëm është dhe domosdoshmëria e “reformimit të shpejtë të reformave në fushën e sigurimeve sociale, pensioneve, etj”, fushë në të cilën Shqipëria ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Ka shumë vite që diskutojmë dhe nuk po arrijmë dot të bëjmë një reformë të vërtetë në fushën e sigurimeve sociale dhe pensioneve. Në këtë çështje, është mungesa totale e konsensusit politik dhe ndoshta edhe e ideve konkrete cilësore, për të aplikuar një reformë të tillë që klasifikohet si nga më të rëndësishmet në sferën e politikave strukturore që duhet të bëjë çdo vend.

Sistemi jonë i sigurimeve sociale dhe pensioneve, jo vetëm që është një sistem i vështirë në menaxhim, dhe jo shumë efektiv në shërbimet e tij, por mbi të gjitha po bëhet gjithnjë e më tepër një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit dhe financat publike. Konceptimi dhe aplikimi i një reforme të tillë është një nga domosdoshmëritë më urgjente në Shqipëri.

“Urdhëresa” e shtatë, i bën thirrje të gjitha qeverive që të jenë “sa më të drejta”, “t’i kushtojnë shumë më tepër rëndësi rregulla të mirëqeverisjes” duke i dhënë një vend maksimal transparencës qeverisëse në raport me rregullat, normat dhe standardet bazë, tashmë të njohura e të miratuara në mjaft dokumente e marrëveshje ndërkombëtare. Rregulli i shtatë dhe i tetë i këtij dekalogu i kushtohen “reformave të mëdha pothuajse tërësisht vetëm në shërbim të rritjes ekonomike”, si dhe “forcimit të institucioneve e tregjeve financiare” të çdo vendi.

Shumë qeveri kanë aprovuar tashmë strategji të veçanta e tërësisht të orientuara në nxitjen dhe garantimin e rritjes ekonomike, ndërkohë që në Shqipëri ne diskutojmë shumë për shifrën e saj, por nuk kemi akoma një dokument strategjik themelor e thelbësor për garantimin e saj. Vazhdojmë të jemi konfuzë dhe mjaft të pastabilizuar në ide e politika, kur është fjala për burimet e rritjes, potencialet e qëndrueshme të vendit apo avantazhet konkurruese, që ka apo duhet të krijojë Shqipëria në funksion të rritjes ekonomike. Dy urdhëresat e fundit kërkojnë vëmendje maksimale e veprime konkrete koordinuese ndërmjet politikave monetare dhe atyre buxhetore, në mënyrë që ato të mos jenë konkurrente, por plotësuese e mbështetëse të njëra-tjetrës.

Të dhjetë këto rregulla apo “urdhëresa” mund të përbëjnë një platformë shumë të mirë për një debat publik, veprim politik apo qeverisës në Shqipëri. Realizimi i tyre me një konsensus e transparencë do të ishte e domosdoshme dhe përfituese për të gjithë, të majtë apo të djathtë qofshin.