Nga Mustafa Nano
Në revistën Newsweek përshkruheshin dhjetë horra me pushtet në botën e sotme. Përshkruheshin në mënyrë skematike, duke veçuar fare pak tipare të tyre. Unë kam shtuar një tjetër në fund. Është horri ynë.
1. Muammar Gaddafi, diktatori i Libisë, 68 vjeç, ka 41 vjet në pushtet; si shenjë dalluese ka veshjen prej portieri; mban si roje trupi vajza të virgjëra; e thërrasin Kolonel; krimi më i madh i kryer prej tij është bombardimi i avionit që ra mbi Lockerbie; abuzimi më i madh me pushtetin ka të bëjë me përvetësimin e 144 ton flori; miku legal më i mirë e ka emrin Silvio Berlusconi; ka grua Safia-n, një ish-infermiere; e ardhmja për të nuk duket shumë premtuese; si bëmë intelektuale ka një libër me titull “Libri i gjelbër”.
2. Kim Jong-Il, diktatori i Koresë së Veriut, 70 vjeç, ka 16 vjet në pushtet, emrin përkëdhelës e ka Truri Qëndror; është i dhënë pas konjakut; shenjë dalluese ka veshjen me rroba si pizhama; krimi më i madh i tij ka të bëjë me të dhënën e tmerrshme, sipas së cilës kanë vdekur 1 milionë koreanoveriorë prej urisë; pasuria e tij abuzive arrin në 4 miliardë dollarë; mania e tij pas luksit i kushton vendit 20% të buxhetit; miku legal në arenën ndërkombëtare e ka emrin Hu Jintao; gruaja e tij është Kim Young Sook; ka gjithashtu një numër të dashurash; në perspektivë po projekton pushtetin e djalit të vet; ka shkruar një libër me titull “Mbi Artin e Kinemasë”; mëkati më i falshëm janë “brigadat e hareshme” të mbushura me vajza të shkollave të mesme.
3. Aleksander Llukashenko, diktatori i Bjellorusisë, 56 vjeç, ka 16 vjet në pushtet, e thërrasin “babai i kombit”, trill i tij janë rrëshqitjet në akull me patina, si shenjë dalluese ka mustaqet e tipit ‘Stalin’; krimi më i madh i tij është abuzimi i vazhdueshëm me të drejtat e njeriut; përfitimet e paligjshme arrijnë në nivelin e 9 miliardë dollarëve (sipas Wikileaks-it); miku më i mirë ndërkombëtar i tij është Papa Benedikti i XVI; ka për grua Galina Rodionovna Lukashenkon; e ardhmja e tij nuk duket e kërcënuar; kokëçarjet e tij intelektuale janë ato të një eksperti në bujqësi; mëkati më i falshëm: kënaqet duke dëgjuar këngë për veten.
4. Robert Mugabe, diktator i Zimbabves, është 87 vjeç, ka 23 vjet në pushtet, e thërrasin Bob, në kohën e lirë ka qejf të merret me një supermarket të tijin, si shenjë dalluese ka mustaqet e tipit ‘Hitler’; krimi më i madh i tij është masakra e mijra civilëve në vitet ’80, si pasuri të paligjshme ka (tok me një grusht miqsh) gjysmën e tokës së vendit; si mik ndërkombëtar të vetin ka kryeministrin malaizian; gruaja e tij është “Gucci” Grace, a.k.a. “the First Shopper”; e ardhmja e tij është pothuaj e sigurtë; për pozë intelektuale i mjafton posti i kancelarit të Universitetit të Zimbabves; mëkati më i falshëm: sheh me dyshim të gjithë ata që e rrethojnë.
5. Basher Al-Assad, diktator i Sirisë, është dyzet vjeç, ka dhjetë vjet në pushtet, e thërrasin Luani, e mban ngrohtë me Hizbullahët, si shenjë dalluese ka të qethmen “flattop”, krimi më i madh i tij është shtypja e protestave të kohëve të fundit; përfitimet e paligjshme i ka dhuratë prej të atit (2 miliardë dollarë), si mik ndërkombëtar ka Lula Da Silva-n; gruaja e tij quhet Asma (kohët e fundit ka dalë në revistën Vogue); e ardhmja e tij është e palexueshme; si arritje intelektuale ka profesionin e oftalmologjistit (mjek i specializuar në sëmundjet e syve); si mëkat më të falshëm ka qasjen nepotike në ushtrimin e pushtetit.
6. Than Shwe, diktator i Burmës, është 78 vjeç, ka 19 vjet në pushtet, e thërrasin Bulldog, harxhon shumë kohë me lordët e Opiumit, si shenjë dalluese ka veshjen ushtarake dhe dekoratat në gjoks, krimi më i madh i tij është shpërngulja e 1 milion vetëve, pasuritë e paligjshme janë të pallogaritshme e burojnë prej naftës, si mik ndërkombëtar ka kryeministrin indian, gruaja e tij është Kyaing Kyaing, e cila beson në egzistencën e magjistarëve, e ardhmja e tij është e palexueshme, si kokëçarje intelektuale ka pasionin për astrologjinë, mëkati më i falshëm është besimi i tij se ai mund të jetë Buddha.
7. Omar Al-Bashir, diktator i Sudanit, është 67 vjeç, ka 21 vjet në pushtet, e thërrasin Field-marshall, është poligam, si shenjë dalluese ka një bastun; krimi më i madh i tij janë viktimat e Darfurit; pasuria e paligjshme arrin në 9 miliardë dollarë dhe e ka të gjithën në banka të huaja; si mik ndërkombëtar ka kryeministrin turk; dy nga gratë e tij janë Fatima Khalid dhe Widad Babiker; e ardhmja e tij është e pasigurtë; në fushën intelektuale nuk ka asnjë pretendim (ka qënë një paramilitar), mëkati më i falshëm është se ka ndaluar celebrimet mes të sapomartuarëve.
8. Gurbanguly Berdimuhamedow, diktator i Turkmenistanit, është 53 vjeç, ka 4 vjet në pushtet, e thërrasin “Turkmenbashi”, është i dhënë pas punës; si shenjë dalluese ka vetullat si të Peter Gallagher-it; krimi më i madh i tij është burgosja e dyshimtë e një prifti në vitin 2010; si pasuri të paligjshme i llogarisin një avion dy-vendesh, që e mori dhuratë nga Mahmoud Ahmadinejad; si mik ka princin Andrew; ka një grua në Londër dhe një të dashur në Rusi; të ardhmen e ka të sigurtë; si arritje intelektuale ka një diplomë dentisti; është i dhënë pas garave me kuaj, dhe organizon dhe vetë të tilla.
9. Islam Karimov, diktator i Uzbekistanit, është 73 vjeç, ka 21 vjet në pushtet, e thërrasin Babagjysh, bën ndërhyrje të vazhdueshme në biseda dhe nuk i lë interlokutorët që të flasin, si shenjë dalluese ka flokët që i hedh nga njëra anë e kokës në tjetrën për të mbuluar tullën, krimi më i madh është masakra e bërë nga ushtarët e tij në Andijan në vitin 2005, si pasuri të paligjshme i regjistrohen 60 milionë dollarë, si mik ndërkombëtar ka këngëtarin Sting; gruaja e tij është ekonomiste dhe quhet Tatyana Akbarovna; e ardhmja e tij e pasigurtë për shkak të shëndetit të dobët; nuk ka trashëgimtarë; është diplomuar si inxhinier dhe ekonomist.
10. Teodoro Obiang, diktator i Guinesë Ekuatoriale, është 68 vjeç, ka 31 vjet në pushtet, e thërrasin El Jefe, i pëlqen shumë që njerëzit të veshin plaçka, ku është vizatuar fytyra e tij, qejfi i tij është të kombinojë një kravatë mëndafshi me një shami xhepi në pjesën e sipërme të xhaketës, krimi më i madh i tij është se 70% e popullsisë së vendit jeton me më pak se sa dy dollarë në ditë, si pasuri të paligjshme ka 700 milionë dollarë, ndërsa djali i tij ka 36 milionë dollarë, si mik ndërkombëtar ka Condoleezza Rice-in; ka disa gra dhe mbi 40 fëmijë; e ardhmja e tij është e sigurtë; si arritje intelektuale ka një diplomë kineasti; thashethemi më i tmerrshëm në adresë të tij është se “është kanibal”.
10+1. Sali Berisha, diktator i Shqipërisë, është 66 vjeç, ka më shumë se dy dekada në politikë; shqiptarët e thërrasin Doktor; persekutohet vazhdimisht prej idesë se duan ta vrasin, gjë që duket tek fakti, se ka njëzet vjet që rri i rrethuar me një ushtri bodyguard-ësh; votuesit e vet e respektojnë, bashkëpunëtorët e kanë frikë; në fakt, ka shumë qejf që të tjerët ta marrin për trim; si shenjë dalluese ka cullufet dhe fytyrën si të Karadxhiçit; ka shumë qejf të dalë në televizor; sheh gjithë ditën televizor, gjithashtu; nuk i flak kurrë ata që i shërbejnë; krimi më i madh i tij është hapja e depove të armëve në vitin 1997, ndërsa krimi më brutal është vrasja e katër protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit; pasuritë e paligjshme i ka në emër të fëmijëve dhe klanit të vet; provon turp prej origjinës (gjatë gjithë kohës e ka përmendur veç nja dy herë emrin e fshatit ku ka lindur); ka qënë komunist fanatik deri në vitin 1990, dhe më pas është shndërruar në antikomunistin më të zhurmshëm të Europës; gruaja e tij është Liri Berisha, dhe është e vetmja grua që ai ka prekur në jetën e vet; vishet mirë, nuk gjuan qejfet dhe është workaholik; nuk ka miq ndërkombëtarë, por ka mbështetje ndërkombëtare, të cilën e ka blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë; ndikohet shumë nga e bija; si dëngël intelektuale ka një titull akademik (prof.dr); ligjërimin publik e ka të mbushur me “unë, unë, unë …”; e ardhmja e tij duket e pakërcënueshme.